Kushtezimi i Gjykates se Larte me Fierin i papranueshem
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një interviste në “ABC News” ka trajtuar gjerësisht zhvillimet politike në vend. Kështu, të ndërthurura këto zhvillime me ecurinë e tre reformave kushtëzuese të statusit të vendit kandidat, pritshmëritë për zgjedhjet parlamentare të 2013, funksionimi i koalicionit qeverisës, si dhe vetë rolin e klasës politike, kreu Meta apeloi për bashkëpunim. Konkretisht, duke iu referuar tre kritereve të mbetura pa u realizuar ende, kryetari Meta vlerësoi faktin se këto reformave janë pothuajse të gatshme, ndaj ky proces duhet të përmbyllet pozitivisht.
“Zhvillimet e mëtejshme lidhur me statusin e vendit kandidat nuk mund të përdoren si një moment që palët të mund të fitojnë kapital politik, qoftë pozitivisht apo negativisht. Kushtëzimi i ligjit për Gjykatën e Lartë me çështjen e Fierit është i papranueshëm. Është e drejtë e PS që të ndjekë rrugën ligjore që i kanë dhënë apo do i japin të drejtë, por nëse ka një vullnet serioz mund të gjendet një rrugë që kjo çështje të zgjidhet, por jo duke kushtëzuar ligjin apo çështje të tjera”, vuri në dukje Meta.
Sipas tij, klasa politike duhet të bëjë gjithçka që në muajin dhjetor vendi të marr statusin e vendit kandidat.
Gjithashtu, pjesë e bisedës së kreut të LSI-së ishte dhe greva e ish-të përndjekurve politikë. Në vlerësimin e kreut Meta, kjo grevë po politizohet, duke u nisur pikërisht nga deklaratat e bëra nga përfaqësuesit partiakë.
“Mendoj se të gjithë politikanët duhet të kontribuojnë për të qetësuar zhvillime të tilla. Kam qenë pjesë e PS dhe dua të theksoj se nuk është bërë asgjë impresionuese për ish-të përndjekurit. Zbatimi i ligjit është kërkesë e drejtë dhe duhet të shihet si është zbatuar deri më tani ky ligj. Por kjo bëhet duke gjetur rrugën e dialogut me ish-të përndjekurit”, deklaroi Meta.
Zgjedhjet e reja në forumet drejtuese në LSI, si dhe gara për kreun e ri të kësaj partie ishin një tjetër çështje në të cilën u ndal kryetari Meta, i cili pasi vlerësoi kandidimin e Luan Ramës theksoi faktin se gara për kreun e kësaj partie është garë normale dhe e vërtetë.