E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati plani për pushtimin e Lazaratit

Forcat speciale instalohen në Gjirokastër. Drejtori i policisë: Do të ndërhyjmë

Në Gjirokastër kanë mbërritur tashmë shumë forca speciale të cilat kanë ngritur disa postblloqe, dy prej të cilëve në hyrje dhe në dalje të fshatit Lazarat. Policë të armatosur të forcave speciale kontrollojnë kryesisht natën lëvizjet në autostradën Gjirokastër-Kakavijë.

Drejtori i Policisë së Qarkut, Emri Vata, thotë se të gjitha strukturat janë duke u përgatitur me një seriozitet maksimal për të ndërhyrë në zonën e Lazaratit dhe për të ndërprerë përfundimisht aty kultivimin e hashashit. Gjatë një prononcimi për gazetën “Shqip”, drejtuesi i parë, Emri Vata, është shprehur mjaft i vendosur që për herë të parë të ndërmerren nga policia operacione të kombinuara për të mos lejuar kultivimin dhe trafikimin e marijuanës, sikurse është lejuar gjatë gjithë këtyre viteve të fundit në fshatin Lazarat.

“Jemi të angazhuar maksimalisht për të zbatuar me përpikërinë më të madhe detyrat që burojnë nga plan-veprimi dhe plani strategjik i Ministrisë së Brendshme për të hequr zonën e Gjirokastrës dhe kryesisht zonën problematike të Lazaratit nga harta e kultivimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet ndërhyrjes dhe zhvillimit të operacioneve policore në zonat problematike”, theksoi drejtori i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, drejtues i parë Emri Vata. Sipas tij, policia gjatë muajve të fundit ka intensifikuar operacionet për ndalimin e trafikut në rrjetin e rrugëve nacionale dhe rurale të kësaj zone, por njëkohësisht la të kuptohet se policia është duke u përgatitur për një ndërhyrje të plotë dhe të vendosur në Lazarat. “Policia është e vendosur për të ndërhyrë në çdo moment, me çdo kusht, me çdo çmim dhe në çdo pëllëmbë tokë të territorit të Qarkut të Gjirokastrës dhe të Lazaratit, ku ajo dyshon se kultivohet e trafikohet lëndë narkotike”.

Prioriteti kryesor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për këtë periudhë ka qenë dhe është parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike, si dhe goditja e trafikut të lëndëve narkotike dhe organizimi brenda një muaji i 6 operacioneve të koduar kundër trafikut të lëndëve narkotike; ka bërë të mundur arrestimin e 10 personave dhe sekuestrimin e një sasie rekord prej 1.5 tonë marijuanë. “Qëllimi i operacioneve për të ndërhyrë në zonat e kultivimit është që të parandalohet procesi i mbjelljes që zakonisht bëhet në këtë periudhë, ndonëse nga të dhënat që ka policia në zonën e Lazaratit janë përdorur lloje bimësh narkotike me cikle të shkurtra 2-3 mujore”, tha kryepolici i Qarkut të Gjirokastrës. Pa e nënvleftësuar punën parandaluese që kanë bërë strukturat e policisë në vazhdim, në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor, në Komunën e Lazaratit me komunitetin e banorëve, nxënësit e shkollës së mesme dhe të punësuarit në administratën shtetërore, vazhdoi zoti Vata, nga këtej e tutje do të fillojnë fazën operacionale për të evidentuar parcelat dhe kultivuesit e tyre.

Në një unison me tonet e ashpra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kreu i uniformave blu të Qarkut të Gjirokastrës për herë të parë manifeston një angazhim më të madh për rritjen e forcës goditëse kundër kultivimit dhe trafikut të bimëve narkotike. “Operacionet e policisë së qarkut që pritet të nisin qysh në informacionet e para të fillimit të mbjelljes së marijuanës, do të kenë mbështetjen e plotë e të fuqishme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, dhe operacionet do të jenë të gjitha në bashkëpunim me strukturat qendrore”, theksoi Vata. Sipas tij, mbështetja do të jetë jo vetëm në përdorimin e të gjitha teknikave dhe teknologjive bashkëkohore të vëzhgimit, të përdorimit të mjeteve logjistike moderne, duke filluar nga kamera nate dhe termike, kontroll satelitor, automjete për zonat malore, por me përfshirjen në këto operacione të ekspertëve më të mirë dhe të forcave speciale.

Gjatë analizës së punës së kësaj drejtorie të organizuar një javë më parë, vetë kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi në Gjirokastër se “Komuna Lazarat apo ndonjë komunë a fshat tjetër në çdo cep të vendit, s'do mund ta mbajë peng Shqipërinë për liberalizimin e vizave. Policia e Shtetit ka mbështetjen e plotë të Kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë, qoftë ai Lazarati, apo çdo vend tjetër”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›