Reforma në arsim, ikin arsimtarët e tepërt

Ministri Tafaj: Në shkollat shqiptare ka 400 nëndrejtorë më shumë se sa parashikon ligji
Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Nikolla: Mësuesit po i heqin për arsye politike
Një analizë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e realizuar gjatë muajit janar ka konstatuar se shumë arsimtarë në vend janë të tepër në institucionet e arsimit ku punojnë. Këtë rezultat e ka bërë te ditur dje vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë një aktiviteti të organizuar nga British Counsil, mbi përdorimin e teknologjisë informative në shkollat e Shqipërisë. "Në janar, MASH në bashkëpunim me drejtoritë dhe zyrat rajonale bëri një studim të detajuar mbi respektimin e normave mësimore dhe rezultoi që ishin kapacitete të pashfrytëzuara. Kishte nëndrejtorë më shumë se sa norma dhe jo pak, por rreth 400 në shkallë vendi, më shumë se sa parashikojnë aktet nënligjore", tha ministri Tafaj. Sipas kësaj analize të MASH, në shumë shkolla të vendit, mësuesit kishin më pak ngarkesë nga sa parashikon programi mësimor. Dhe në raste të tjera, në shkolla të vogla, kishte më shumë mësues se sa duhej. Kjo deklaratë e Ministrit Tafaj ka ardhur menjëherë pas akuzave të kreut të Kreut të Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla, i cili ka akuzuar MASH për shkurtime të padrejta të vendeve të punës në arsim. "Ky është një shkurtim selektiv, duke larguar nga puna jo me kritere profesionale, por kryesisht ata që mendojnë ndryshe ose ata që ngrenë krye, duke qenë anëtarë të konfederatës", ka akuzuar Nikolla. Sipas tij, ky veprim është një element i dukshëm i krizës ekonomike, e cila ka prekur jo vetëm sektorin privat, por edhe atë publik.
Në fillim të shkurtit, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka nënshkruar me përfaqësuesit e dy sindikatave të arsimit një marrëveshje për kontratën kolektive të punës. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Ministri Myqerem Tafaj, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhafer Dobrushi dhe Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, Bajram Kruja, u zotuan të mbrojnë punonjësit e arsimit. Sipas Ministrit, qëllimi i përbashkët i palëve është që standardet e kontratës të jenë një bazë e mirë për zhvillimin e reformës së sistemit arsimor në të gjitha këndvështrimet. Efektet e para të zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të reflektohen në rritjen e statusit të mësuesit dhe nivelit të kualifikimit të tyre, për të vazhduar më tej tek tërësia e masave që MASH do të ndërmarrë për rritjen e kualifikimit të mësuesve në detyrë, reforma këto që pritet të garantojnë punësim në bazë të meritës. Mbështetur në Ligjin nr. 7961 datë 12.7.1995 dhe Kontratën Kolektive të datës 4 Korrik 2006, afati i kësaj Kontrate Kolektive do të zgjatet deri në nënshkrimin e një kontrate të re, që do të përfshijë ndryshimet, plotësimit dhe përmirësimet që do t'i bëhen Kontratës që është sot në fuqi.
Ministri Myqerem Tafaj
"Në janar, MASH në bashkëpunim me drejtoritë dhe zyrat rajonale bëri një studim të detajuar mbi respektimin e normave mësimore dhe rezultoi që ishin kapacitete të pashfrytëzuara. Kishte nëndrejtorë më shumë se sa norma dhe jo pak, por rreth 400 në shkallë vendi, më shumë se sa parashikojnë aktet nënligjore"
Kryetar i konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla
"Ky është një shkurtim selektiv, duke larguar nga puna jo me kritere profesionale, por kryesisht ata që mendojnë ndryshe ose ata që ngrenë krye, duke qenë anëtarë të konfederatës. Ky është një element i dukshëm i krizës, e cila ka prekur jo vetëm sektorin privat, por edhe sektorin publik".