E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton me 72 vota shkurtimin e 160 milionë eurove në buxhet

SHKRUAN: Sabina Veizaj 15-07-2011 11:27

Deputetët e mazhorancës i dhanë 72 vota buxhetit të rishikuar gjatë votimit nen për nen, dje në seancë plenare, pa praninë e opozitës. Sipas buxhetit të rishikuar, shpenzimet do të jenë sa 29.6 % të PBB–së dhe shkurtimet në shpenzimet operative do të jenë në masën 4.5 miliardë lekë, si dhe shkurtime të tjera që përfshijnë dietat e punonjësve të administratës, naftën për lëvizjet me makinat qeveritare, rimbursimin e faturave të energjisë elektrike, etj. Në tërësi shpenzimet e buxhetit të shtetit do të shkurtohen në masën 4.5 %, në krahasim me programin e tyre. Buxheti i rishikuar parashikon që shpenzimet e qeverisë të ulen me 18.4 miliardë lekë, të orientuara nga rënia e të ardhurave në gjysmën e parë të vitit. Ndërsa investimet parashikohen të ulen me 8.6 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, duke iu referuar buxhetit suplementar, edhe fondi prej 500 milionë lekësh, i cili ishte parashikuar për të kompensuar çmimin e energjisë për familjet në nevojë do të hiqet. Kurse, fondi i rritjes së pagave do të ulet me 33 për qind nga buxheti i fillimvitit. Ndërsa fondi për rritjen e pensioneve ulet me 20 për qind. Në këtë mënyrë do të jenë 390.6 miliardë lekë në total shpenzime buxhetore. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Kryetari i Komisionit Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, u shpreh se ndryshimi në total i buxhetit shkon 18,3 miliardë lekë ose rreth 4,5% e buxhetit fillestar. "Logjika që ndjek ndryshimi te pjesa e shpenzimeve është se shikohen të gjithë burimet e mundshme: rezervat, fondet e papërdorura dhe politika të reja që mund të axhustohen. Mbi këtë bazë janë shkurtuar disa fonde, të cilat nuk prekin asnjë politikë aktuale buxhetore", tha Spaho. Sipas tij, ajo që duhet vlerësuar në këto ndryshime është që politika e rritjes së pagave, numri i personelit, politika e rritjes së pensioneve, si edhe politika sociale, jo vetëm që nuk janë prekur, por janë rregulluar me një rritje të arsyeshme, indeksim apo me një rritje reale në përputhje me nivelin e shtresës përkatëse. “Në shpenzimet kapitale është pasur parasysh reduktimi i investimeve të reja, siç janë investimet relativisht administrative dhe jo në sektorët prioritarë. Deficiti buxhetor, mbetet i pandryshuar në nivelin fillestar, prej 46.8 miliardë lekësh ose 3,5 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duke ruajtur dhe objektivin bazë që kemi për ruajtjen e stokut të borxhit në nivelin 60 për qind. Me këtë buxhet, ne arrijmë tek 59.7 për qindëshi", tha demokrati Spaho. Sipas tij, edhe buxheti për qeverisjen vendore është shkurtuar në të njëjtin nivel me atë të qeverisjes qendrore. "Kemi një reduktim të lehtë, rreth 4,3% dhe janë prekur transfertat e pakushtëzuara. Po ashtu është reduktuar nga të ardhurat dhe shpenzimet një shumë prej 2 miliardë lekësh", nënvizoi deputeti demokrat. Në këtë mënyrë, buxheti i rishikuar është miratuar për t’i lënë vendin në ditët në vazhdim diskutimeve për paketën fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›