E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, Topi dekreton 3 emra

Vangjel Kosta, njëri prej tre emrave të dekretuar nga Presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, është avokat me profesion. (UPDATE)

Po ashtu është i angazhuar edhe në mësimdhënie pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga viti 93 deri në vitin 2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së lartë.

Anëtari tjetër është Bashkim Dedja. Fillimisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së parë Tiranë dhe prej më shumë se 10 vjetësh gjyqtar i Apelit në Durrës. Në këtë pozicion, më 19 janar të 2009-ës ai u përzgjodh nga shorti i parë si anëtar i Kolegjit zgjedhor. Por me të drejtën që u jepte ligji, partitë e kontestuan bashkë me dy emra të tjerë dhe zoti Dedja nuk mundi të zgjidhej anëtar i Kolegjit zgjedhor. Në korrik të 2008, gjyqtari Bashkim Dedja ishte një nga dy propozimet e Presidentit për kreun e Inspektoratit të lartë deklarimit dhe kontrollit të pasurive. Përfundimisht Kuvendi miratoi kandidaturën e Adriatik Llallës.

Emri i tretë i dekretuar nga Presidenti për në gjykatën kushtetuese është Altina Xhoxhaj, gjyqtare në gjykatën e shkallës së parë Tiranë. Duke qenë 39 vjec, gjyqtarja Xhoxhaj mund të jetë gjyqtarja më e re në moshë e Gjykatës Kushtetuese. Por që prej vitit 2006, ajo është gjithashtu edhe anëtare e Këshillit të Lartë të drejtësisë. Si gjyqtare e cështjeve civile, zonja Xhoxhaj ka gjykuar në shkallën e parë cështjen prishjes së mbikalimit të Zogut të Zi. Në vitin 2008, bashkë me katër emra të tjerë, ajo u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtare e gjykatës së lartë. Por pesë dekretet e presidentit u rrëzuan nga mazhoranca, e cila argumentoi atëhere se presidenti nuk ishte konsultuar më parë me Kuvendin.

Mbetet për të parë nëse tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese do të miratohen nga Kuvendi, duke qenë se dy prej tyre janë kontestuar në të shkuarën. Por a do të futej Partia Demokratike në një konflikt me presidentin, kur ka një krizë të hapur politike me opozitën? Me interes pritet edhe mendimi i opozitës, që ka kërkuar që emrat e rinj të jenë profesionistë dhe të pavarur nga ndikimet. Presidentit i duhet të dekretojë edhe tre anëtarë të tjerë për gjykatën kushtetuese dhe dy për gjykatën e lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›