E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja kthen ankesën e PS-së për marrëveshjen e ujërave



Gjykata Kushtetuese ka kthyer mbrapsht ankesën e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj për marrëveshjen e ndarjes së kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë. Burime zyrtare në Gjykatën Kushtetuese pohojnë se bëhet fjalë për një mungesë serioziteti nga ana e partive, të cilat kanë dorëzuar në gjykatë vetëm një copë letër ku kërkojnë shqyrtimin e marrëveshjes. Sipas burimeve zyrtare, ditën e premte, Gjykata Kushtetuese në mënyrë administrative u ka kërkuar 6 partive politike opozitare që të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar, ndryshe kërkesa nuk merret parasysh. “Zyrtarisht u është kërkuar 6 partive të plotësojnë dokumentacionin e duhur që përbëhet nga statuti i të 6 partive, si dhe certifikatën gjyqësore që vërteton regjistrimin e partisë”, - bënë të ditur burimet.

Gjykata Kushtetuese u ka lënë partive datën 9 nëntor si afatin e fundit për të plotësuar dokumentacionin. Në rast të kundërt, kërkesa nuk merret parasysh dhe gjykata nuk do të nisë asnjë procedurë. Kjo nuk mbetet hallka e vetme, pasi pas datës 9 nëntor, nëse partitë plotësojnë dokumentacionin e kërkuar, gjykata do të kryejë lëvizjet e saj. Gjykata Kushtetuese pasi të vërtetojë kërkesën dhe bazën ligjore të paraqitjes së saj, do të marrë vendimin nëse kërkesa e 6 partive opozita është korrekte me Kushtetutën ose jo.

Kërkesa

Konstitucionalistët kanë pohuar se kërkesa e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj mund të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese vetëm nëse në statutin e tyre shprehet qartë se janë në mbrojtje të sovranitetit të shtetit shqiptar. Në këtë pikë, statutet e partive, të cilat në të shumtën e rasteve janë vetëm formale, ndoshta nuk do ia dalin dot të plotësojnë këtë kusht që kërkohen për fillimin e shqyrtimit të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese. Rruga e vetme do të ishte që një grup deputetësh ta paraqesin atë në gjykatë, por bojkoti i opozitës i ka mbyllur dyert PS-së që të ankimojë këtë marrëveshje.

Një tjetër interpretim mbetet që Gjykata Kushtetuese të mos e marrë në konsideratë kërkesën e PS-së. Referuar nenit 134 të Kushtetutës, pika f, partitë politike dhe shoqatat mund të legjitimohen si subjekte për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por vetëm të çështjeve që lidhen me interesa të tyre. Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj të datës 10 tetor 2007 dhe 25 korrik 2008 ka interpretuar të drejtën e subjekteve, referuar nenit 134 të Kushtetutës për të vënë në lëvizje gjykatën. Në këtë vendim thuhet se "interesi duhet të jetë i drejtpërdrejtë, vetjak dhe i argumentuar". Gjashtë partitë politike vështirë se i legjitimohen gjykatës për rrëzimin e marrëveshjes së ujërave me Greqinë. E vetmja mënyrë e sigurt që kjo marrëveshje të gjykohet në Gjykatën Kushtetuese është 1/5 e deputetëve, 28 deputetë, por kjo gjë do të ndodhe nëse opozita do të ishte në Parlament dhe deputetët do të bënin betimin. Në këtë situatë, kur deputetët e PS-së janë jashtë Kuvendit dhe pa bërë betimin, ata janë thjesht të zgjedhur nga populli, pasi në të kundërtën Kushtetuta nuk do të kishte parashikuar betimin. Mos-hyrja në Parlament ka nxjerr jashtë loje PS-në edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke qenë se pesë partitë e tjera nuk kanë asnjë deputet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›