Konsensus për Kodin Rrugor, 2-fishohen gjobat dhe patenta me pikëzim
Në rastet e aksidenteve, pavarësisht gjendjes shëndetësore të drejtuesit, policisë me anë të këtyre ndryshimeve i jepet e drejta që të bëjë me patjetër testin e përqindjes së alkoolit
Kuvendi ka mundur më së fundi të miratojë me konsensusin absolutisht të të dyja palëve ndryshimet e paraqitura në Kodin Rrugor, me anë të të cilave dyfishohen gjobat minimale dhe rritet me 50 % gjoba maksimale për drejtuesit e automjeteve për shkeljet administrative, si dhe futet sistemi i pikëzimit për patentat apo lejet e drejtimit. Konsensusi është bërë i mundur të arrihet vetëm dje para se të niste seanca e radhës, ku palët e përfaqësuara në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese kanë rënë dakord për të miratuar një draft të integruar për të gjitha nismat e ardhura nga qeveria, si dhe të gjitha propozimet e bëra nga opozita. Kështu, Kodi Rrugor ka pësuar ndryshim në 39 nene dhe ku bien në sy masat shtrënguese që vendosen për të gjitha shkeljet nga ana e drejtuesve të automjeteve për mosrespektim të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe nisma për të futur edhe në Shqipëri sistemin e patentës me pikë, megjithëse kjo pritet të hyjë në fuqi vetëm pas 18 muajve.
Kodi
Me 115 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi ka miratuar dje pa asnjë debat draftin e integruar të ndryshimeve në Kodin Rrugor. Mirëkuptimi i palëve është bërë i mundur të arrihet vetëm pak minuta para se të niste seanca plenare, ku në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese mazhoranca pranoi dhe disa propozime shtesë të ardhura nga opozita. Në emër të komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, kryetari i tij, Jemin Gjana ka bërë një prezantim të shkurtër të këtyre ndryshimeve, duke shpjeguar edhe ndryshimet e fundit të bëra për sa i përket masës së gjobave. Kështu, për të eliminuar mundësitë e abuzimit nga ana e policëve rrugorë me anë të diapazonit të madh që krijohej mes gjobës minimale dhe asaj maksimale, është vendosur që gjobat minimale të dyfishohen, ndërsa ato maksimale të jenë tri herë më të mëdha sesa shuma e gjobës minimale. Pra duke e shpjeguar këtë me një shembull konkret, sipas dakordësisë së gjetur mes pozitës dhe opozitës, rezulton se për një gjobë që sot është 1 mijë deri në 4 mijë lekë, me ndryshimet e bëra ajo do të shkojë 2 mijë lekë deri në 6 mijë lekë. Pra, për të nxjerrë gjobën maksimale do të shumëzojmë gjobën minimale me 3, çka në finale prodhon një rritje të saj në masën e 50 përqindëve. Dhe gjobat që preken nga këto ndryshime kanë të bëjnë kryesisht me shkeljet më të shpeshta, siç janë: tejkalimi i normave të shpejtësisë, mosrespektimi i sinjalistikës, apo edhe mosrespektimi i rregullit të vendosjes së rripit të sigurimit. Masa të rrepta futen edhe për drejtuesit që konsumojnë pije alkoolike, ku tashmë bëhet dallimi midis atij që ka konsumuar dhe atij që konsiderohet i dehur.
Patenta
Një ndryshim që ka mbajtur peng konsensusin deri në minutën e fundit ka qenë edhe ai për futjen në vendin tonë të sistemit të pikëzimit të patentës. Kështu, sipas këtyre ndryshimeve, çdo qytetar që do të marrë një leje drejtimi automjeti për çdo klasë, do të ketë si kredit 20 pikë dhe për çdo shkelje (kjo varet nga lloji) do të ketë një kufizim pikësh apo heqje të tyre deri humbjen totale të tyre, çka mund të ndodhë në përsëritjen e shkeljeve të vazhdueshme. Në rastin e humbjes së plotë të pikëve, një drejtues automjeti do duhet të aplikojë sërish nga e para për të marrë një patentë. Ndërsa, në rast se pas një shkeljeje një drejtues rezulton se nuk ka kryer shkelje të tjera për dy vite rresht, ai rimerr të gjitha pikët e mundshme, pra 20. Megjithatë ky është një sistem, që për shkak të teknologjisë që kërkon, do bëhet i mundur të zbatohet vetëm pas 18 muajsh. Këtë e ka konfirmuar dje ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.
Nenet e reja ne Kodin Rrugor
Zotëruesi i lejedrejtimit shqiptar, i cili në tri vitet e para të marrjes së lejedrejtimit, qarkullon duke i tejkaluar limitet e shpejtësisë të mjeteve të përcaktuara në këtë nen, është subjekt i sanksionit administrativ të veçantë me gjobë në vlerën nga një mijë lekë deri në katër mijë lekë. Shkelja e mësipërme, përveç masës administrative me gjobë ndëshkohet edhe me masën plotësuese të pezullimit të lejedrejtimit nga dy deri në tetë muaj, në zbatim edhe të kërkesave të nenit 140 të këtij Kodi.
Neni 2
Cilido që nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë ose kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/ orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë
nga një mijë deri në tre mijë lekë”
Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/ orë dhe jo me më shumë se 20km /orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në 6 mijë lekë”.
Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/ orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëmijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë”. Si pasojë e kësaj shkelje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga 1(një) deri ne 3 (tre) muaj.
Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti që e zotëron lejedrejtimin prej me pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejedrejtimit behet për 3 (tre)deri ne 6 (gjashte) muaj.
Cilido që shkel dispozitat e pikës 4, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëqind deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë”
Cilido që qarkullon kundravajtje në kthesat, në rakordimet konvekse ose në ndonjë rast tjetër me fushëpamje të kufizuar , ose qe e përshkon karrexhaten kundërvajtje kur rruga është e ndarë në disa karrexhata të veçanta, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në tre mijë lekë”.
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë”
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në tre mijë lekë”.
Cilido që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor ose sipas normave përkatëse të akteve në zbatim si dhe sipas orientimit të policit të trafikut, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë”.
Cilido qe shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në tre mijë lekë”.
Cilido që kryen një parakalim pa zbatuar dispozitat e pikave 2, 3,4,5 e 8, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë mijë lekë”.
Cilido që nuk zbaton ndalimet e parakalimit sipas pikave 9,10,11,12,13 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri ne tre mijë lekë. Kur nuk zbatohen ndalimet e parakalimit sipas pikës 14, masa administrative është me gjobë nga dymijë deri në gjashtë mijë lekë”.
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni ose përdor në mënyre të gabuar sistemet e sinjalizimit me ndriçim, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në tre mijë lekë mijë lekë”.
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë”
Pika 6, e nenit 156, ndryshohet si më poshtë vijon;
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në tre mijë lekë”
Pika 5, e nenit 160, ndryshohet si më poshtë vijon;
“5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në tre mijë lekë”.
Pika 8, e nenit 162, ndryshohet si më poshtë vijon;
“8. Cilido që shkel dispozitat e pikave të mësipërme të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në tre mijë lekë”
Pika 3, e nenit 163, ndryshohet si më poshtë vijon;
“3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në tre mijë lekë”.
Cilido që drejton mjete ose trolejbusë të destinuar për transportin e njerëzve, duke përjashtuar autoveturat që kanë një numër pasagjerësh dhe një ngarkesë të përgjithshme më të madhe se vlerat maksimale të treguara në lejet e qarkullimit si dhe që transportojnë një numër pasagjerësh më të madh nga ai I treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dymijë deri në gjashtë mijë lekë”.
Pika 9 ndryshohet si më poshtë vijon:
“9. Cilido që shkel dispozitat e mësipërme , kur bëhet fjalë për autovetura, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dymijë deri në gjashtë mijë lekë”.
Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë”. Kur shkelja I takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes , mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije”.
Për cilindo që në kushtet e treguara në pikën 1, nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative me gjobë dy mijë deri në gjashtë mijë lekë dhe me pezullimin e leje drejtimit nga 6 deri në 12 muaj”.
1. Është e ndaluar drejtimi i mjeteve në gjendje të dehur si pasojë e përdorimit të pijeve alkoolike.
2. Është i ndaluar drejtimi i automjeteve pas përdorimit të pijeve alkoolike dhe nën ndikimin e alkoolit.
3. Cilido që drejton një mjet nën ndikimin e alkoolit ndëshkohet me gjobë nga dymijë e pesëqind lekë deri në shtatë mijë e pesëqind lekë. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative e pezullimit të lejes së drejtimit nga 6 deri në 1 vit dhe nga 1 vit deri në 2 vjet kur subjekti përsërit shkeljen brenda një viti.
4. Për drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksidente rrugore të dëmtuar dhe që u janë nënshtruar ndërhyrjeve mjekësore, verifikimi i nivelit alkoolik do të kryhet detyrimisht me kërkesë të organeve të Policisë Rrugore.