E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS vetëm pesë ditë pushime për deputetët e saj

29/07/2010 Mbyllja e sesionit parlamentar, kupola rozë kushtëzon zyrtarët

Deputetët e Partisë Socialiste nuk do të pushojnë gjatë verën e këtij viti. Në një interval prej gati një jave dhe përmes një kalendari të përcaktuar paraprakisht nga lidershipi socialist, ligjvënësit e kësaj partie do të jenë të kushtëzuar në pushimet e tyre verore. Kështu, mësohet se kupola rozë ka vendosur që duke nisur nga fillimi i muajit të ardhshëm, të ndarë në grupe dhe brenda një intervali kohor prej pesë deri më shtatë ditë, deputetët të nisin pushimet për sesionin veror. Pra, është menduar që socialistët ti lënë stafetën njëri-tjetrit sipas renditjes dhe grupimeve që janë përcaktuar më herët nga drejtuesit e kësaj partie. Aplikimi i kësaj skeme konsiston pikërisht në performancën e kampit opozitar gjatë muajit këtij muaji të nxehtë të verës. Duke dashur që të bëjë një oponencë të fortë ndaj qeverisjes aktuale, kampi rozë ka vendosur që daljet publike nga kjo seli të jenë të përditshme, për më tepër duke trajtuar çështje të ndryshme. Kësisoj, parë në këtë këndvështrim, prezenca e një numri të konsiderueshëm deputetësh në ambientet e Partisë Socialiste në qendër është e domosdoshme. Ndërkohë krahas ndarjeve të grupeve me deputetët që do të ikin dhe të atyre që kthehen nga pushimet e verës, kupola rozë ka përcaktuar dhe çështjet kryesore në të cilat do të jetë e përqendruar oponenca ndaj shumicës në pushtet. Për deputetët e PS-së ky është vitit i dytë radhazi që ata janë të kushtëzuar në pushimet e sesionit veror. Kujtojmë këtu se dhe vitin e kaluar lidershipi socialist detyroi zyrtarët e selisë rozë të shfrytëzojnë vetëm pak ditë pushime. Sipas urdhrit, ata patën rreth 1/3 e pushimeve që ka një nëpunës i administratës shtetërore. Përfaqësuesit e lartë të PS-së patën mundësi të pushojnë vetëm 10 ditë, për tu kthyer më pas në angazhimet e përditshme të partisë. Ky urdhër u dha për shkak të zhvillimeve brenda kësaj partie, kjo e shkaktuar nga humbja e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ndarjet në grupime “pro” dhe “kundër” kryetarit aktual të PS-së bënë të detyrueshme një disiplinë të mirideuar nga Rama. Për pasojë, veç hartimit të një strategjie të qartë për hapat që do të hidhte kampi rozë në kundërvënien ndaj kampit blu, i akuzuar nga socialistët për manipulim të zgjedhjeve të 28 qershorit, lidershipi socialist duhej të ishte i kujdesshëm edhe në qëndrimet që duhej të mbaheshin ndaj mendimit ndryshe në parti. Kjo u pa qartë dhe në hapat e ndjekur në vijim nga drejtuesit e kësaj partie.

Sezoni veror

Ka qenë viti 2008 kur Partia Socialiste vendosi të pushojë gjatë. Në ndryshim nga vitet e tjera, që pas marrjes së drejtimit të partisë nga Edi Rama, drejtuesit e lartë socialistë kanë përfituar nga mundësia për të bërë pushime të gjata. Pas marrjes së sezonit të pushimeve me mbarimin e sesionit parlamentar, thuajse të gjithë deputetët socialistë patën nisur pushimet e tyre. Gjatë dy vjetve të shkuar socialistët kanë përdorur një tjetër skemë për zhvillimin e pushimeve. Ndonëse kanë marrë nga disa ditë pushim gjatë muajit gusht, deputetët dhe drejtuesit socialistë kanë përdorur një kalendar të veçantë për pushimet dhe daljet publike. Sipas kësaj skeme, secili nga drejtuesit e lartë socialistë ka qenë aktiv në selinë rozë me konferenca dhe aktivitete të tjera politike, duke mos iu përkushtuar shumë pushimeve verore.

Ilir Beqja

Partia Socialiste akuzoi si gënjeshtar kryeministrin Berisha lidhur me situatën reale të ekonomisë dhe të rishikimit të buxhetit. Deputeti i PS-së Ilir Beqja gjatë një deklarate për shtyp vlerësoi se “në 6 mujorin e parë 2009 administrata tatimore ka shënuar rekordet më të këqija në 10 vjetët e fundit. Jo vetëm që ka krijuar një deficit prej 77 milionë dollarë, por ka mbledhur 32 milionë dollarë më pak se në vitin 2009. Kjo është një tjetër dëshmi se vendi është në krizë dhe se arsyeja kryesore e kësaj krize është korrupsioni në administrimin fiskal”. Beqja shtoi se “frika nga këto të vërteta i detyruan Berishën, Topallin dhe Boden të mbyllin në mënyrë të turpshme votimin e buxhetit ditën e hënë. Frika nga këto të vërteta e detyruan Berishën të flasë përçart edhe para 20 minutash”.

Arta Dade

Deputetja e PS-së Arta Dade kërkoi nga prokuroria të tregojë se nuk është nën kthetrat e kryeministrit Berisha. “Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar në 20 vjet tranzicion. Sali Berisha ka instaluar kulturën e pandëshkueshmërisë, listës së ministrave të korruptuar të qeverisë së mëparshme iu shtuan dhe ministrat e koalicionit. Rasti tronditës korruptiv i ministrit të Ekonomisë vërteton katërçipërisht se ky koalicion është krijuar vetëm mbi interesa okulte, korruptive”, - vlerësoi Dade, duke shtuar se “organet e drejtësisë, që në raste të ngjashme fatkeqësisht mund të kenë qenë të dominuara nga politika, duhet të veprojnë në zbatim të ligjit dhe të bëjnë drejtësi për këto afera korruptive, që kanë vënë në rrezik demokracinë dhe kanë zhytur në varfëri të skajshme shumicën e shqiptarëve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›