Rama heq dorë nga programi politik
Do të hartohet pas një turi takimesh dialogu nr. 2 me Shqipërinë para zgjedhjeve vendore
Asambleja Kombëtare e PS-së dhe më pas kongresi i saj, ndryshe nga çpritej, nuk do të marrë në diskutim çështjen e programit të ri politik të partisë. Burime të sigurta nga PS-ja bëjnë të ditur se këto dy forume do të diskutojnë vetëm për ndryshimet në statutin e partisë dhe miratimin e librit të rregullave për vendimmarrjen në parti, ndërsa programi nuk do të merret fare në diskutim. Grupi i punës që po merrej me hartimin e programit kryesohej nga Rama dhe ishte njoftuar se ndryshimet do të bëheshin publike pikërisht në muajin prill në kongres. Por sipas burimeve të sigurta nga selia rozë, programi i ri në të vërtetë nuk është gati, ai do të hartohet pas një turi takimesh që kreu i PS-së, Edi Rama, pritet të nisë në muajt e ardhshëm. Ky tur do të jetë një dialog nr. 2 me Shqipërinë, ndërkohë që dialogu i parë u zhvillua në pranverë të vitit 2009, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Edhe herën e parë synimi i takimeve në rrethe, në fshatra e qytete, ishte që të dilej me një program që të prekte gjithë problematikën e njerëzve. Por pavarësisht punës së grupeve të veçanta që ishin organizuar në PS, programi nuk arriti asnjëherë të shihte dritën e diellit, duke u cilësuar si një nga arsyet pse Rama humbi zgjedhjet. Tashmë, ai do të ribëjë të njëjtën gjë duke synuar kryesisht të fokusohet në zonat rurale, ku në qershor nuk arriti të krijojë mbështetje, e gjithashtu do të mbajë gjallë debatin politik deri në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Në asamblenë e sotme që mbahet tek hotel Cibraku në orën 11 paradite do të diskutohet ndryshimi i statutit, i cili pritet të shfaqë debate dhe kundërshtime. Kritikët e Ramës e shohin këtë statut të ri si një mënyrë për tu mbyllur gojën kritikave dhe mendimit ndryshe në parti. Në një nen të veçantë do të ndalohet dalja kundër vendimeve të shumicës së forumeve.