E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idiosinkrazia e politikes se vjeter

A ka një politikë të vjetër në Shqipëri? Absolutisht po. Kjo politikë ka tiparet e veta idiosinkratike, të cilat vetëm të verbërit nuk dinë t‘i dallojnë. Ne vëzhguesit e politikës kemi bërë herë pas here theksimin e denoncimin e politikës së vjetër (po i qëndroj termit "politikë e vjetër", jo ngaqë më duket i gjetur dhe i stilizuar, por ngaqë është tanimë një term familjar për këdo. Me këtë rast duhet thënë, se Edi Rama nuk e ka nga vetja këtë gjetje. Duhet ta ketë huazuar nga konservatorët anglezë të David Cameron-it, të cilët flasin prej kohësh me përçmim për të ashtuquajturën "old politics"), por në gjithë këtë histori kemi humbur kohë më tepër se sa duhet duke u marrë më së pari e më së shumti, jo me këto tipare idiosinkratike, por me show-n e ditës, me personazhet që vërtiten në skenën politike, me batutat e tyre të ngjyrosura herë me gjuhë të fortësh, herë me gjuhë mejhanesh, me kacafytjet e flirt-et e tyre për pakëz pushtet e me diagramën humane të personalitetit të tyre.

Afërmendsh, edhe kjo punë duhet bërë (të flasësh për diagramën humane të personaliteteve të rëndësishëm të jetës publike e politike është, jo vetëm e udhës, por dhe e domosdoshme), por duke u ndjellë e tërhequr prej folklorit të ditës, ne na ka ikur nga sytë thelbi i gjërave. Dhe është pikërisht kjo që duhet të na bëjë të flasim, jo vetëm për politikë të vjetër, por për një establishment të tërë politiko-mediatiko-ekonomiko-kulturor të vjetëruar.

Por është më mirë të mos e hapim lojën. Le të mbetemi tek politika, e cila ka të përbashkët me establishment-in jo politik të vendit fuqinë kushtëzuese e funksionet drejtuese, por ka të veçantë funksionet vendimmarrëse e përkohshmërinë në këto funksione, gjë që rregullohet nga rregullat e lojës politike e të garës elektorale. Duhet thënë pra që, në ndryshim nga establishment-i drejtues politik, establishment-i drejtues jo politik është ai që është, e as mund të ndërrohet, as mund të japë llogari përpara ndokujt, as mund t‘i nënshtrohet ndonjë gare, ku suksesi të matet domosdoshmërisht me numrin e fans-ave.

Tipari i parë idiosinkratik i politikës së vjetër del prej asaj që u tha më sipër: politika shqiptare e tetëmbëdhjetë viteve të fundit nuk ka ditur asnjëherë të kapet e të jepet pas përparësish që e kanë burimin tek shqetësime të mëdha kolektive, shtetërore e kombëtare. Përkundrazi, ajo është motivuar në të gjitha veprimet e lëvizjet e saj prej gjakimit për pushtet. Për ilustrim, le të mbetemi në ditët e sotme, kur vendi është zhytur në një varfëri të skajshme, kur bota e sipërmarrjes po heq shumë për t‘u mbajtur më këmbë, kur sektori i shërbimeve publike është në pikë të hallit (kujtoni problemet e fundit që kanë dalë në qëndrën spitalore ‘Nënë Tereza‘), kur inflacioni po bëhet me krahë për shkak të rritjes së çmimeve (duhet thënë, se rritja e çmimeve nuk është një dukuri shqiptare), kur korrupsioni ka marrë përmasa gjëmëzeza, kur administrata publike është shndërruar tërësisht në një vegël të pushtetit, kur gjendja e financave publike po përkeqësohet, kur tragjedia e Gërdecit kërkon fajtorë, etj, etj. Pikërisht në këto rrethana pra, kryeministri i vendit dhe një udhëheqës i rëndësishëm i opozitës (Ilir Meta) dolën parmbrëmë në një debat televiziv për të folur - për çfarë? Për ndonjërën prej këtyre shqetësimeve? As që bëhet fjalë. Vetëm sa i cekën në mënyrë folklorike e mendjelehtë këto probleme - për gjithçka tjetër. Pikërisht në këto rrethana, udhëheqësi më i rëndësishëm i opozitës (Edi Rama) gjen arsye për t‘u marrë vesh me kryeministrin lidhur me ca ndërhyrje e ndryshime kushtetuese, për nevojën e të cilave nuk kish folur askush asnjëherë. Dhe menjëherë pas kësaj, e gjithë makina mass-mediatike, rrjedhimisht i gjithë opinioni publik, zë e jeton "pa dashje" me shqetësime të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me shqetësimet reale të shoqërisë. Ja pra, kjo është politika e vjetër. Ajo nuk motivohet nga shqetësimet e mëdha të shoqërisë; përkundrazi, ajo motivohet nga gjakimi për të qëndruar në pushtet sa më gjatë apo për të ardhur në pushtet sa më shpejt.

E ka kuptuar këtë promotorri i politikës së re, alias Edi Rama? Aspak. Po ta kishte kuptuar, do ta kish mobilizuar grupin e vet parlamentar për të bërë opozitë në parlament, e jo për të votuar ca ndryshime kushtetuese, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër, veçse kalcifikojnë komandën e kontrollin e Berishës mbi maxhorancën deri në zgjedhjet e ardhshme. Pse e ka bërë? Sepse shpreson e beson që mund të vijë shumë shpejt në pushtet, e rrjedhimisht, këtë komandë e këtë kontroll mbi maxhorancën do ta ketë edhe ai vetë. Dhe këto ndërhyrje kushtetuese të bëra me synimin më egoist të mundshëm kanë kurajon të na i quajnë reforma të mëdha. Kemi të bëjmë me një përpjekje hëm groteske, hëm të rrezikshme për të konfonduar të mirën individuale të politikanëve mujsharë me të mirën publike.

Ky tipar idiosinkratik i politikës së vjetër, ka dhe një përthyerje tjetër. Është fjala për retorikën e boshatisur nga çdo përmbajtje. Është fjala për përpjekjet për t‘u imponuar me formën, me stilin, me manierat, me karizmën, me ligjërimin plot harlisje metaforike, ku mungojnë dramatikisht propozimet, ofertat, projektet e programet qeverisëse. Edi Rama pra po mjaftohet thjesht e vetëm me rravgimin nëpër Shqipëri (të kuptohemi, edhe në rastin më të keq, ky rravgim është një praktikë e mirë dhe e lavdërueshme), me adoptimin e një gjuhe e të komunikimi të ri në marrëdhëniet me publikun e me palën kundërshtare (edhe kjo padiskutim përbën një risi për t‘u përshëndetur), por kjo afërmendsh nuk është mjaft për të kandisur të tjerët mbi një politikë të re.

Një politikë e re - po kthehem prapë tek idea themelore, së cilës i mëshova qysh në krye - nuk ka asnjë kuptim nëse nuk përpiqet t‘u japë përgjigje sfidave të mëdha të Shqipërisë e shqetësimeve të mëdha të shqiptarëve, e nëse nuk përpiqet të bëjë një ndarje drastike prej modeleve e prej praktikave politike në periudhën postkomuniste (këtu bie në sy - më pëlqen ta ritheksoj këtë gjë - gjakimi për pushtet i shitur si qasje idealiste). Në terma më konkretë, nuk ka e nuk mund të ketë politikë të re, nëse nuk flitet se çfarë do të bëhet me sistemin shëndetësor, me sistemin arsimor, me sistemin energjitik, me administratën publike, me sistemin gjyqësor, me sistemin fiskal, me sistemin mass-mediatik, me vetë sistemin politik (me që ra fjala, do të vijojë financimi okult i partive dhe marrëdhëniet okulte biznes-politikë?), etj, etj.

Në rrethanat, në të cilat jetojmë, ardhja në pushtet e Edi Ramës mund të ndodhë edhe për shkaqe që s‘kanë lidhje fare me Edi Ramën e me enën bosh të politikës së re (gjasat janë që të ndodhë pikërisht kështu). Në këtë kuptim, Edi Rama po lodhet kot më kot duke ardhur vërdallë nëpër Shqipëri e duke kërkuar t‘u mbushë mendjen shqiptarëve pa ia mbushur akoma vetes, se ai bart një frymë të re e se përfaqëson një ofertë të re, ndërkohë që shqiptarët nuk po presin gjë tjetër, veçse të votojnë për të çuar në shtëpi Sali Berishën. Por një ardhje e tillë në pushtet nuk është qari i shqiptarëve. Është qari i vetë Edi Ramës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›