E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama e Braçe në zyrën e Topit për korrupsionin në Drejtësi



Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Erion Braçe, kanë zhvilluar dje një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Mësohet se palët kanë diskutuar për çështje që lidhen me hetimin e zgjedhjeve dhe mungesën e veprimeve nga ana e sistemit të Drejtësisë. Madje kjo bëhet e ditur edhe në njoftimin për shtyp të Presidencës, në të cilin theksohet se Rama e Braçe kanë ndarë me Presidentin shqetësimin për korrupsionin në Drejtësi. Kreu i shtetit, nga ana e tij, i ka garantuar dy politikanët se shqetësimi i tyre do të shqyrtohet me paanësi nga institucionet e Drejtësisë. Takimi midis liderit të opozitës dhe Presidentit të vendit zhvillohet vetëm një ditë pasi Komisioni i Ligjeve refuzoi kërkesën e vazhdueshme të PS-së për ngritjen e një komisioni hetimor për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ky takim vjen pak ditë pasi Prokuroria e Shkodrës mbylli hetimin për një padi të bërë nga Partia Demokristiane duke dalë me rezultatin se nuk ka pasur manipulim të procesit zgjedhor.
Takimi
Burimet kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e Partisë Socialiste i kanë dorëzuar një material konkret Presidentit të Republikës, që lidhet me të gjitha provat që disponon PS-ja për manipulimin e zgjedhjeve dhe për të cilat ka kërkuar mbështetjen e tij që të shqyrtohen me seriozitet nga organet e Drejtësisë. Por kjo nuk bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të Presidencës. “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe deputeti socialist të qarkut të Beratit, Erion Braçe e informuan Presidentin e Republikës rreth një shqetësimi të tyre në fushën e Drejtësisë. Pasi i dëgjoi me vëmendje, kryetari i shtetit dhe njëkohësisht kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i siguroi se institucionet e drejtësisë do të shqyrtojnë çështjen në fjalë me paanshmëri në funksion dhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, - njofton zyra për shtyp e Presidencës.
Hetimi
Opozita ka më shumë se një vit që kërkon hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Kjo ka qenë kërkesa e vazhdueshme e Partisë Socialiste, e cila ka bërë disa propozime në lidhje me këtë çështje. Ndërkaq, Komisioni Parlamentar i Ligjeve vetëm një ditë më parë rrëzoi kërkesën e PS-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. Deputetët e maxhorancës në Komision argumentuan se kërkesa e PS-së nuk ishte e bazuar në Kushtetutë pasi sipas tyre PS-ja nuk e mbështet hetimin në prova, por në dyshimin për manipulim. Duket se kjo ka qenë një nga çështjet e diskutuara mes Ramës dhe Topit.

Topalli, vizitë dyditore në Indi me ftesë të homologes Meira Kumar

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndodhet në Indi për një vizitë dyditore, me ftesë të homologes së saj, Meira Kumar. Kjo është vizita e parë që një kryetar Parlamenti shqiptar zhvillon në Indi dhe vizita e parë e një niveli kaq të lartë në këtë vend. Intensifikimi i marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve, ngritja e grupeve të miqësisë, si ura lidhëse dhe lobuese për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, mbështetur kjo në traditat e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve tona, të cilat kanë një bazë shumë të fortë, siç është Nënë Tereza, pritet të jenë, përveç të tjerash, pjesë e diskutimeve midis delegacioneve.

Gjinushi: “Partia Socialiste të bllokojë reformat në Parlament, që të rrëzojë qeverinë”

Kritika të forta janë lëshuar një ditë pas mbledhjes së Opozitës së Bashkuar nga aleati i Partisë Socialiste, Skënder Gjinushi. Kryetari i social-demokratëve thotë se Partia Socialiste po humbet kohë që prej muajit shtator në kërkesën e saj për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Gjinushit, Partia Socialiste duhet të bllokojë reformat në Parlament për të rrëzuar qeverinë dhe jo të vetafrohet për një pakt tjetër, i cili, tha ai, do të prodhonte sërish zgjedhje të kontestuara. Një ditë më parë, koalicioni “Opozita e bashkuar” zhvilloi një mbledhje, e cila zgjati mbi 2 orë dhe gjatë saj, krerët u shprehën të alarmuar për situatën e krijuar, ndërsa akuzuan maxhorancën se nuk po u qëndron ofertave që ajo vetë ka bërë për hetimin e zgjedhjeve. Sipas zëdhënësit të Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj, e majta tashmë do të vijojë betejën e saj në tre drejtime: në Parlament, me protesta, si edhe kontaktet me faktorin ndërkombëtar për të kërkuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Berisha takon ambasadorin kroat me rastin e përfundimit të detyrës

Kryeministri Berisha priti dje në një takim ambasadorin e Kroacisë, Darko Javorski, me rastin e përfundimit të detyrës të tij në vendin tonë. Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e Javorskit për forcimin e mëtejshëm të miqësisë tradicionale midis dy popujve dhe vendeve, si dhe zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimit të gjithanshëm midis të dy vendeve mike, aleate e partnere në të gjitha fushat. Nga ana e tij, ambasadori Javorski i shprehu kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme të tij dhe të qeverisë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe. Ambasadori vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme që Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë realizuar gjatë këtyre katër viteve të fundit, duke theksuar se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara dhe një progres të admirueshëm pozitiv, në të gjitha fushat, por në veçanti në arritjet historike, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe ecjen përpara drejt integrimit në BE. Në takim, u rikonfirmua vendosmëria e të dy vendeve dhe qeverive, për të zgjeruar dhe thelluar edhe më tej, në të ardhmen miqësinë tradicionale midis të dy popujve, si dhe marrëdhëniet e ngushta të partneritetit aleancës dhe bashkëpunimit frytdhënës, në dobi të të mirës dhe të interesit të ndërsjellë të të dy popujve, si dhe paqes dhe bashkëpunimit në rajon.

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›