Kushtetuta turke, përpjekje për t`u shkëputur nga e kaluara

Kryetari i Parlamentit turk ka zhvilluar takime me ekspertë konstitucionistë lidhur me hartimin e një kushtetute të re. Ekziston një konsesus i gjerë për nevojën e zëvendësimit të kushtetutës së vitit 1982, e cila u shkrua nga sundimtarët e atëhershëm ushtarakë të Turqisë. Kushtetuta e re shihet si tepër e rëndësishme për trajtimin e disa kërkesave të veanta të pakicës kurde në vend. Por, siç njofton Zëri i Amerikës, pwrpara qeverisë turke ka probleme të rëndësishme në përpjekjet për reformën kushtetuese. Kryetari i Parlamentit turk Xhemil Çiçek i priti përzemërsisht ekspertët e kushtetutës. Ai tha se kushtetuta e re është e rëndësishme për modernizimin e vendit dhe arritjen e synimit për anëtarësim në BE. Qeveria turke është aangazzhuar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë parlamentare. Por ndërsa ekziston konsensusi mbi nevojën e reformave, mbeten mosmarrëveshje të thella lidhur me natyrën e tyre. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan shihet gjerësisht si një person që dëshiron ndryshimin e Turqisë nga sistemi i republikës parlamentare në republikë presidenciale, një propozim që kundërshtohet me forcë nga të gjitha partitë e opozitës. Por në kushtet kur Erdogan mundi të sigurojë 50 për qind të votave në zgjedhjet e qershorit të kaluar, analisti politik Asli Ajdintasbas paralajmëron se thëniet e qeverisë për mbajtjen e bisedimeve mund të mbeten vetëm fjalë. Bojkotimi që përmend komentatori politik ka të bëjë me partinë kryesore pro-kurde, BDP. Deputetët e kësaj partie nuk pranojnë të bëjnë betimin parlamentar, për shkak se 6 nga kolegët e tyre ndodhen në burg, megjithëse ata gëzojnë imunitet parlamentar. Procesi i reformës kushtetuese është mjegulluar tashmë nga shtimi i mosmarrëveshjeve mes shtetit turk dhe partisë PKK që përfaqëson rebelët kurdë. Po ashtu vazhdojnë arrestimet e anëtarëve të partisë pro-kurde BDP. Vetëm gjatë ditëve të fundit janë arrestuar 55 vetë nga kjo parti, sipas ligjeve të anti-terrorizmit. Por udhëheqja e partisë pro-kurde BDP, ka thënë se do t`i japë fund bojkotit, në se qeveria përkushtohet që t`i japë fund operacioneve në kufirin me Irakun, kundër bazave të PKK-së. Po ashtu, kurdët duan t`i jepet fund izolimit në burg të udhëheqësit të PKK-së Abdullah Oçalan. Mbetet e paqartë në se qeveria do t`i plotësojë këto kërkesa. Por deputeti Bozkir mendon se procesi i kushtetutës do të karakterizohet nga një pjesëmarrje e gjerë politike. Kushtetuta e re shihet gjerësisht si tepër e rëndësishme për ta kthyer Turqinë në një demokraci të re dhe për t`i hapur rrugën zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që vazhdojnë të ekzistojnë në shoqërinë turke. Por këto mosmarrëveshje rrezikojnë t`i pengojnë përpjekjet e qeverisë, që më në fund ta shkëpusin vendin nga e kaluara e tij ushtarake.