Ekspertët, pro Berishës: Votimi elektronik, zgjidhja më e mirë
Votimi elektronik konsiderohet si zgjidhja më e mirë për Shqipërinë. Ky është konstatimi i dhënë nga ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i cili në një intervistë për televizionin Klan sqaron se deklarata e bërë nga Kryeministri Berisha për të adaptuar këtë model është një vullnet pozitiv për të realizuar në Shqipëri procese të pakontestueshme nga humbësi. Është shprehje e një vullneti pozitiv për të realizuar procese zgjedhore të pakontestueshme që t'i garantojnë hapësirat humbësit për të pranuar rezultatin, - ka pohuar ai. Në argumentin e tij, Kume sqaron edhe mënyrën se si mund të arrihet drejt këtij modeli, që sipas tij, eliminon fletët e votimit, rinumërim apo hapje të kutive zgjedhore, deri tek heqja dorë njëherë e përgjithmonë nga përfaqësia politike nëpër komisionet e numërimit dhe votimit.