E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja: Diana Kastratit iu shkel e drejt për jetë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të martën ka shpallur të pranueshme kërkesën e Gëzim dhe Makfire Kastratit, të cilët pretendojnë se Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte vepruar sipas Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe si pasojë e këtij mosveprimi kishte ndodhur edhe vrasja e vajzës së tyre, Diana Kastrati, nga ish-bashkëshorti i saj Adnan Jashari.

Në aktgjykimin e Kushtetueses lidhur me këtë rast thuhet se kjo gjykatë ka vendosur ta shpallë kërkesën të pranueshme, të gjejë se ka pasur shkelje të së drejtës për jetën, të paraparë me nenin 25 të Kushtetutës dhe me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), të gjejë se ka pasur shkelje të së drejtës për mjete juridike, të konsiderojë të panevojshëm trajtimin e pretendimit për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, t'ua komunikojë palëve këtë vendim, ta publikojë këtë vendim në gazetën zyrtare si dhe ky vendim thuhet se “hyn në fuqi menjëherë”.

Prindërit e Dianës kishin kërkuar nga Kushtetuesja që të interpretohej shkelja e të drejtave individuale të Diana Kastratit, për shkak të mosveprimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë në lidhje me mos-lëshimin e urdhrit për mbrojtje.

Këtë kërkesë ata e kishin parashtruar edhe kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Tek vlerësimi i kushtetutshmërisë së kërkesës në aktgjykimin e Kushtetueses thuhet se nga dokumentacioni i deponuar në gjykatë mund të konstatohet se autoriteti përgjegjës, në këtë rast Gjykata Komunale në Prishtinë, është dashur të dinte për rrezikun real që ka ekzistuar me rastin e dorëzimit të kërkesës për lëshim të urdhrit për mbrojtje emergjente, pasi Diana Kastrati ka shpjeguar në mënyrë kronologjike përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, duke specifikuar edhe kërcënimet me vdekje nga ish-partneri dhe duke ofruar dëshmi për raportimin paraprak në organet policore për kërcënimet e pranuara.

“Për më tepër, Gjykata Komunale në Prishtinë paraprakisht ka trajtuar një lëndë të iniciuar nga D.K.-ja për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore dhe për caktimin e kujdestarisë së fëmijës së të ndjerës dhe ish-partnerit të saj, kur edhe kishte filluar shfaqja e problemeve serioze ndërmjet tyre dhe që më vonë kishte rezultuar me kërcënime të ndryshme”, thuhet në interpretimin e Kushtetueses. Më tej në konkludimet e kësaj gjykate thuhet se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës dhe nga neni 2 i KEDNJ-së.

Sa i përket të drejtës për mjete efektive juridike, në aktgjykim thuhet se parashtruesit e kërkesës janë ankuar edhe për shkeljen e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike të garantuara me nenin 32 dhe 54 të Kushtetutës.

“Në këtë drejtim, gjykata vëren se legjislacioni në fuqi: Ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nuk ofrojnë mjete efektive juridike për mbrojtjen e të drejtave të parashtruesve”, thuhet në aktgjykim./koha.net/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›