Kushtetuesja, Kuvendi rrëzon kandidaturën e Topit

Shumica parlamentare ka futur mbrëmë për votim, në mënyrë të paparashikuar, tre dekretet e Topit për në Kushtetuese
Kandidatura e Kostës është konsideruar nga shumica si e implikuar në çështje politike. Votimi, pa praninë e opozitës
TIRANË - Ndërsa në Strasburg dy liderët kryesorë të politikës shqiptare, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, nisën të darkojnë në prani edhe të drejtuesve të lartë të BE-së për zgjidhjen e krizës politike, mazhoranca parlamentare në Shqipëri ka futur për votim në mënyrë krejt të beftë tre dekretet e kreut të shtetit, Bamir Topi, për anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke dhënë pëlqimin për dy prej tyre dhe duke rrëzuar të tretin.
Teksa kanë miratuar kandidaturat e Altina Xhoxhajt dhe Bashkim Dedes, me 66 vota kundër, 4 pro dhe 2 abstenime, deputetët e djathtë kanë rrëzuar kandidaturën e gjyqtarit Vangjel Kosta, duke i dhënë kështu një goditje të fortë si frymës së mirëbesimit për të negociuar zgjidhjen mes dy forcave kryesore politike në Strasburg, ashtu edhe marrëdhënieve mazhorancë-president.
Seanca
Seanca e djeshme plenare ka nisur me gati 1 orë vonesë për shkak se grupi parlamentar demokrat u mblodh në një mbledhje të paparashikuar për të diskutuar pikërisht për tre dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht se në Komisionin e Ligjeve këto kandidatura u dukën se morën bekimin e deputetëve të djathtë, dje në mënyrë të papritur mazhoranca ka ndryshuar qëndrim dhe vendosur thuajse në unanimitet që të mos votojnë pro në seancë për kandidaturën e Vangjel Kostës, me argumentin e pa bërë publik në mënyrë zyrtare se ky i fundit kishte gjykuar çështje politike gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e gjyqtarit të shkallës së parë gjatë regjimit komunist.
Një pretendim ky që u rrëzua në mënyrë kategorike nga vetë Kosta gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, ku pyetjes së deputetes Mesila Doda, nëse kishte gjykuar çështje politike, ai iu përgjigj se "proceset politike u besoheshin personat që kishin eksperiencë dhe që ishin të anëtarësuar në parti në atë kohë.
Fakti që unë isha i ri dhe nuk kisha as këtë kriterin e dytë, kam qenë jashtë atij procesi përzgjedhës në atë kohë". Ndërkohë që grupi dha konsensusin e vet për dy kandidaturat e tjera, atë të Altina Xhoxhajt dhe Bashkim Dedes, pavarësisht se gjatë seancës dëgjimore, u vu re një frymë se do të ndodhte e kundërta.
Votimi
Duket se gjithçka ka qenë pjesë e një loje të mirëllogaritur nga ana e drejtuesve të mazhorancës, të cilët në pamundësi për të argumentuar se cilat ishin arsyet pse do të votonin kundër kandidaturës së Kostës, nxorën një arsye sa banale aq edhe të pabesueshme për të mos lexuar raportin e Komisionit të Ligjeve për tre dekretet, se ne sallë në atë moment nuk ishte as kryetari dhe as sekretari i tij.
Ajo që e bën më të besueshme se e gjitha kjo ishte një lojë, është fakti se asnjëri prej deputetëve të djathtë që mori pjesë në seancë nuk konfirmoi ekzistencën e raportit mbi tavolinë, megjithëse, para se të kalohej në votim, kryetarja e Kuvendit deklaroi se një dokument të tillë e kishin gjithë deputetët.
Më pas, Topalli ka ftuar deputetët të votojnë në mënyrë të fshehtë me elektronikë, duke hedhur fillimisht votim kandidaturën e gjyqtares së shkallës së parë, Altina Xhoxhajt. Ajo ka mundur të marrë 70 vota pro dhe 2 kundër.
Më pas në të njëjtën procedurë ka kaluar edhe kandidatura e gjyqtarit të Apelit Durrës, Bashkim Dedes. Edhe ky, si kandidatura e parë, ka marrë 70 vota, por 1 votë më pak kundër, si dhe 1 abstenim. Surprizën e ka bërë në kandidaturën e Vangjel Kostës, një nga gjyqtarët me më shumë përvojë, si dhe ish-anëtar i Gjykatës së Lartë.
Është fakt që ka qenë vetë e djathta që shumë vite më parë e ka zgjedhur Vangjel Kostën si gjyqtar të Gjykatës së Lartë, ndërsa sot e rrëzon atë me argumentin se është i implikuar në gjykimin e çështjeve politike. Kjo mund të përbëjë një rast për acarimin e marrëdhënieve mes shumicës qeverisëse dhe kreut të shtetit, pasi për të shmangur pikërisht një situatë të tillë, ky i fundit u përpoq që të bënte një proces sa më transparent përzgjedhjeje.
Natyrisht. rrëzimi i Kostës përbën nga ana tjetër edhe një mesazh të qartë nga ana e mazhorancës për presidentin Topi se për të përzgjedhur tashmë 4 kandidaturat e tjera për në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 për në Gjykatën e Lartë duhet të negociojë paraprakisht edhe me të. Vlen të theksohet këtu se zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ishte dhe një nga pikat kryesore të kërkesave të grevistëve të urisë.