E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës/Aksion në lokale kundër shkelësve të ligjit antiduhan



Në Durrës, duke nisur nga spitalet dhe ambulancat e lagjeve, ka nisur aksioni për zbatimin e ligjit antiduhan dhe ndëshkimin e atyre që e shkelin. Por edhe pse trumbetohet zbatimi i ligjit antiduhan duke u shprehur se “janë lokalet ato që po shkelin këtë ligjin”, një vëzhgim i kryer gjatë ditëve të fundit, të ndesh edhe me probleme të tjera. Gati në të gjitha institucionet bazë mjekësore si spitalet, ambulancat e poliklinikat, ky ligj po shpërfillet dukshëm. Mjafton të shkosh në ambientet e brendshme të spitalit, në urgjencën e tij, në reanimacion e deri në dhomat e të sëmurëve dhe do të konstatosh oxhakët e atyre që e pinë duhanin, duken dhjetëra metra larg dhe që nuk duan t’ia dinë jo vetëm për zbatimin e ligjit, por edhe shëndetin e të sëmurëve. Drejtori i Spitalit Rajonal Durrës, Neritan Myderrizi, u shpreh: “Ndoshta edhe mund të ketë raste të tilla, por janë ngritur grupe pune për verifikimin dhe marrjen e masave parandaluese”. Sipas tij: “Për zbatimin e ligjit antiduhan është zbatuar një rregullore e brendshme e institucionit, u është shpërndarë të gjithë kryeinfermierëve të pavijoneve. Këto ditë kemi pasur kontakte me grupe pune nga Drejtoria e Shëndetit Parësor, nga Inspektorati Sanitar Shëndetësor dhe janë ngritur grupe kontrolli të menjëhershme dhe do të jetë ky grup që do të bëjë zbatimin e ligjit”. Për shoqëruesit e pacientëve që pinë duhan do të merren masa ndëshkuese sipas ligjit dhe të gjitha shkeljet do t’u bëhen të ditura organeve kompetente ligjore. Nga ana e saj, Ministria e Shëndetësisë kërkon bashkëpunimin e të gjithëve për të luftuar pirjen e duhanit në ambientet publike, por duket se ftesa e saj ka gjetur pak përkrahje ose aspak te duhanpirësit, të cilëve vetëm gjoba mund t’u kujtojë ligjin antiduhan. Kjo javë u mbyll me mbi 300 gjoba ndaj lokaleve dhe institucioneve shtetërore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›