Xhafaj: Kalimi i dekreteve, thikë pas shpine për negociatat

Fatmir Xhafaj e ka konsideruar skandal kalimin për votim të tre kandidaturave
Skandaloze e ka konsideruar Partia Socialiste seancën e mbrëmshme plenare të Kuvendit, ku u kaluan për votim në mënyrë krejt të njëanshme dhe pa praninë e opozitës, tre dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
I kontaktuar nga gazeta, sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, i sapo dalë nga greva 19-ditore e urisë, shpreh keqardhjen e tij për ngutin që tregoi shumica qeverisëse për të kaluar për votim tre emërimet e kreut të shtetit për në Gjykatën e Lartë.
Sipas Xhafës, është jo korrekte që për sa kohë dialogohet për të zgjidhur çështjet objekt debati, midis të cilave është edhe ajo për zgjedhjen e anëtarëve kushtetues, mazhoranca vendos të fusë në proces votimi dekretet e presidentit, pa qenë fare e pranishme opozita. "Kjo është një tallje me tryezën e bisedimeve në Strasburg, pasi cenon rëndë frymën e besimit që ne i dhamë për të negociuar", - tha deputeti socialist Fatmir Xhafaj.
Ai nuk ka nguruar ta cilësojë këtë akt si një thikë pas shpine dhe një goditje të fortë për procesin e negociatave që po zhvillohen në Strasburg. "Fakti që në Strasburg negociohet për një zgjedhje kompromisi, kalimi pa praninë e opozitës në Kuvend i kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese është një thikë pas shpine për këtë proces.
Dihet që transparenca dhe dialogu për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë ishte një nga pikat kryesore të kërkesave të grevës së urisë", - shtoi më tej sekretari socialist dhe një nga drejtuesit e grevës së urisë.
Natyrisht, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që një veprim i tillë të ketë edhe impaktin e vet negativ në diskutimet për zgjidhjen e krizës që do të vijojnë edhe sot në Strasburg. Xhafaj bën të ditur se shumica qeverisëse kishte të gjitha mundësitë që për të kaluar këto kandidatura të priste përfundimet e bisedimeve dhe rikthimin e premtuar të opozitës në Kuvend.
Ndërkohë, duke komentuar lidhur me rrëzimin e kandidaturës së gjyqtarit Vangjel Kosta, ai ka theksuar se ky përbën një arsye më shumë për ta cilësuar gjithë këtë proces skandaloz, për vetë faktin se, sipas tij, kandidatura e rrëzuar gëzon një integritet të lartë profesional dhe moral në fushën e drejtësisë.
"Rrëzohet kandidatura e Vangjel Kostës, personi me më shumë integritet ndër 3 kandidaturat e paraqitura, ish-anëtar të Gjykatës së Lartë dhe i njohur si konsititucionalist. Aq më shumë që votimi u bë pa opozitën dhe në një kohë kur bëhen negociata", - tha Xhafaj.