Nis seanca e dytë e Kuvendit, betohen deputetët e mazhorancës
TIRANË- Ka nisur rreth orës 18:30, seanca e dytë e Kuvendit, me leximin e materialit të shqyrtimit të mandateve. Jemin Gjana në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni ka deklaruar se të gjitha mandatet janë të vlefshme, pra nuk ka pasur asnjë parregullsi. Aktualisht, drejtuesi i seancës parlamentare Fatos Beja, po thërret një nga një deputetët për tu betuar.
Sot janë betuar vetëm deputetet e Koalicionit Aleanca e Ndryshimit dhe të LSI-së. Këtij parlamenti i mungojnë 66 deputetët e Partisë Socialiste, që siç kanë bërë të ditur kthehen në sallë kur të zbardhen zgjedhjet e 28 qershorit.
Sipas procedurës, seanca po vazhdon me zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit, që do te jete kryetarja e vjeter, Jozefina Topalli. Sapo ka propozuar emrin e saj kryetari i gurpit të PD-se, Astrit Patozi. Ndersa formalisht LSI propozoi emrin e Dritan Priftit. Aktualisht po organizohet komisioni që do të merret me administrimin e votimit.
Mblidhet komisioni për verifikimin e mandateve
ora 14: 00
TIRANË- Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve u mblodh sot në mesditë në selinë e kryesisë së Kuvendit, në mbledhjen e parë për verifikimin e mandateve të 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit.
Sipas rregullores parlamentare komisioni, që drejtohej nga deputeti Jemin Gjana, do të hartojë raportin për vlefshmërinë e mandateve, të cilin do ia paraqesë pasditen e sotme seancës plenare të Kuvendit. Pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin.
Komisioni i përkohshëm përbëhet nga nëntë anëtarë, 5 nga maxhoranca dhe 4 nga opozita. Kjo e fundit nuk u përfaqësua në këtë komision për shkak të vendimit të grupit parlamentar socialist për të bojkotuar punimet e Kuvendit të ri.
09.00
Kushtet e PS-së, Kuvendi edhe sot pa opozitën
TIRANË - Deputetët socialistë nuk do të jenë të pranishëm as në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të lexohet raporti i Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve dhe më pas të kryhet procedura e betimit. Burime nga Partia Socialiste kanë konfirmuar dje se grupi i saj parlamentar nuk do të jetë sot në sallën e Kuvendit, duke vijuar që të ruajë pozicionimin e tij për të bojkotuar punimet e këtij institucioni deri në realizimin e kushteve që kjo forcë politike i ka vënë mazhorancës, kryesisht për të hetuar procesin elektoral të 28 qershorit. Megjithatë, duket se brenda grupit parlamentar socialist ekzistojnë dallime të mëdha lidhur me këtë qëndrim. Përveç atij grupi deputetësh, që kanë kundërshtuar hapur bojkotin e Kuvendit, ekziston dhe një grup tjetër deputetësh që, pavarësisht se mbështesin rezolutën e Kongresit dhe vendimin e kryesisë së partisë për të kushtëzuar pjesëmarrjen në Kuvend, kërkojnë që grupi kuvendor socialist të shkojë sot në seancë vetëm për të bërë betimin, pra për t'i dhënë fuqi juridike mandatit të tyre. Gjithashtu, ata e argumentojnë këtë qëndrim të tyre me nevojën për të bërë prezente kushtet e tyre para mazhorancës. Megjithatë, duket se PS-ja ka menduar një procedurë tjetër për të njohur institucionet shtetërore dhe faktorin e huaj në vend me kushtet e saj. Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur se PS-ja u ka nisur nga një letër të gjitha institucioneve të larta shtetërore, si dhe gjithë ambasadave në vend me qëndrimin e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe kërkesat me të cilat ajo kushtëzon pjesëmarrjen e saj në Kuvend. Nuk përjashtohet në këtë drejtim dhe mundësia për të kryer negociata mes PD-së dhe PS-së për zgjidhjen e këtyre kërkesave, si mundësia e vetme për të kthyer socialistët në Parlament. Ndërkohë që, gjatë ditës së sotme, Rama ka thirrur në takime të veçanta deputetët e çdo qarku, me qëllim konsultimin e veprimit të mëtejshëm të kësaj force, por edhe për t'i udhëzuar ata mbi procesin e njohjes së anëtarësisë socialiste me këtë qëndrim, gjatë një turi takimesh që ata pritet të nisin në ditët në vijim.
*******
dt 7 shtator
Nis punimet pa opozitën Kuvendi i ri i Shqipërisë
TIRANË- Ka nisur punën Kuvendi i ri i Shqipërisë. Seanca e parë është drejtuar nga deputeti më i vjetër në sallë, Fatos Beja, i cili pasi iu ka uruar suksese deputetëve ka ndjekur menjëherë procedurat, duke ngritur Komisionin e Mandateve dhe më pas Sekretariatin e Kuvendit. Beja ka lexuar një për një emrat e 140 deputetëve të rinj të legjislaturës së XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. E gjithë seanca ka zgjatur vetëm 15 minuta. Këtij parlamenti i mungon opozita, që siç edhe kishte paralajmëruar nuk mori pjesë në seancën e parë plenare.
Në sekretariatin e Kuvendit u caktuan deputetët Gerti Bogdani, Pavlina Hoti dhe Ledina Aliolli. Gjithashtu u ngrit edhe Komisioni i Përkohshëm i Verifikimit të Mandateve që përbëhet vetëm nga 5 deputetë të PD, nga 9 që e përmban rregullorja, pasi deputetët e PS-së mungonin në sallë.
Kryetari i përkohshëm i Kuvendit ka njoftuar se seanca e radhës e Kuvendit të Shqipërisë mblidhet nesër në orën 17:00, kur do të bëhet edhe betimi i deputetëve. Në ceremoninë e nisjes së punimeve të Kuvendit të ri ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përfaqësues të trupit diplomatik, etj.
Ndërkohë, pak para nisjes së punimeve, Kryeministri Berisha mblodhi grupin parlamentar të PD-së dhe rikonfirmoi Astrit Patozin në krye të këtij grupi. Po kështu Berisha la të kuptohej se Jozefina Topalli do të jetë sërish Kryetare Parlamenti.
Gjatë kësaj mbledhjeve Berisha i ka bërë thirrje opozitës të hyj në Parlament duke u zotuar se do të ndryshojë sërish kodin zgjedhor dhe këtë do ta bëjë në bazë të sugjerimeve të opozitës.
"Dua t'ju them se për sa kohe te jem në pushtet, unë do t'i njoh opozitës çdo sistem zgjedhor, përveç 'dushkut'. Uroj dhe shpresoj qe PS të zërë vendet e veta ne parlament. Garantoj opozitën se do të bashkëpunojmë me fryme të hapur, konstruktive se zëri i saj do të dëgjohet dhe se ajo do te jete me ne, bashkëautore e reformave te mëdha, që do të çojnë Shqipërinë me shpejtësi drejt BE-se", u shpreh Berisha.
Bojkoti i kushtëzuar i PS-së, Rama: Ligj për hetimin e zgjedhjeve
ora 14:30
TIRANË- Partia Socialiste duke bërë publik qëndrimin e saj për marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, ka kërkuar sot një ligj të posaçëm për hetimin e zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurohet transparenca e nevojshme për pretendimet për standarde të munguara.
Sipas kreut të PS-së, Edi Rama për hetimin e zgjedhjeve është i nevojshëm krijimi i një komisioni hetimor me shumicë nga opozita parlamentare dhe me ekspertë të OSBE-ODIHR-it.
Gjatë një konference për shtyp ai ka theksuar se PS-ja është e gatshme të hyjë në Parlament në momentin që do të plotësohen kërkesat e saj.
"Nuk duam përsëritjen e një tjetër farse hetimore parlamentare në vazhdën e shëmtuar të këtyre komisioneve që i kanë lënë radhën njëri tjetrit pa arritur në asnjë përfundim, por duam të na jepet mundësia të bëjmë transparencën e procesit për të gjithë opinion publik"- tha ai.
Sipas Ramës, PS nuk e ka bojkotuar Kuvendin dhe nuk kërkon ndryshimin e pushtetit në tavolinë, por ajo kushtëzon hyrjen dhe është e gatshme të hyjë në çdo moment që gjithçka kërkon bëhet e mundur.
Rama kërkoi më tej zbardhjen e të gjitha lejeve të dhëna nga zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë për të dënuarit, të cilët vepruan në periudhën zgjedhore, si dhe transparencë dhe zbardhje të ngjarjes ku mbeti i vrarë deputeti i saj Fatmir Xhindi.
08.05
Kuvendi nis sot punimet, mungojnë socialistët
TIRANË - Kuvendi do të fillojë sot punimet e sesionit të ri parlamentar, ku një pjesë e konsiderueshme e deputetëve do të marrin pjesë për herë të parë. Në mbledhjen e sotme gjithçka pritet të jetë formale, ku deputeti më i vjetër në moshë do të hapë punimet. Pas refuzimit të Kryeministrit Berisha për drejtimin e seancës si deputeti më i vjetër dhe mungesës së deputetëve të PS-së, punimet e legjislaturës së re do të hapen nga deputeti i PD-së, Fatos Beja. Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre. Menjëherë, Kuvendi zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe duhet, për sa është e mundur, të përfaqësojë përbërjen politike të Kuvendit, siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe Kryesinë e Komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Menjëherë pas verifikimit të mandateve, deputetët ftohen të bëjnë betimin sipas një teksti të posaçëm, i cili lexohet nga drejtuesi i seancës dhe deputetët ftohen, një e nga një, të ngrihen më këmbë dhe të deklarojnë: "Betohem". Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë, në të cilën marrin pjesë. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit, ku kandidati për kryetar propozohet nga të paktën 15 deputetë dhe ku një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Pas administrimit të kandidaturave, kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve.
*******
dt 5 shtator
PS: Marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin
TIRANE - Kryesia e PS, ka vendosur per nje "marredhenie te kushtezuar me Kuvendin", ne perfundim te mbledhjes qe ka zgjatur me shume se dy ore, sot ne mbremje ne Tirane.
Fjalen e fundit, do ta thote Grupi Parlamentar qe pritet te mbledhet ditën e shtunë.
Me poshte eshte deklarata e kreut te PS, Edi Rama pas perfundimit te mbledhjes se Kryesise:
"...Kryesia mori nje vendim lidhur me percaktimin e qendrimit te Partise Socialiste dhe grupit te saj parlamentar per pjesemarrjen ne nje parlament te cilin rezoluta e Kongresit te Jashtezakonshem te Partise Socialiste e konsideron me legjitimitet te cunguar. Marredheniet me parlamentitn do te jene te kushtezuara. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar nuk mund te jene pjese e nje jete parlamentare e cila nuk ka dale nga vullneti i popullit.
Grupi Parlamentar i Partise Socialiste do te vendose neser sepse ai e ka fjalen e fundit.
Kryesia vendosi ti percjelle grupit vendimin per nje marredhenie te kushtezuar me parlamentin. Partia Socialiste do jete pjese e parlamentit vetem pasi shumica e tij me mandat politik jolegjitim te konsideroje dhe plotesoje kushtet qe kane te bejne me zgjedhjet dhe gjithe kuadrin e demokracise dhe te gares demokratike me vendin tone.
Sot u diskutua ne parim per ate qe do te jete nje pakete kushtesh dhe Grupi Parlamentar do diskutoje me me shume detaje te cilat do te behen publike.
Nuk behet fjale per bojkot ne kuptimin primitiv por per nje qendrim te detyruar nga 28 qershori. U kemi bere thirrje edhe partive dhe forcave te tjera, grupeve politike dhe shoqerore qe nuk jane te majte te bashkohen ne emer te nje domosdshmerie te pashmangshme qe eshte garantimi i zgjedhje te mira dhe te ndershme.
Nuk mund te pranojme te shkojme drejt zgjedhjeve te tjera te njejta si keto. Ne kufizohemi brenda nje kuadri ne thonjza demokratik qe eshte produkt i nje projekti qe nuk ka te beje me lirine dhe demokracine por me vizionin e mbrapshte te Berishes, Metes dhe Nanos dhe ta kthejne republiken tone jo ne europiane por ne aziatike ku gjithcka duket normalitet, ashtu sic beri Meta qe kerkoi votat e shquptareve per te hequr Berishen dhe pastaj beri koalicion me te duke marre peng lirine dhe duke shkaterruar konkurencen e lire.
Shqiperia nuk mund te jete regjim oligarkesh do te jete nje vend europian. Do te percaktohen me grupin parlamentar kushtet tona dhe rruga qe do ndiqet per ti bere keto te qarta, jo bojkot me kurriz nga parlamenti por qendrese me syte nga prlamenti..."
*********
Mblidhet Kryesia e PS-se
TIRANË- Kryesia e Partisë Socialiste ka nisur mbledhjen për të përcaktuar qëndrimin që do të mbahet nga kjo parti për përfaqësimin e grupit të saj parlamentar në Kuvendin e ri, të cilin deri më tani e ka cilësuar ilegjitim.
Në këtë mbledhje Partia Socialiste do të caktojë në mënyrë përfundimtare qëndrimin e saj karshi legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe pjesëmarrjes së grupit të saj parlamentar në të.
Ndërkohë që nesër vendimi që do të marrë kryesia do të konsultohet edhe me grupin parlamentar që pritet të mblidhet gjatë paradites.
Opsionet
Ajo që pritet të diskutohet në mbledhjen e kryesisë janë pikërisht tre opsionet që ekzistojnë dhe që janë përfolur më shumë mes vetë socialistëve dhe që kanë të bëjnë pikërisht me pozicionimin e grupit kuvendor socialist kundrejt legjislativit të ri.
Natyrisht, opsioni më i mundshëm që pritet të miratohet është ai që është mbrojtur fort gjatë këtyre ditëve edhe nga kryesocialisti Edi Rama, pra bojkotimi total i punimeve të Kuvendit.
Por, siç dihet, kjo do të jetë një alternativë, që pritet të sjellë shumë debate në kryesi, për vetë faktin se ndaj saj janë shprehur në mënyrë kategorike një pjesë e mirë e anëtarëve të këtij forumi, që janë njëkohësisht edhe deputetë. Miratimi i këtij opsioni do të përbënte dhe pozicionimin më radikal të PS-së ndaj institucioneve që prodhoi procesi elektoral i 28 qershorit.
Përballë këtij opsioni qëndrojnë grupi i anëtarëve të kryesisë, të cilët në kongres u shfaqën si kundërshtarë të kryetarit në detyrë, Edi Rama, të cilët mbështesin rezolutën e Asamblesë Kombëtare dhe jo atë të Kongresit, duke kërkuar pjesëmarrjen e deputetëve socialistë në Kuvend.
Ata kanë kundërshtuar fort ditët e fundit rezolutën e Kongresit, duke bërë të ditur se radikalizmi i qëndrimit të PS-së ndaj Kuvendit nuk ndihmon PS-në për të arritur qëllimet e saj, kundrejt zbardhjes së shkeljeve të pretenduara për procesin elektoral të 28 qershorit.
Si një alternativë e mesme, që mund të përafronte dy qëndrimet e tjera, bëhet e ditur se është edhe ai i pjesëmarrjes në Kuvend ditën e hënë për të bërë betimin, si një akt që do të legjitimonte mandatet e gjithë të zgjedhurve socialistë, dhe largimin më pas deri në përmbushjen e kërkesave të PS-së për hetimin e shkeljeve elektorale.
Kushtet
Në rast se forumet partiake përgjegjëse, pra kryesia dhe grupi parlamentar, do të miratojnë alternativat e bojkotit të Kuvendit, atëherë PS-ja ka gati edhe kushtet që do t'i vërë Partisë Demokratike si mundësia e vetme për t'u kthyer në të.
Kështu, të njëjtat burime konfirmojnë se kushti i vetëm buron pikërisht nga rezoluta e miratuar nga Asambleja dhe Kongresi, dhe që ka të bëjë me hetimin parlamentar të procesit elektoral të 28 qershorit, në ato qarqe ku kjo forcë pati pretendime për manipulime.
Pra, bëhet fjalë pak a shumë për një marrëveshje paraprake me PD-në për të marrë prej saj garancinë se do të ngrejë së pari komisionin hetimor parlamentar dhe së dyti do të vërë në dispozicion të tij të gjitha materialet zgjedhore, përfshi edhe kutitë e votimit, për të kryer hetimin parlamentar.
Natyrisht, është e kuptueshme se PS-ja do të përqendrojë kërkesat e saj në ato qarqe ku dhe pati pretendime për manipulime, siç është Berati, Tirana dhe Shkodra.
****************
Blushi kundër bojkotit
TIRANË- Nderkohe dje perfaqesuesi i linjes kritike ndaj Rames ne PS, Ben Blushi ka dalë sërish para medieve për të bërë të ditur qëndrimin e tij mbi pjesëmarrjen apo jo të opozitës në Parlament. Ai tha se vendimi për bojkotin nuk mund të merret vetëm nga Kryetari Rama, ndërsa i sugjeron këtij të fundit të presë edhe raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit.
Ai iu bën apel kolegëve të tij deputetë të kësaj legjislature të mos nxitohen në marrjen e këtij vendimi. Ndërkohë nesër pritet të mblidhet Kryesia e PS-së, ku ndër të tjera do të vendoset nëse Partia Socialiste do të jetë apo jo në Parlament me 7 shtator.
Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste më 29 gusht vendosi që të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë lideri Rama, në daljet e tij publike është shprehur se vendimi për pjesëmarrjen në Parlament do merret nga struktura të tjera të PS-së. Pra ende nuk ka asgjë të vendosur.