Deshira ne pamundesi con ne aventure
U bënë gati katër muaj nga fillimi i veprimtarisë së qeverisë në Kosovën e Pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht nga 38 shtetet më në zë të Bashkësisë Shtetërore Botërore. Para disa ditësh Kuvendi mori në shqyrtim në seancë plenare veprimtarinë 100-ditore të qeverisë. Kuvendarët, në përgjithësi, por sidomos përfaqësuesit e partive në opozitë, diskutuan e konkluduan nisur jo vetëm nga veçoritë e prirjeve dhe programeve të veçanta partiake, por kryesisht nga dëshirat e mbarë qytetareve të Kosovës. Dëshirat dhe mundësitë ndonjëherë edhe konkurrojnë. Dëshira synon më të mirën, kurse mundësia, që është e realizueshme, duhet të udhëhiqet e të mbështet mbi realitet e zhvillimet konkrete. Dëshirat nuk mund të kufizohen, ndaj edhe nuk njohin cak. Dëshirojmë natyrshëm që Kosova të njihet sa më shpejt si shtet i pavarur nga e gjithë bashkësia botërore; që pushteti i UMNIK-ut dhe kompetencat e tij t‘i kalojnë sa më parë qeverisë së Kosovës; që shteti ynë të anëtarësohet sa më shpejt në institucionet monetare ndërkombëtare; që të anëtarësohemi sa më shpejt në OKB dhe në BE; që të zhvillohemi në rrafshe shumëplanëshe për të arritur nivelet politike, ekonomike e sociale të demokracive bashkëkohëse në Evropë dhe më gjerë. Këto janë, në përgjithësi, dëshirat, kurse mundësitë janë më të kufizuara. Realizimi i një ose disa mundësive i kthen në të parealizueshme të tjerat. Dy mundësitë kryesore, për të cilat të gjithë ne qytetarët e Kosovës u investuam për t‘i arritur: njohjen e pavarësisë dhe legjitimimin e shtetit të pavarur, miratimin e Kushtetutës, i realizuam. Por, nisur nga vërejtjet e bëra në media por edhe në Kuvend, dua të vë në dukje disa mospërputhje mes "dëshirave" dhe "mundësive". Një nga dhjetëra përkufizimet për politikën është edhe ky përcaktim: "Politika është arti i të mundshmes". Hapësirat e mundësive vepruese të shtetit tonë ende nuk janë në përmasat që ato kanë realisht në vendet e pavarura e sovrane, anëtare të OKB-së. Nëse mundësitë politike i kemi realisht më të kufizuara nga vendet e tjera dhe ky kufizim është i dukshëm për këdo që do të shohë, dëshirat e të gjithë strukturave politike të Kosovës janë, më së paku, të barabarta me ato të çdo shteti të pavarur e sovran. Nëse mund të themi që pavarësia jonë është fakt i pranuar dhe i njohur botërisht, nuk mund të themi të njëjtën gjë për sovranitetin. Kemi qeverinë dhe Presidentin, por kemi njëherësh të pranishëm dhe veprues UMNIK-un dhe drejtuesin e tij; kemi SHPK-në, por kemi edhe policinë e UNMIK-ut e KFOR-in. Ky paralelizëm nuk është varur dhe do të vazhdojë të mos varet prej nesh. Në këtë vazhdë, pra në vijimësi të një moskuptimi realist të kompetencave qeverisëse të shtetit tonë, shfaqen nga spektri politik edhe figura të njohura, zëra kritikë për mefshtësi dhe anashkalim prej qeverisë të problemeve aktuale e delikate, zgjidhjen urgjente të të cilave e dëshirojmë dhe e kërkojmë të gjithë. Kërkohet që institucionet tona të reagojnë dhe të veprojnë me vendosmëri ndaj pretendimeve e veprimeve të Beogradit për të organizuar e zhvilluar zgjedhje e tyre edhe popullsia me origjinë serbe në Kosovë. Nuk besoj se ndonjë qytetar shqiptar i Kosovës të jetë dakord me opsionin nacionalist e provokues të Serbisë, por të gjithë tashmë e dimë që kjo përpjekje po kundërshtohet nga UMNIK-u dhe nga SHBA e Britania në Këshillin e Sigurimit. Pra, ky është një problem që do të gjejë medoemos zgjidhje në përputhje me kërkesat insistuese të popullit shqiptar të Kosovës dhe të institucioneve shtetërore të saj. Kërkohet shtrirja dhe administrimi prej qeverisë së Prishtinës në të gjithë territorin legal të Kosovës. Kërkohet që qeveria të zgjidhë sa më shpejt edhe problemin e Mitrovicës mbi Ibër. Por a mundet dhe çfarë pasojash mund të kishte një zgjidhje e iniciuar dhe e realizuar nga institucionet shtetërore të Kosovës pa miratimin dhe pa koordinimin me programin, orientimet dhe veprimet e UMNIK-ut përmes KFOR-it?! Ankesa e kërkesa ka edhe për investimet në infrastrukturë e energjetikë, për punësimin e luftën ndaj varfërisë, për vënien në eficencë të bujqësisë e mbrojtjen e prodhimeve të saj, për shkollimin e ardhmërinë e rinisë etj. Probleme ka shumë; dëshira për zgjidhjen e tyre është mbarë shqiptare në Kosovë, por çdo thirrje dhe tentativë për tejkalimin e mundësive reale shtetërore tonat, mund të na çojë në aventurë dhe të vërë në rrezik gjithçka kemi arritur.