Kushtetuesja, Topi: Së shpejti emërimi i gjyqtarëve
Presidenti Bamir Topi siguron se shumë shpejt do të zbatojë linjën kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses. Përmes një interviste për DW, kreu i shtetit, deklaroi: Besoj që jemi absolutisht në kohë për Gjykatën Kushtetuese. Shumë shpejt do të zbatohet linja kushtetuese e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Kushtetutës do të miratohen në Parlament. Për sa i përket pyetjes se cilat janë kushtet e vëna prej tij, Topi u përgjigj: Janë vetëm kushte, të cilat unë jam i detyruar t'i zbatoj sikurse përcaktohen në Kushtetutë: Që njerëzit që zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese e në çdo gjykatë, duhet patjetër që të jenë në parametrat më të lartë të moralit dhe të profesionalizmit. Pastaj gjithçka është pjesë e një procedure, e cila përshkruhet me shumë hollësi në Kushtetutë dhe në ligj.