E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja rikthen Basheskun

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e ka cilësuar si të pavlefshëm referendumin për rrëzimin e presidentit Trajan Bashesku.

Verdikti e kthen në detyrë Basheskun, i cili u pezullua nga parlamenti më 6 korrik.

Për vendimin e gjykatës, të shpallur të martën kanë votuar 6, kundrejt tre gjykatësve, që kanë qenë kundër.

Koalicioni qeverisës në Rumani, i udhëhequr nga kryeministri Viktor Ponta, në muajin e kaluar u përpoq që ta rrëzojë Basheskun e qendrës së djathtë përmes referendumit të 29 korrikut, i cili dështoi pasi pjesëmarrja e votuesve nuk ishte 50 për qind.

Pothuajse 90 për qind e atyre që kanë votuar mbështetën rrëzimin e Basheskut.

Megjithatë, koalicioni qeverisës kontestoi vërtetësine e regjistrave zgjedhorë dhe detyroi gjykatën e lartë të marrë vendim për vlefshmërinë e referendumit.

Referendumi është përcjellë me raportet për mashtrime të shumta zgjedhore nga autorietet në pushtet.

Bashesku është zgjedhur për një mandat të dytë pesëvjeçar në vitin 2009.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›