E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta, liria dhe këshilla e Rusoit

Fundi i shekullit të 18-të solli tri dokumente të rëndësishme: Kushtetutën amerikane (17 Nëntor 1787); e dyta në botë dhe e para në Evropë ishte Kushtetuta polake më 3 Maj 1791; e që i parapriu me disa muaj Kushtetutës franceze në shtator. Në qoftë se për Kushtetutën amerikane dhe atë franceze është shkruar shumë, për atë polake publiku ynë di shumë pak, për të mos thënë fare. Pikërisht, për të treguar madhështinë e këtij kombi, në përpjekjet për t‘u organizuar si shtet, le të ndalemi në përmbajtjen e këtij dokumenti, i cili, ashtu si edhe dy dokumentet e tjera, ishin fryt i aspiratave të iluminizmit, i partizanëve të lirisë së kombeve dhe i njeriut, i "miqve të njerëzimit", siç e përcaktonin ata veten.

Kushtetuta amerikane doli nga zjarri i luftës për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar, ajo franceze nga Revolucioni, ndërsa ajo polake ishte fryt i ndryshimeve jo të përgjakshme, për të siguruar pavarësinë e shtetit dhe sovranitetin e kombit, ndryshime që favorizonin zhvillimin e vendit, kusht për ruajtjen e lirisë.

Përballë rrezikut të anarkisë, arbitraritetit, ndërhyrjes së fuqive të huaja, në gjysmën e parë të shekullit të 18-të, njerëzit e ditur të këtij kombi kërkuan reforma. Përpjekje për ta nxjerrë vendin nga rënia kishin filluar që me mbretërimin e Stanislas August Poniatovski. Edhe pse zgjedhja e tij u bë nën prezencën e ushtrisë ruse, mbreti i ri, i preferuari i vjetër i careshës ruse, Katerina e Dytë, u përpoq për një rilindje kulturore, ekonomike dhe ushtarake të shtetit polak dhe në transformimin e marrëdhënieve të vasalitetit me Rusinë, në marrëdhënie partnerësh. Megjithatë, ndërhyrja e Rusisë dhe qëndrimet negative ndaj mbretit, nga ana e manjatëve dhe fisnikërisë konservatore, që nuk i donin reformat, shpunë në krijimin e një konfederate, konfederata e Barit. "Është e sigurt, - shkruante Rusoi në veprën Qeveria e Polonisë, - se konfederata e Barit e shpëtoi atdheun në agoni. Kjo epokë e madhe duhet skalitur me karaktere të shenjta në të gjitha zemrat polake". Fisnikëria luftonte me parullat e mbrojtjes së besimit e të pavarësisë, si dhe të përmbysjes së mbretit dhe të reformave. Kjo konfederatë ra me ndarjen e parë të Polonisë, në 1772-shin, ndërmjet Rusisë, Prusisë dhe Austrisë. Parlamenti i ndarjes (1773 - 1775), që e aprovoi këtë ndarje, mbante ende të pandryshuara bazat institucionale të republikës. Ky parlament (Dieta) e kufizonte akoma më shumë pushtetin e mbretit, por me iniciativën e tij u krijua Komisioni i Edukimit Nacional, një nga ministritë e para të edukimit në Evropë, me një rol shumë të madh në arsimimin e kombit polak.

Sigurisht, tronditja nga kjo ndarje e parë për shtresën e gjerë të fisnikërisë, nxori nevojën për ndërmarrjen e reformave për të shpëtuar shtetin. Filloi menjëherë një rigjallërim i jetës politike, që u pa në botimin e opinioneve dhe polemikave mbi problemet aktuale dhe të ardhmen e vendit. Në jetën publike dolën gjenerata të frymëzuara nga iluminizmi. Ky proces favorizohej edhe nga rrethanat ndërkombëtare, që e pengonin ndërhyrjen ruse në problemet polake. Tashmë ata mund të vendosnin vetë për problemet e tyre.

Në këto rrethana shfaqet, në historinë politike polake, Dieta katërvjeçare, në një ambient patriotik dhe antirus. Brenda saj dallohej një mazhorancë kundër mbretit, por e ndarë në dy grupe: njëri që mbronte sistemin e vjetër dhe tjetri që kërkonte reforma, ku binte në sy Hugo Kollotaj, edhe pse jashtë Dietës. Ai kishte grumbulluar rreth vetes një grup shkrimtarësh, juristësh dhe mendimtarësh, që ishin për reforma të thella. Malashovski, që u zgjodh president i Dietës, ishte partizan i reformave. Pa u ndalur në zgjidhjen që u dha problemeve të mprehta të kohës, ne na intereson dokumenti më i rëndësishëm i saj, Kushtetuta.

Në fillim të vitit 1791 u përshpejtua puna për projektin e ardhshëm të Kushtetutës, që kishte për autorë Injac Potocki dhe Hugo Kollotaj. Në fillim u procedua me reformën e qyteteve, të cilat kërkonin njohjen e të drejtave të tyre. Borgjezia e qyteteve organizoi një lëvizje politike nacionale, e mbështetur edhe nga një pjesë e fisnikërisë reformatore dhe kishin si këshilltar kryesor Kollotajn. Ndër mbështetësit ishte edhe Stanislas August. Në prill të 1791, Dieta aprovoi ligjin mbi qytetet mbretërore, të njohura si pjesë integrante e Kushtetutës së 3 Majit 1791. Qytetet fituan një autonomi më të madhe dhe borgjezia fitoi të drejtat e privilegjet që e afronin me fisnikërinë. Por, ata nuk morën pjesë në pushtet; atyre iu refuzua zgjedhja e deputetëve në Dietë. Ata kishin vetëm të drejtën për të paraqitur kërkesat e tyre në Dietë. Ligji mbi qytetet e përmirësonte shumë situatën e tyre dhe i hapte rrugën zhvillimit të qyteteve dhe të ekonomisë, duke ndikuar në një transformim social e politik më të avancuar.

Gjatë kësaj kohe, liderët e partive patriotike përpiqeshin të fitonin mbështetjen e shoqërisë. Filloi një fushatë propagande në favor të reformës, ku një rol të rëndësishëm luajtën klubet politike që u formuan në këtë periudhë. Më i rëndësishmi ishte Klubi Radziwill në Varshavë, që përbëhej në shumicë nga deputetë dhe senatorë, të cilët debatonin projektin e Kushtetutës para paraqitjes në Parlament.

Projekti i Formës Kushtetuese (ky ishte emri zyrtar i Kushtetutës), u aprovua më 3 Maj 1791. Kjo Kushtetutë shënon vendosjen e një regjimi të monarkisë kushtetuese, që hoqi zgjedhjen e mbretit dhe vendosjen e trashëgimisë së fronit, krijoi një qeveri të quajtur Gardiane e Ligjeve, të drejtuar nga mbreti dhe vendosi përgjegjësinë e ministrave përpara Dietës. Ajo pranonte fenë katolike si dominuese dhe siguronte tolerancën përballë besimeve të tjera. Ajo mbante pozicionin e privilegjuar të fisnikërisë, duke i dhënë, në të njëjtën kohë, të drejta të rëndësishme borgjezisë. Ndërsa fshatarëve u siguronte në mënyrë deklarative mbrojtjen e të drejtave dhe qeverisjen kombëtare, por që hapte mundësi të mëdha zhvillimi në të ardhmen. Për herë të parë në Poloni, fshatarësia u njoh si një pjesë e kombit, gjë që u sanksionua në një nen të veçantë, si dhe në një nen mbi ushtrinë. Një risi ishte futja në Formën Kushtetuese të një dispozite, që e bënte të detyrueshme rishikimin e saj çdo 25 vjet. 4 Maji u shpall festë zyrtare. Aprovimi i Kushtetutës nuk shënonte fundin e reformave, por shënonte një etapë të rëndësishme në fushën e reformave. Nisur nga ekzistenca e tre rendeve dhe pasojat e konflikteve ndërmjet tyre, që sipas fjalëve të Rusoit "fisnikët janë gjithçka, borgjezët, që nuk janë asgjë; dhe fshatarët që janë më pak se asgjë", kjo Kushtetutë vinte bazat e shtetit dhe synonte të shmangte anarkinë.

Kushtetuta e 3 Majit u aprovua me entuziazëm dhe nga tërë vendi. Botimet e shumta të saj dëshmojnë për interesimin e madh për përmbajtjen e saj. Që në vitin e parë pati 14 botime me një tirazh prej 30 000 kopjesh. Po kështu, reagimet e një numri të madh oborresh mbretërore evropiane ishte favorizues dhe opinioni publik i shumë vendeve, si në Angli kishte një admirim për natyrën paqësore të revolucionit polak në dallim nga ngjarjet e përgjakshme në Francë. Pati edhe shumë përkthime në Evropë. Përkthimi francez i Kushtetutës u botua në revista dhe pati një botim të veçantë që më 1791. U botua në formë broshure edhe në anglisht dhe gjermanisht.

Kjo i mbushi polakët me optimizëm për të vazhduar përforcimin e sistemit të tyre politik, duke aprovuar ligje të tjera të domosdoshme, për të plotësuar tërësinë e ndryshimeve. Punimet e Dietës dhe përpjekjet e mbretit e kryetarëve të partive demokratike gjetën mbështetje në Asamblenë e Miqve të Kushtetutës Qeverisëse - partia e parë politike moderne polake, e pajisur me statut dhe parime organizative. Kjo Asamble, që u formua në mes të majit 1791, funksionoi një vit.

Mirëpo, situata ndërkombëtare, jo e favorshme për Poloninë, nuk i la perspektivë reformës dhe konsolidimit të shtetit polak. Pas traktatit të Jashit me Turqinë, Rusia, duke përfituar nga akti tradhtar i disa polakëve si Françisek Branicki, shpallën aktin Targovica për konfederatë me Rusinë, që u përfundua në Shën Petërburg. Më 18 maj 1792, ushtritë ruse kapërcyen kufijtë e Republikës Polake pa shpallur luftë. Polonia ishte ende shumë e dobët për të përballur forcën ushtarake ruse. Katerina e Dytë kërkoi kapitullimin pa kushte, por një sukses taktik i ushtrisë polake në Dubienka, e ndali përparimin e ushtrisë ruse. Më 1793, Rusia dhe Prusia realizuan ndarjen e dytë të Polonisë. "Polonia, shkruante Rusoi, ishte nën hekurat e Rusisë, por polakët kanë mbetur të lirë. Shembull i madh që na tregon se si ne duhet ta përballojmë me trimëri fuqinë dhe ambicien e fqinjëve tanë". Sigurisht, polakët nuk u pajtuan me këtë ndarje dhe u hodhën në kryengritje si ajo e vitit 1794. Pas dështimit të kësaj kryengritjeje dhe ndarjes së tretë të Polonisë më 1795-ën, që shënon rënien e shtetit polak, tradita, legjenda dhe miti i Kushtetutës nuk do të shuhen. Ajo mbante gjallë ndërgjegjen nacionale, duke e ndihmuar kombin e ndarë ndërmjet tri fuqive të mëdha të kohës, për të përballur stuhitë e kohës së trazuar evropiane për mbi një shekull.

Pas Luftës II Botërore, shoqëria polake iu kundërvu edhe pushtetit komunist në përpjekjet e tij për ta zbehur rëndësinë e Kushtetutës së 3 Majit 1791 me ditën e 1 Majit. "Solidarnosti" e përkujtoi këtë ditë, pas rënies së regjimit totalitar, përmes zgjedhjeve të vitit 1989. Dieta e Republikës Polake, me propozim të senatit, rivendosi, më 6 prill 1990, festën nacionale të 3 Majit.

Historia e Polonisë dëshmon dëshirën dhe përpjekjet e mëdha për lirinë. Si bashkëvuajtës të natës totalitare, ne kujtojmë kohën kur ndiqnim me shqetësim rezistencën polake kundër diktaturës komuniste. Ata provuan atë që thoshte me kohë Rusoi: "Ju e doni lirinë, ju jeni të denjë për të, ju e keni mbrojtur kundër një agresori të fuqishëm dhe dinak që, duke dështuar t‘ju tregonte lidhjet e miqësisë, ju ngarkonte me zinxhirët e skllavërisë. Tani, të lodhur nga turbullirat e atdheut tuaj, ju psherëtini pas qetësisë. Unë e besoj fort të lehtë për ta mbajtur; por për ta ruajtur lirinë, më duket e vështirë. Është në gjirin e kësaj anarkie që është e përbuzur për ju, ku janë formuar këta shpirtra patriotikë që ju kanë garantuar nga shtypja. Këto shpirtra flinin në një gjumë letargjik; stuhia i ka zgjuar. Pasi i thyen zinxhirët e fatit, ata ndjenë peshën e lodhjes. Ata do të donin ta lidhnin paqen e despotizmit me butësinë e lirisë. Kam frikë se duan gjëra kontradiktore. Pushimi dhe liria më duken gjëra kontradiktore: duhet zgjedhur". Sigurisht, që polakët kurdoherë kanë zgjedhur lirinë, por liria është shumë e vështirë për t‘u realizuar. Liria nuk ka vlerë vetëm ta shpallësh atë, por duhet ta mbrosh dhe ta bësh jetëgjatë, duke e rregulluar përmes ligjeve dhe institucioneve.

Ne, që kemi shumë ngjashmëri në përpjekjet për të fituar lirinë, duhet të mos harrojmë atë që këshilloi dikur Rusoi, i frymëzuar nga shembulli i mrekullueshëm i historisë suaj. "Liria është një ushqim me shumë lëng, por me një tretje të fortë; duhen stomakë shumë të shëndetshëm për ta përballuar… Liri e shenjtë dhe krenare! Në qoftë se këta njerëz të shkretë do të mund të të njihnin, në qoftë se ata do e dinin se me çfarë çmimi të fitojnë dhe të ruajnë; në qoftë se ata do e ndienin se ligjet e tua janë shumë më të forta nga ç‘është dhuna e egër e tiranëve, shpirtrat e tyre të dobët, skllevër të pasioneve që duhen ndrydhur, do të ta kenë frikën njëqind herë më shumë se skllavërisë; ata do t‘i largohen me tmerr asaj si një barrë gati për ta flakur".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›