E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja, 'OK' referendumit kundër importit të mbetjeve

Gjykata Kushtetuese i ka hapur dritën jeshile mbajtjes së një referendumi kundër importit të mbetjeve, pas kërkesës së paraqitur nga një grup ambientalistësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile.

Gjykata ka zbardhur sot vendimin e plotë duke argumentuar se “Kushtetuta, në nenin 150 parashikon të drejtën e popullit, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, për të kërkuar referendumin për shfuqizimin e një ligji. Gjykata ka theksuar se referendumi është mjeti kushtetues që lidhet me nocionin e sovranitetit të popullit, që ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur prej tij ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, informon BW.

Debati për importin e plehrave ka nisur që në vitin 2011, kur Parlamenti miratoi një ligj të ri për trajtimin e mbetjeve urbane, në të cilin ishin përfshirë edhe dy nene që lejonin importimin e tyre për qëllime riciklimi. Ambientalistët i kundërshtuan me forcë këto dy nene, duke argumentuar se Shqipëria nuk i posedon mundësitë për kontrollet e nevojshme dhe se vendi sipas tyre mund të rrezikojë të kthehet në një destinacion për mbetjet e rrezikshme. Por, sipas qeverisë, ligji është hartuar në përputhje me standardet evropiane dhe janë vetëm 25 lloje mbetjesh që lejohet të hyjnë për qëllime riciklimi.

Tani i takon presidentit të vendit që brenda 45 ditësh të shpallë datën. Referendumi nuk do të mund të zhvillohet përpara dhjetorit të ardhshëm, pasi 6 muaj para skadimit të afatit të Parlamentit dhe tre muaj pas mbledhjes së Parlamentit të ri nuk mund të mbahen referendume./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›