Drejtësia kundër imunitetit, Arvizu: Shqipëria, e vetme në kufizimin e hetimit
Tryeza për reformën e Procedurës Penale është kthyer në një thirrje të fortë publike, për kufizimin e imunitetit. Ina Rama: Prokurori duhet të kryejë hetime, duke përdorur metodat speciale edhe ndaj një personi me imunitet. Nishani: Gjyqtarët, nismë për kufizimin e imuniteteve
Tiranë Një tryezë e rrumbullakët për reformën e Procedurës Penale u kthye në një thirrje të fortë publike për kufizimin e imuniteteve. Kryeprokurorja Ina Rama, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani dhe zv.kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu janë në një mendje, sa i përket kufizimit të imuniteteve, çështje kjo e theksuar edhe nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i pranishëm në këtë tryezë. “Asnjë diskutim mbi sistemin e drejtësisë nuk do të ishte i plotë, pa adresuar çështjen e imunitetit, që Kushtetuta ua njeh gjyqtarëve, parlamentarëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Në kohën që shumë shtete të Europës kanë ndjekur mënyra të ndryshme të kufizimit të imuniteteve, Shqipëria qëndron e vetme në kufizimin e thuajse gjithë aktivitetit hetimor ndaj zyrtarëve”, - tha ambasadori amerikan në këtë tryezë. Pasi renditi një sërë problemesh të sistemit gjyqësor shqiptar, Arvizu shtoi se sekreti është kusht për suksesin e hetimeve. “Sistemi aktual kërkon që Prokurori i Përgjithshëm të zbulojë jo vetëm të gjithë hetimin, por edhe shumë prova të mbledhura për të realizuar një heqje të suksesshme imuniteti. Ky sistem duhet ndryshuar”, - ngulmoi ambasadori amerikan, duke e vënë edhe një tjetër herë theksin te kufizimi i imuniteteve për zyrtarët. Ambasadori amerikan i bëri një tjetër radiografi sistemit gjyqësor shqiptar, teksa vuri në dukje zvarritjen e hetimeve apo të proceseve gjyqësore. Për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, imuniteti mund të kufizohet, pa qenë nevoja për ndryshime kushtetuese. “Pavarësisht nga fakti se imuniteti është një institut kushtetues, në Kodin e Procedurës Penale ai mundet të pësojë ndryshime të natyrës kufizuese, të cilat i japin mundësi prokurorit të zhvillojë hetime ndaj një personi me imunitet. Prokurori duhet të jetë i lirë të kryejë hetime, duke përdorur metodat speciale të hetimit edhe ndaj një personi me imunitet, në mënyrë që të mundet të mbledhë ato prova, të cilat mund të merren vetëm gjatë një hetimi të fshehtë”, - tha kryeprokurorja, duke kërkuar kështu më shumë kompetenca në vëzhgimin apo përgjimin e deputetëve apo zyrtarëve të lartë, për të cilët ka dyshime se janë të përfshirë në veprimtari kriminale. Ina Rama ka përsëritur edhe një tjetër herë kërkesat për parashkrimin e ndjekjes penale për personat me imunitet, në mënyrë që hetimi të mund të kryhet edhe pas zhveshjes nga imuniteti. Zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është ndalur në fjalën e tij tek heqja e imunitetit për gjyqtarët, duke pohuar se KLD ka dhënë në të gjitha rastet autorizim për ndjekje penale të gjyqtarëve, ndërsa ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani kërkon që gjyqësori të ndërmarrë vetë nismën e kufizimit të imuniteteve, sipas një praktike të ngjashme me atë që po ndiqet nga disa politikanë, të cilët heqin dorë vullnetarisht nga imuniteti për t’u hetuar.