Vlorë, Idrizi: Do përfaqësojmë shqiptarët kudo në Ballkan
Partia Drejtësi dhe Unitet zhvilloi një takim me qindra qytetarë të Vlorës, ku kreu i saj, deputeti Shpëtim Idrizi, deklaroi se PDU do të përfaqësojë të gjithë shqiptarët kudo në Ballkan. I shoqëruar edhe nga deputeti tjetër i kësaj partie, Dashamir Tahiri, të dy të mandatuar në Vlorë, Idrizi tha më tej se PDU nuk është vetëm përfaqësuese e komunitetit çam në Shqipëri. “PDU është partia më përfaqësuese e komunitetit çam. Por jo vetëm. PDU do të jetë partia e interesit kombëtar, e zgjidhjes së çështjes kombëtare kudo nëpër Ballkan: Në Kosovë ku aspirata kryesore është njohja e pavarësisë, mbushja me lëndë e shtetit më të ri në Evropë. Në Maqedoni ku aspirata kryesore është përparimi i statusit kombëtar të shqiptarëve. PDU do të jetë partia e emigrantëve kudo që janë nëpër botë. Ja pse PDU do të jetë duke filluar nga Vlora, një parti e madhe. Një parti e veçantë. Një parti që lufton njëherësh për drejtësi dhe bashkim!", - tha Idrizi në këtë takim. Kreu i PDU-së parashtroi nismat konkrete që do të ndërmarrë PDU për të zgjidhur çështjet kombëtare, e sidomos çështjen çame, si problemin kryesor më pak të prekur nga diplomacia dhe shteti shqiptar. “Ne do të propozojmë që diplomacia jonë të negociojë pikë së pari amendimin e ligjeve greke të viteve ‘80. Këto ligje lejonin riatdhesimin e gjithë shtetasve grekë të larguar pas Luftës së Dytë botërore, e bllokuan këtë për ata shtetas të vendit fqinjë që janë me kombësi jogreke. Ne do të punojmë për përpunimin e një studimi fizibiliteti nga një studio ndërkombëtare britanike dhe greke e një zgjidhjeje juridike për çështjen çame dhe të pronave të shqiptarëve në Greqi", – shtoi më tej ai. Gjithashtu, Idrizi theksoi se PDU do të kërkojë krijimin e Komitetit Kombëtar të Shqiptarëve Jashtë Vendit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për diasporat shqiptare dhe emigrantët, por edhe si një projekt që do të mbajë gjallë shqiptarizmin jashtë kufijve kombëtarë. Ai vendosi një theks të veçantë në problemet e pronave. "Ne do të bëhemi zëri më serioz, përfaqësues i ish-pronarëve shqiptarë në Shqipëri, Greqi apo kudo qofshin", - tha Idrizi. Në fjalën e tij kreu i PDU-së parashtroi nismat që do të ndërmarrë PDU për të gjitha çështjet kombëtare. Ai tha se PDU do të punojë për unifikimin e gjuhës shqipe dhe mësimin e saj në të gjitha hapësirat ku ekziston qoftë edhe një shqiptar i vetëm. "Është e pafalshme që fëmijët tanë jashtë vendit të mos mësojnë shqip, apo të njohin kulturën shqipe", - tha ai, sikurse paralajmëroi nisma konkrete për krijimin e një Komunuellthi Ekonomik Mbarëshqiptar, si prerogativë e bashkimit kombëtar.