Kushtetuesja shqyrton ankesën e PD-së për emërimet në gjykata
Eljona Ballhysa
Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së PD-së për interpretimin e dy neneve të Kushtetutës që lidhen me dekretet e Presidentit për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Partia Demokratike përfaqësohej në Gjykatën Kushtetuese nga deputeti Viktor Gumi, ndërsa Kuvendi përfaqësohej nga Lulzim Leçaj, ndërkohë që mungonte përfaqësuesi i Presidencës. Në mungesë, institucioni i Presidentit të Republikës kishte dërguar një letër në mbledhjen e djeshme të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën theksohej se Presidenti i Republikës ka përmbushur vetëm detyrimin e tij kushtetues në dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme, deputeti Gumi kërkoi një program transparent seleksionimi nga Presidenti i Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, duke theksuar se dekreti i Presidentit për këto emërime të jetë i motivuar. Sipas Gumit, kjo kërkesë lind nisur dhe nga situata aktuale e krijuar në Gjykatën Kushtetuese kur brenda një periudhe të shkurtër duhet të zëvendësohen 6 anëtarë, ndërkohë që në ligjin organik të saj thuhet që ripërtëritja me 1/3 bëhet një herë në tre vjet. “Ne dëshirojmë që një praktikë të tillë të mos ia lëmë spontanitetit dhe shqyrtimit që mund të bëjë një shumicë e caktuar apo një president i caktuar. Natyrisht, unë besoj dhe dëshiroj shumë që kjo praktikë, ky vendim i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese, të bëjë ndryshimin e madh, atë të mentalitetit për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ne duhet ta ruajmë, ta prezervojmë pushtetin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ta bëjmë atë mjedis të pabanuar nga ndikimet politike”, - tha Gumi. Pas dëgjimit të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin që pritet t’i japë një zgjidhje përfundimtare përplasjes ndërinstucionale Presidencë-Kuvend dhe kalimin për miratim e dekreteve presidenciale. Për shkak të shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese kanë mbetur të bllokuara në Kuvend 4 dekrete të Presidentit, të cilat, megjithëse janë shqyrtuar nga Komisioni i Ligjeve ende nuk kanë kaluar procesin përfundimtar të votimit në seancë parlamentare.
Kërkesa e PD-së
Pas rrëzimit të shumicës së dekreteve të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, një grup deputetësh të Partisë Demokratike i dërguan pak kohë më parë një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet së cilës kërkonin interpretimin e dy neneve të Kushtetutës për mënyrën e përzgjedhjes dhe dekretimit të kandidatëve për anëtarë në këto dy gjykata. Demokratët kërkojnë përcaktimin e kritereve të sakta për mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve, si dhe përcaktimin e qartë të kompetencave të dy institucioneve që merren me propozimin dhe miratimin e kandidatëve. Pra PD-ja kërkon përcaktim të qartë të kompetencave të Presidentit dhe të rolit të Kuvendit në këtë proces. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, demokratët kërkojnë përkatësisht interpretimin e neneve 125 dhe 136 të Kushtetutës. Sipas PD-së, ligjet organike të gjykatave janë të paplota, gjë që ka sjellë dhe përplasjen institucionale për kandidatët e Presidentit.
Në fillim të kërkesës së tyre demokratët kërkojnë sqarimin fillimisht të kompetencave të Presidentit dhe të Kuvendit. “Ky sistem emërimi, i adaptuar nga Kushtetuta, i vë subjektet që përfshihen në të para kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues, i cili shpreh, në thelb, respektin e ndërsjellë nga secili subjekt ndaj kompetencave të tjetrit, si dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi midis tyre. Në rastin në shqyrtim, ky parim kërkon nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë që në zgjedhjen e çdo gjyqtari të udhëhiqen nga i njëjti objektiv - për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të gjykatave”, - shkruhet në kërkesën e PD-së. Më tej demokratët kërkojnë përcaktimin e kritereve të qarta për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe atyre të Gjykatës Kushtetuese, si dhe ku ndryshojnë këto kritere për secilën gjykatë. “Një prej aspekteve më të rëndësishme në këtë drejtim përfshin kërkesat e kualifikimit për një pozitë në anëtarësinë e Gjykatës së Lartë ose Gjykatës Kushtetuese. Përveç saktësimit të rolit të secilit institucion (Presidentit dhe Kuvendit), në momentet aktuale është e domosdoshme edhe saktësimi procedural në secilin hap që hedhin institucionet, që nga krijimi i vakancës deri në plotësimin e saj sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Udhërrëfyes të tillë proceduralë, sidomos në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave mungojnë dhe pa to ‘përbërja cilësore dhe e përshtatshme e gjykatave’ paraqitet më fizionomi të cunguar”, - shkruhet në kërkesën e PD-së drejtuar Kushtetueses. Më tej deputetët demokratë kërkojnë të saktësojnë se cilët gjyqtarë kanë mandat 9-vjeçar dhe cilët kanë mandat 3-vjeçar në Gjykatën Kushtetuese. “Neni 125, paragrafi 3 i Kushtetutës, përcakton se: ‘Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e anëtarësisë së saj sipas procedurës së parashikuar me ligj’. Një detyrim i tillë kushtetues sanksion se në çdo moment që shihet përbërja e Gjykatës Kushtetuese ajo duhet të reflektojë përtëritje çdo tre vjet me një të tretën e anëtarësisë së saj. Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese, brenda një periudhe disamujore ka ndodhur mbarimi i mandatit të gjashtë gjyqtarëve të saj. Në të tilla kushte lind domosdoshmërisht ballafaqimi i situatës aktuale të këtyre gjashtë mandateve me përcaktimet kushtetuese të përtëritjes çdo tre vjet dhe në një të tretën e përbërjes së saj nëpërmjet një vendimi interpretues përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, - shkruhet në kërkesën e PD-së.
Pyetjet drejtuar Kushtetueses nga PD-ja
1. Si duhet interpretuar neni 125, paragrafi 3 i Kushtetutës në raport me situatën aktuale të procedurës së emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese? Cili është mekanizmi që është i vlefshëm me qëllim të respektohet përcaktimi i nenit 125, paragrafi 3, të Kushtetutës për përtëritjen çdo tre vjet me një të tretën e anëtarësisë?
2. A duhet të jenë të njëjtat kritere për kompozimin e Gjykatës së Lartë me ato të Gjykatës Kushtetuese? Cili duhet të jetë dallimi i kritereve për emërime në këto dy gjykata, nisur nga pozicioni dhe këndvështrimi kushtetues? A ka konflikt kushtetues në rastin e përcaktimit të kritereve të njëjta ligjore për emërimin dhe përbërjen e Gjykatës së Lartë me ato që janë në nenin 125, paragrafi 2, për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese?
A duhet të ketë ndonjë raport në përbërjen e Gjykatës së Lartë, nëpërmjet raportit numerik të përbërjes së saj mes gjyqtarëve që vijnë nga pushteti gjyqësor dhe juristëve që kanë eksperiencë jashtë sistemit gjyqësor? A duhet të jetë karriera vertikale nga Gjykata e Apelit në Gjykatën e Lartë si element fundor i karrierës në gjyqësor, apo duhet të përvijohen edhe linja të tjera kompozimi për kandidaturat që i burojnë nga pushteti gjyqësor?
3. Një kandidaturë që i paraqitet Kuvendit duhet të plotësojë kriterin 10 vjet gjyqtar ditën e dekretimit apo ka hapësira për të lejuar që ditën e dekretimit të mos plotësojë kushtin 10-vjeçar, por datën e shqyrtimit në Kuvend ta plotësojë këtë kërkesë?
4. A mund të shtojë Kuvendi kritere të tjera shtesë për vlerësimin e meritës së zgjedhjes së kandidaturave në fazën e shqyrtimit të këtyre kandidaturave në të?
Nenet për të cilat kërkohet interpretim
Kushtetuta
Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
Neni 136
1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
5. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.
Neni 125
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.
22 Dhjetor 2010