E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, ndërkombëtarët: Anëtarët e rinj, jo politik

Ambasadorët flasin për zgjedhje brenda kuadrit kushtetues të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa Meidani propozon emërim me mbi 84 vota

TIRANË - Komuniteti ndërkombëtar në vend, përveç ushtrimit të ndikimit të tij për të zgjidhur krizën politike, ka lëshuar dje edhe apelin për garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor. Në kuadrin e zgjedhjes së gjashtë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, ambasadorët kërkuan që zgjedhja e këtyre anëtarëve të bëhet sipas Kushtetutës dhe jo sipas preferencave politike.

Në një tryezë të organizuar për rolin e Gjykatës Kushtetuese, ku merrnin pjesë ish-presidentë të vendit dhe juristë, ambasadorët theksuan se zgjedhja e anëtarëve brenda kuadrit kushtetues mund të garantojë pavarësinë e gjykatave që kanë peshën në jetën institucionale të Shqipërisë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Xhon Uidhers, theksoi se komuniteti ndërkombëtar pret që zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të bëhet sipas ligjit.

"Ne presim që përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të bëhet sipas ligjit. Kushtetuta duhet të pranohet patjetër sipas parimeve të paanshmërisë vetëm në këtë mënyrë puna e gjykatësve do të jetë nga fillimi në fund ajo e mbrojtjes së të drejtës kushtetuese dhe jo e ndonjë gjëje tjetër", - tha dje Uidhers.

Duke vënë në dukje se zgjedhjet janë pjesë thelbësore e demokracisë, kreu i diplomacisë amerikane nënvizoi se zgjedhjet duhet të zhvillohen në përputhje me institucionet demokratike.

"Zgjedhjet janë pjesë e rëndësishme e një demokracie, ato duhet të zhvillohen me koordinim të plotë me institucionet e mirëqeverisjes, institucioneve demokratike si dhe pavarësisë së një shteti demokratik. Në funksionimin e tyre, institucionet duhet të përballen me Kushtetutën dhe kësisoj edhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës duhet të bëhet sipas ligjit themeltar të shtetit.

Vetëm kështu mund të sigurohet pavarësia e një prej gjykatave më me peshë në demokracinë e një vendi", - u shpreh ai. Nga ana tjetër, kreu i OSBE-së, Robert Bosh, tha se nëse kërkohet që të funksionojë demokracia e vendit, së pari, duhet që të parandalohet politizimi i Gjykatës Kushtetuese.

"E rëndësishme për funksionimin e demokracisë në Shqipëri është që të parandalohet politizimi i cilitdo institucion në vend, në mënyrë të veçantë për institucionet e sistemit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese.

Ky është parimi i demokracisë funksionale që mund të kenë institucionet e pavarura", - theksoi Bosh. Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe ambasadorja e Britanisë së Madhe në Shqipëri, Fiona McIlëham. Sipas saj, emërimet në Gjykatën Kushtetuese duhet të kryhen mbi bazën e integritetit profesional.

"Ruajtja e demokracisë është e rëndësishme në një vend e në këtë drejtim Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm dhe për këtë duhet marrë parasysh integriteti dhe profesionalizmi. Kjo është e rëndësishme për demokracinë por edhe për Bashkimin Europian",- u shpreh ambasadorja. Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë disa herë thirrje politikës shqiptare që të kryejë reformat në sistemin e drejtësisë.

Por, për kalimin e ligjeve që mundësojnë reformimin e këtij sistemi, nevojiten edhe votat e opozitës e cila prej muajsh bojkoton Parlamentin, duke e bërë të pamundur miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar me 3/5.

Për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ish-presidenti i vendit, Rexhep Meidani kërkoi që zgjedhja e tyre të kryhet me miratimin e mazhorancës dhe opozitës me një pëlqim me mbi 84 vota. "Në këtë proces të rifreskimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kërkohet edhe një mendim i ri.

Kështu që, nga ai pëlqim i thjeshtë kushtetues unë do të thosha që të paktën praktikisht të gjendej një pëlqim me mbi 84 vota mbështetje nga deputetët", - tha Meidani. Ndërsa, sipas konstitucionalistit, Luan Omari, Kushtetuta parashikon që zgjedhja e gjyqtarit të bëhet me anë të shumice të thjeshtë të deputetëve. Por, sipas tij, kjo nuk i shkon për shtat rolit të gjyqtarit.

Ai vuri në dukje se zgjidhja më e mirë do të ishte, që emërimi i gjyqtarëve të bëhet me shumicë të cilësuar që të kërkojnë 3/5 e votave. "Fatkeqësisht Kushtetuta ka lënë që zgjedhja e gjyqtarit të bëhet me një shumicë fare të thjeshtë, domethënë me shumicën e deputetëve që janë të pranishëm në Kuvend. Natyrisht që kjo nuk i përgjigjet rolit të gjykatës dhe peshën që ka gjyqtari kushtetues në këtë kontekst.

Zgjidhja definitive do të ishte sigurisht, që në qoftë se bëhen ndryshime kushtetuese të diskutohet edhe mundësia që edhe emërimi i gjyqtarëve të bëhet me shumicë të cilësuar me 3/5", - nënvizoi Omari.

Nga ana tjetër ish-presidenti Alfred Moisiu kërkoi që të tregohet kujdes në raport me Gjykatën Kushtetuese, në të kundërt, sipas tij, ky institucion në vitet e ardhshme mund të pësojë regres. Ndërkaq, më 15 shkurt mbyllet edhe mbledhja e kandidaturave, për të filluar më pas me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, që do të jenë anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese.

************************8

Sipas ish-Presidentit Moisiu, anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë integritet profesional

Moisiu: Anëtarët të mos zgjidhen sipas preferencave politike

TIRANË - Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, thekson se anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të zgjidhen sipas preferencave politike, por sipas integritetit profesional. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Moisiu vë në dukje se shpeshherë në pëlqimet që ka dhënë Kuvendi për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, përzgjedhja e tyre ka marrë edhe konotacione politike.

Për sa u përket vendimeve të dhëna për rrëzimin e paktit detar me Greqinë dhe rrëzimin e ligjit të lustracionit, ish-kreu i shtetit u shpreh se vendimet e Gjykatës kanë qenë të bazuara në Kushtetutën dhe interesat e vendit. Në këtë mënyrë, sipas Moisiut Gjykata Kushtetuese deri më tani ka pasur një zhvillim pozitiv dhe për këtë arsye ky zhvillim duhet të ruhet nga presionet e politikës.

Z. Moisiu, si e gjykoni rolin e Gjykatës Kushtetuese gjatë gjithë këtyre viteve përballë presioneve të politikës?

Gjykata Kushtetuese është një institucion i ri, i cili ka ardhur me ndryshimet demokratike pas viteve '90. Është një nga institucionet që vërtet ka treguar pavarësi dhe ka treguar integritet, i cili ka ardhur në rritje, sepse unë e përmenda që konstitucionalizmi është i rëndësishëm, por integriteti është shumë më i rëndësishëm në këtë rast. Ai i ri që është pjesë e Gjykatës Kushtetuese duhet të mos i bindet asgjëje, përveç Kushtetutës dhe ligjit, interesave të vendit dhe atyre demokratike.

Unë nuk e lidh absolutisht me këto vendimet e fundit që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, por e kemi problemin tek çështja e integritetit sepse klasa jonë politike për fatin tonë të keq, deri më tani ka treguar shumë luhatje, shumë zigzage në zhvillimet e saj dhe në tërësi në mënyrën e sjelljes së saj, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk mund të them se nuk ka bërë gabime, por ajo ka ardhur në rritje.

Shqetësimi im edhe si ish-kryetari i shtetit dhe si qytetar i këtij vendi bashkë me të gjithë të tjerët, është sesi ta ruajmë këtë arritje. Jo vetëm ta ruajmë, por edhe si ta ndihmojmë që kjo të zhvillohet më tej.

Kushtetuta e ka përcaktuar qartë se emërimin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e bën Presidenti dhe pëlqimin e jep Parlamenti. Por, ne nuk mund të rrimë indiferentë, pasi jemi qytetarë të këtij vendi, duhet ta shprehim shqetësimin tonë sesi kjo punë të bëhet më mirë. Këtë shqetësim e shprehën edhe ambasadorët e huaj. Ata nuk erdhën për të qenë dëgjues apo vëzhgues, por për të shprehur rëndësinë që ka kjo çështje.

Si mendoni, cili duhet të jetë mekanizmi i reformimit të Gjykatës Kushtetuese?

Sot problemi nuk është më shumë reformimi sesa është problemi, kur ne jemi në prag të zgjedhjes së gjashtë anëtarëve të rinj. Ajo nëntë anëtarë ka, gjashtë i bie shumica. Këta anëtarë duhet që të mos zgjidhen nisur nga aspekti politik, militantist por të zgjidhen në aspektin profesional dhe integral sepse kjo është tepër e rëndësishme.

Gjykata Kushtetuese gjatë këtyre viteve të fundit, gjatë kohës që kam qenë unë në krye të shtetit edhe në vazhdim ka marrë vendime apo ka abroguar vendime e ligje, qoftë kur në pushtet ka qenë e majta dhe qoftë tani kur në pushtet është e djathta.

Pikërisht, kjo është detyra e saj, që të ruajë integritetin, kushtetueshmërinë dhe të ruajë zhvillimin demokratik të vendit tonë. Është e rëndësishme që të zbatohet parimi "check and balance" (Kontroll dhe ekuilibrim). Pjesa kryesore i takon Presidentit të Republikës, pasi ai i emëron anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Parlamenti jep pëlqimin. Për fat keq, në disa raste dhënia e pëlqimit është konfonduar dhe shpeshherë ka marrë edhe konotacion politik.

Si i gjykoni zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese, ku janë rrëzuar disa vendime siç ishte rasti për paktin detar me Greqinë si dhe ligjin e lustracionit?

Unë thashë që nuk vlerësoj thjesht vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e vlerësoj në tërësi atë. Gjykata Kushtetuese i është kundërvënë çdo lloj vendimi që nuk përputhet me Kushtetutën, qoftë kur në pushtet ka qenë e majta, qoftë edhe tani që është e djathta.

Kjo tregon që ka arritur një nivel pozitiv, të cilin ne duhet ta ruajmë, ta mbështesim dhe ta zhvillojmë më tej. Unë gjykoj që vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të drejta.

Nisur nga këndvështrimi juaj, edhe si ish-president i vendit, a ka ndërhyrje direkte nga politika në vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo në funksionimin e saj?

Këtë nuk mund ta them unë, pasi këtë e di Gjykata Kushtetuese, nëse ka ndërhyrë apo nuk ka ndërhyrë politika. Unë mund të them këtë, që Gjykata Kushtetuese ka krijuar politikën e saj në mbrojtje të Kushtetutës në vazhdimësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›