Kushtetuesja, në maj mbyllet mandati i kryetarit Kristo

Gjykata Kushtetuese pritet që muajt e ardhshëm “të ribëhet nga e para”, pasi përveç zgjedhjes së gjashtë anëtarëve të rinj të saj, do të duhet të zgjedhë edhe kryetarin. Kjo pasi kryetarit aktual, Vladimir Kristos, i skadon mandati i parë në fund të muajit maj, që rastis edhe me skadimin e mandatit të fundit prej gjashtë gjyqtarëve, që do të duhet të rinovohen. Që do të thotë se Presidenti i Republikës, përveç përzgjedhjes së emrave të anëtarëve, do të duhet të mendojë edhe për personin që do ta drejtojë institucionin që interpreton ligjin themeltar të shtetit shqiptar. Një variant mund të jetë dhënia e një mandati të ri për kryetarin aktual të Kushtetueses, Vladimir Kristo, pasi ekziston e drejta e riemërimit brenda mandatit 9-vjeçar të anëtarit të kësaj gjykate. Sipas nenit 125 të Kushtetutës dhe nenit 7 të ligjit për “Organizimin e Gjykatës Kushtetuese”: “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh. Por në zgjedhjen e kreut të këtij institucioni, kreu i shtetit do të duhet të marrë mendimin e të gjithë anëtarëve të tij. Për riemërimin e Kristos, gjithçka do të varet nga anëtarët e rinj që do të emërohen po nga Presidenti i Republikës. Por në fakt, të dyja këto procedura: si e zgjedhjes së anëtarëve, ashtu edhe e kryetarit, do të përfundojnë në duart e mazhorancës në Parlament. Kuvendi i vendos vulën përfundimtare me dhënien e pëlqimit, i cili bëhet me votë të fshehtë dhe me shumicë të thjeshtë, pra 71 vota, të cilat mazhoranca i zotëron lehtësisht. Kreu aktual i Kushtetueses, edhe pse vjen nga ambienti i djathtë afër Partisë Demokratike, sipas të gjitha gjasave nuk i ka marrëdhëniet e mira me lidershipin aktual, pasi ka qenë pjesëtar te gjyqtarët që kanë votuar “pro” rrëzimit të ligjit të dosjeve, i cili ka shërbyer si një nxitës për nisjen e sulmit të mazhorancës ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses. Ndërkaq, një tjetër procedurë në përzgjedhjen e kandidatit për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese bëhet me miratimin e shumicës së anëtarëve të këtij institucioni, që mund të kontrollohet nga gjashtë anëtarët e rinj, të cilët mund të vijnë nga një ambient më i ndryshëm nga i cili janë përzgjedhur anëtarët aktualë. Ky ekuacion paksa i vështirë e fut edhe në një gjendje më dramatike panoramën e institucioneve kushtetuese në vend, e cila prej kohësh është pezull me vendet vakante në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, por edhe tek Avokati i Popullit. Mandati i kryetarit të këtij institucioni prej më se një muaji ka përfunduar. Më 2 prill, Gjykata Kushtetuese mori vendimin edhe formal për mbylljen e mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Kujtim Puto. Në fund të këtij muaji i mbaron mandati anëtarit tjetër të institucionit, përkatësisht ish-kryetarit Fehmi Abdiu. Ndërsa në maj e kanë radhën katër anëtarët e tjerë. Brenda kësaj periudhe, Presidenti i Republikës do të duhet të bëjë emërimet që duhet të çohen në Kuvend për dhënie pëlqimi. Më pas radhën do ta ketë kryetari. Procedura që, edhe pse duken se mund të kryhen shpejt, padyshim do të hapin polemika dhe beteja politike në Parlament, ku prej kohësh ka hyrë si aktor i fortë edhe opozita me 64 deputetët e saj. Tre anëtarëve: Puto, Abdiu dhe Sadushi, të cilët janë edhe më të vjetrit në këtë institucion, u mbaron mandati 12-vjeçar. Të tre ata janë zgjedhur në fillim të vitit 1998, sipas dispozitave të atëhershme kushtetuese për një mandat 12-vjeçar, i cili mbaron pikërisht në fillim të vitit 2010. I pari që do duhet të largohet është Kujtim Puto. Më pas vijnë, Abdiu dhe Sadushi, të cilët janë emëruar dhe betuar në të njëjtën ditë dhe për pasojë u mbaron mandati po në të njëjtën ditë, pra në fund të prillit. Anëtari i katërt që largohet është Admir Thanza, i cili është zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese për një mandat plotësues të vendit të mbetur vakant pas daljes në pension një vit më parë të ish-kryetarit Gjergj Sauli, i cili gjithashtu ishte zgjedhur sipas dispozitave kushtetuese për një mandat 12-vjeçar. Thanza ushtron funksionin e anëtarit të kësaj gjykate, që nga muaji shkurt i vitit 2009. Gjykatën do ta lërë edhe gjyqtari Xhezair Zaganjori, i cili është zgjedhur anëtar në vitin 2003 për një mandat plotësues, të një anëtari të mëparshëm të kësaj gjykate, i zgjedhur edhe ai sipas dispozitave kushtetuese për një mandat 12-vjeçar. I vetmi gjyqtar të cilit i mbaron mandati kushtetues 9-vjeçar është Petrit Plloçi, i cili është zgjedhur anëtar i kësaj gjykate në vitin 2001.
#