E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja thellon konfliktin Topi-PD

29/07/2010 Mazhoranca akuzon rëndë kryetarin e shtetit: Shkeli Kushtetutën

Reagon Presidenca: Svaret gjithçka prej Presidentit, përgjegjës edhe Kuvendi

Thellohen konfliktet politike mes Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe mazhorancës qeverisëse. Kjo e fundit e ka kufizuara kreun e shtetit për shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë lidhur me mosrespektimin e afateve për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, në një kohë që kreut aktual i ka përfunduar mandatit disa muaj më parë.

Akuza

“Në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë: kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën e Republikës duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, emërim që duhej të ishte bërë që prej datës 4 qershor 2010. Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedentë në gjithë historinë e Shtetit shqiptar”, - tha deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi gjatë një konference për mediet. Duke përmendur Kushtetutën, nenin 125 të saj, dhe rastin e dorëheqjes së Fehmi Abdiut ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe emërimin e Vladimir Kristos, deputeti i PD-së tha se këto të dyja akuzojnë rëndë Presidentin e Republikës për një shkelje të paprecedent të tyre. “Në emër të Komisionit të Ligjeve dhe në emër të Kushtetutës i kërkoj Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht kërkoj thirrjen urgjente të Parlamentit për të bërë emërimin e tij”, - përfundoi Halimi. Reagimi i mazhorancës ka marrë përgjigje të menjëhershme nga Presidenca.

Kundërpërgjigja

Këshilltari juridik i Presidentit të Republikës, Spiro Peçi, ka nënvizuar se deklarata është e frymëzuar politikisht, me qëllim që të spostohet vëmendja nga problemet mjaft të rëndësishme që ka sot politika shqiptare. Ai renditi përpjekjet e Presidentit të Republikës për të zgjedhur kreun e Kushtetueses si dhe arsyet e dështimit të tyre, duke përfshirë zvarritjen e Kuvendit, por garantoi për plotësimin e këtij institucioni edhe me kryetar në fillim të muajit shtator. “Pengesë ka qenë edhe burokracia, zgjatja, mënyra e procedimit nga vetë Kuvendi i Shqipërisë në miratimin e kandidaturave që janë paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Unë ju garantoj vetëm për një gjë: që me fillimin e sesionit pranë Parlamentit shqiptar do të jenë dekretet përkatëse për të plotësuar jo vetëm vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, por dhe kryetarin e kësaj gjykate”, - tha këshilltari Peçi gjatë një konference për shtyp pasditen e djeshme. Procesi përzgjedhës i kandidatëve, zgjedhja e dy partive kryesore mes tyre dhe vullneti i atyre që Presidenti mendon se mund të jenë kandidatë për tu emëruar kryetar të Gjykatës Kushtetuese ishin të tjera përpjekje të kreut të shtetit. Peçi përmendi refuzimin nga Vladimir Kristo për të rikandiduar si kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht të gjithave, juristi shpjegon se veprimtaria e gjykatës nuk është e bllokuar. “Qenia apo jo e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese me mandat apo pa mandat nuk pengon veprimtarinë gjyqësore të kësaj gjykate. Kryetari i Gjykatës është i barabartë si gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës në procesin gjyqësor dhe në vendimmarrjen e kësaj gjykate”, - përfundoi ai.

Neni 125

1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.

3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.

4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit për një periudhë prej 3 vjetësh.

5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.

Presidenti Topi

Presidenti i Republikës dy ditë më parë ka sqaruar se ligjërisht kryetari aktual i gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, mund të ushtrojë funksionet e tij. Ai ka deklaruar menjëherë pas takimit me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu në përgjigje të interesit të medies se në shtator do ti propozojë Kuvendit emrin e ri për kryetar të Kushtetueses. “Sigurisht që unë jam i kujdesshëm në të gjitha procedurat. Besoj se, kur bëni pyetjen, duhet ta dini edhe rregullimin ligjor e Kushtetues. Asgjë nuk e pengon kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë detyrimet e tij, por besoj se fillimi i sesionit të ri parlamentar do të sjellë edhe emra të rinj, që nuk kanë të bëjnë vetëm me kryetarin, por dhe me anëtarë të tjerë që janë të detyruar për të plotësojnë vendet vakante”, - tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›