Maqedoni, në pritje të raportit të KE-së

Në Maqedoni pozita dhe opozita janë në pritje të raportit të progresit të Komisionit Evropian. Ndërsa mazhoranca ka dhënë sinjale optimiste lidhur me raportin, opozita vlerëson se raporti do të jetë me nota kritike. Zëvendëskryeministrja për eurointegrime në Maqedoni, Teuta Arifi deklaroi se Maqedonia pret raport pozitiv nga Komisioni Evropian.
“Ja vlen të presim lajme pozitive lidhur me raportin e KE-së. Vlerësojë se do të mbajmë rekomandimin që e kemi për disa vite për fillimin e negociatave për anëtarësim dhe kemi shpresën që është deklaruar edhe nga përfaqësuesit e KE-së se do të kemi sukses për të tejkaluar kontestet e tjera politike, që po mbajnë të bllokuar procesin evropian”, deklaroi Teuta Arifi pas kthimit të saj nga vizita në Bruksel.
Nga partia më e madhe opozitare LSDM theksojnë se raporti do të ketë nota kritike për Maqedoninë dhe për bllokimin e procesit të integrimit.
“Nëse shohim në aspektin e interesave dhe qëllimeve tona strategjike dhe ato janë integrimet euroatlantike, ne nuk vërejmë asnjë hap përpara. Përkundrazi po krijohet përshtypja se Maqedonia është sa më larg fillimit të negociatave për anëtarësim në BE”, deklaroi lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.
Moszgjidhja e emrit, sistemi juridik, gjendja e mediave dhe raportet ndëretnike janë pikat kritike që do të përshihen në raportin e KE për Maqedoninë.
Sipas agjensisë së lajmeve INA, e cila citon burime pranë Komisionit Evropian në Bruksel, raporti i progresit që do të publikohet në muajin tetor do të pasqyrojë një gjendje të “status-quo”-s në Maqedoni, me vlerësime pozitive dhe më shumë negative.
Vlerësimi i vetëm pozitiv pritet të jetë rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, mbajtjes së tyre dhe procesit post-zgjedhor me formimin e qeverisë.
Raporti si pika kritike do të trajtojë mungesën e reformave në drejtësi dhe ndërhyrjen e pushteteve, reformat në administratën publike, luftën kundër korrupsionit dhe gjendjen e medieve, ndërsa do të përfshihen edhe marrëdhëniet ndëretnike, projekti “Shkupi 2014”, etj.
Raporti vjetor i progresit për çdo vend veç e veç të Ballkanit Perëndimor do të publikohet nga Komisioni Evropian më 12 tetor. Raportet e Progresit janë një lloj matësi i përparimeve që KE i merr parasysh për vendet që aspirojnë integrimet evropiane