Kushtetuesja rrëzon kërkesën për pezullimin e prishjes së Piramidës. Rama: U shemb edhe Kushtetuesja
(E PERDITESUAR)- Gjykata Kushtetuese ka nxituar që të shprehet dje për kërkesën e dytë të Partisë Socialiste që kërkonte anullimin e ligjit që i hap rrugë shembjes së Piramidës. Disa orë pasi palët paraqitën qëndrimet e tyre në seancën gjyqësore të nbajtur sot paradite, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se është rrëzuar pika dy e kërkesës së PS-së që ishte dhe më e rëndësishmja pasi kërkonte pezullimin e ligjit për shembjen e Piramidës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të PS-së Edi Rama, i cili nëpërmjet Twitterit e ka cilësuar këtë vendim si një shprehje e kapjes së drejtësisë deri në majën e piramidës së saj, që është gjykata më e rëndësishme në vend. U shemb edhe Kushtetuesja dhe u ndërtua edhe maja e piramidës së drejtësisë së kapur! shkruan Rama në rrjetin social disa minuta pas publikimit të vendimit të Kushtetueses. Ndërkohë kjo gjykatë mbetet të marrë një vendim të mëvonshëm për pikën 1 të kërkesës që ka të bëjë me shkeljen e rregullave të ndërtimit. Në njoftimin e saj gjykata sqaron se në datën 23.11.2011, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancë plenare me dyer të hapura kërkesën e jo më pak se 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë me objekt:1. Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të neneve 3, 5, 6, 8 të ligjit nr.10449, datë 14.07.2011 Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë; dhe2. Pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës nga Gjykata Kushtetuese.Lidhur me pikën 1 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për tu shprehur më vonë me një vendim përfundimtar të arsyetuar. Lidhur me pikën 2 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit, pasi nuk plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Kërkesën e socialistëve, që është e dyta pas rrëzimit të kërkesë-padisë së Bashkisë së Tiranës, e mbështetën në seancën dëgjimore edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Avokati i PS-së, Genc Çifligu, kërkoi rrëzimin e ligjit me argumentat e mungesës së faturës financiare për ndërtimin e komleksit të ri fiananciar si dhe të përplasjes së kompetencave mes pushtetit vendor e Kuvendit, pasi vendimi për shembjen e Piramidës duhej të ishte marrë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të bashkisë. Ankimimit të 33 deputetëve socialistë i është bashkangjitur në kërkesë edhe shoqëria civile, e cila ka të njëjtin qëllim: mbajten në këmbë të ndërtesës duke synuar të mbrojnë vlerat e saj si monument kulture.