E Diel, 1 Nëntor 2026

Kutitë, Pëllumbi: Nëse ka dëme të mëdha, zgjedhje të parakohshme

Politikani i njohur Servet Pëllumbi flet për situatën politike në vend dhe drejtimin e PS-së nga Rama. Ai thekson se Rama nuk duhet të rikandidojë për bashkinë e Tiranës

Z. Pëllumbi, si do ta konsideroni këtë situatë ku ndodhet politika shqiptare, ku e majta dhe e djathta nën tutelën e bashkësisë ndërkombëtare janë në përpjekje për zgjidhjen e krizës?


Është për të ardhur keq që edhe pas 1 viti, ne kemi ende problemin e zgjedhjeve. Zgjedhjet bëhen për t'i dhënë një start të ri politikës dhe vendit. Kjo pritej dhe nga këto zgjedhje. Por fatkeqësisht, në vend që vendi të merrte këtë start të ri në përputhje me kërkesat e elektoratit, jeta politike është e mbërthyer me rezultatin e 28 qershorit.


Pikërisht, sepse në këto zgjedhje pati deformime serioze, të cilat nuk mund të mos kontestoheshin nga forcat opozitare. E dimë tashmë si është zhvilluar debati mes dy forcave kryesore, dhe ende fatkeqësisht nuk shohim një zgjidhje racionale.


Kush është fajtori për këtë krizë?


Pas një viti nga zgjedhjet, për mua fajin e ka ai që mori përsipër të drejtojë dhe zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas standardeve europiane dhe që realisht këto standarde nuk u plotësuan.


Raporti i OSBE-ODIHR thotë në fakt se këto janë zgjedhjet më të mira që janë zhvilluar në Shqipëri...?


Unë këtë përcaktim, "me të mira" e quaj abuziv, sepse nuk ka ndonjë kriter më të mirë apo pak më të mirë. Ka standarde për këtë gjë. Raporti i ndërkombëtarëve duhet të thoshte qartë nëse ne i plotësonim apo jo standardet.


Kritikët e së majtës thonë se zgjedhjet nuk kanë qenë të përsosura, por e majta dhe lidershipi i saj me në krye Edi Ramën, po kërkon një sebep për shkak se meqenëse nuk i fitoi ato me vota, kërkohet të marrë pushtetin në tavolinë?


Unë nuk kam dëgjuar nga eksponentë të majtë një kërkesë për marrje pushteti në tavolinë. Mund të bëhen kritika se pse nuk u ngrit më shpejt apo më herët problemi i deformimit të votës, por çështja e marrjes së pushtetit në tavolinë nuk është shtruar. Dhe pse jo e qartë, në fillim apo dhe me një bojkot të zgjatur, dhe për këtë unë jam shprehur.


Duhet thënë se PS diti ta përdorë këtë parullë të transparencës me shumë efektivitet, sidomos kohët e fundit, dhe duhet pranuar që tashmë njerëzit e kanë kuptuar që këtu ka ndodhur një deformim i votës.


Nuk kemi asnjë provë për këtë?


Prova ka, provë ishte dhe Ruzhdia.


Po Fatos Nano luajti, sipas jush, ndonjë rol direkt apo indirekt në zgjedhjet e 28 qershorit?


Për mendimin tim ka luajtur një rol negativ në disa aspekte. Ditën që do të fillonte fushata zgjedhore, ai doli në një intervistë shumë të gjatë dhe kishte në shënjestër PS, të cilën e paraqiti të shpartalluar, kryetarin e saj e paraqiti krejtësisht të papërshtatshëm për të drejtuar PS, dhe aq sa nuk bëri thirrje të votonin kundër.


Aq sa deklaroi pas zgjedhjeve, që kishte votuar kundër PS. Ai bashkëpunoi me Ilir Metën, të cilin ai dikur e quante përgjegjës për humbjen e PS në 2005. U përpoq të bashkëpunonte me Metën e Berishën edhe 5 ditë para zgjedhjeve, gjoja për të bashkuar të majtën, ndërsa realisht në horizont u përgatit ajo që ndodhi pas 28 qershorit. Përgjegjësia e Nanos është e madhe në këtë çështje, sepse në momente kyçe, kur i është dashur Berishës, ai ka dalë në interes dhe favor të tij.


Gjatë këtyre muajve ju keni dhënë gjykimin tuaj për të majtën, por nuk keni thënë një mendim për Lëvizjen për Mendimin Ndryshe?


Unë kam bërë dhe një debat publik me Blushin, jam shprehur dhe në Asamble. Mua më duket se ai nuk është një mendim ndryshe.


Po çfarë është?


As mendim dhe as lëvizje nuk ishte. Lëvizja nuk mund të bëhet me pesë veta.


Lëvizja kërkon të ketë një piramidë, një mbështetje në bazë, të ketë kërkesë nga baza. Ndërsa në të vërtetë ajo ishte një orvatje e tyre për të bërë një ndryshim në kupolën e PS-së, të ikte Rama për të ardhur Blushi apo ndonjë nga këta të tjerët.


Gjatë fushatës këta persona thoshin se "ne do të fitojmë se kemi Edi Ramën", një ditë të bukur ata dolën pa dalë akoma rezultati i zgjedhjeve, shtruan çështjen që të ikë Rama sepse ai është përgjegjës për humbjen e PS-së.


Ju ishit pranë grevës, por nuk ju pamë asnjëherë në tribunë që ta përshëndesnit. Përse?

Unë nuk jam i tribunave, kam qenë dikur kur i organizoja vetë mitingjet. Jo vetëm nuk jam ftuar për një gjë të tillë, por dhe nëse do të ftohesha, nuk do të merrja pjesë sepse unë realisht nuk jam në politikën aktive, më tepër merrem me studime dhe e studioj politikën.


Në fakt unë kam pasur një lloj rezerve për mënyrën e trajtimit të çështjeve në këto mitingje me fjalime të gjata, shpesh dhe me sharje etj. Unë nuk ndaj këtë mënyrë të bërit opozitë, me fjalime, me retorika etj.


Mbase u teprua në këtë anë dhe ndonjë vërejtje edhe mund t'ua kem bërë për këtë. Nuk kishte nevojë për aq shumë retorikë, kishte nevojë për disa argumente që të të nguliten në kokë. Dhe në këtë kuadër unë nuk e gjeja veten për të folur, por kjo nuk do të thotë se unë nuk i mbështeta.


Si ju duk kjo mbyllje e grevës së urisë dhe ky hap nga ndërkombëtarët për ta zgjidhur këtë situatë?

Mua më duket forma më e përshtatshme që mund të gjendej në këtë moment, që në fund të fundit, greva e urisë dhe lëvizja masive e organizuar nga PS-ja, ia arritën qëllimit, u sensibilizua opinioni brenda vendit, në shkallë të mjaftueshme.


Por, u sensibilizua edhe opinioni jashtë. Ata arritën të kuptonin se ka ndodhur diçka e madhe, nuk është çështja për të hapur 2-3 kuti, këtu është fjala që është deformuar demokracia, që është vota. Po bëhen 20 vjet që gjithnjë ka vërejtje për votë. Atëherë mos ka ardhur koha që t'i futemi me themel kësaj çështje edhe në Shqipëri, që edhe në Shqipëri të ketë zgjedhje me standardeve.


Takimi që u bë në Strasburg kishte qëllim të mirë, prandaj ishte i përbashkët edhe grupi i majtë edhe i djathtë evropian, e morën iniciativën dhe ftuan palët. Këtu është çështja.


Dikush kur erdhi këtu, ultimatum ose do ta zgjidhim brenda dy javës, ose atëherë Shqipëria vizat nuk i merr dhe kandidimin gjithashtu nuk e fiton. Të tjerët në vend që të thoshin se çfarë u diskua atje dhe të nxirrnin përgjegjësinë fillojnë shtrojnë çështjen që nuk ishte ultimatum. Madje nxjerrin gjoksin që ne jemi vend sovran që nuk lejojmë askënd të na bëjë ultimatum etj., nga ana tjetër kërkon viza dhe integrim në BE.


Kjo tregon miopi nga pikëpamja ideore dhe politike. Përderisa ti kërkon integrim, duhet të jesh i gatshëm që një pjesë të sovranitetit tënd ta huazosh, ta çosh në Bruksel, siç kanë bërë vende të tjera.


Kush mund të jetë kompromisi?


Të pranohet ngritja e komisionit me ato kërkesa që ka bërë opozita, të ngrihet edhe një komision tjetër që të merret me Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme, t'u jepen atributet përkatëse që të fillojnë të punojnë.


Pastaj hapen kutitë e materialeve zgjedhore, në përputhje me kërkesën e komisionit për të verifikuar atë material zgjedhor që i duket i dyshimtë apo që vërtetë kërkon thellim, të kërkojë edhe hapjen e kutive të fletëve për atë pjesë, nëse gjen prova. Ato prova të shoqërohen edhe me numërimin e votave.


Çfarë ndodh pas kësaj?


Do të bëhet transparenca, do të referohet në parlament, do të dalë përgjegjësia për disa komisionerë, disa strukturave zgjedhore dhe pastaj do të gjykohet nëse shkalla e këtij deformimit është e tillë që e vë në pikëpyetje legjitimitetin e mazhorancës dhe të qeverisë, zgjidhja politike e vetme në këtë rast janë zgjedhjet e parakohshme.


Zgjedhjet e parakohshme janë një lloj valvule shkarkimi tensioneve politike dhe problemeve që grumbullohen gjatë këtyre katër viteve, kur këto grumbullohen në njësi kohe më të shkurtër, atëherë zgjedhjet e parakohshme janë valvul shkarkimi. Nuk duhen krijuar precedentët duhet menduar që e përgjithshmja është një herë në katër vjet, por ne kemi demokraci të konsoliduar që kanë bërë zgjedhje të parakohshme dhe absolutisht asgjë nuk ka ndodhur.


Madje, vetë mazhoranca e kërkon këtë valvul shkarkimi, këtë faktor stabiliteti. Por, nëse do të bëhen zgjedhje si 28 qershori, atëherë më mirë të mos bëhen asnjëherë, bile as pas 4 vjetësh të mos bëhen, zgjedhjet duhet të bëhen sipas standardeve, prandaj edhe komisioni duhet të hartojë standardet fikse, të parashikojë të tëra rastet e mundshme të manipulimit, madje të parashikojë forma të tilla të manipulimit që të jenë bashkëkohore, që të mos na ndodhë kjo që na ndodh këtu me numërimin e votave.


Përpara kemi zgjedhjet e reja lokale, sipas jush, zoti Rama, duhet të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës?


Nuk mund ta them me saktësi se si do të ndodhë, në fakt Edi Rama si kryetar Bashkie ka krijuar një përvojë të vetën, është treguar shtetar i zoti në drejtimin e Bashkisë. Por kuptohet, se si kryetari partie edhe kryetar bashkie është mbingarkesë, kështu që mund të ketë të tjerë për të kandiduar. Në këtë kuptim mund të ndahen këto dy funksione.
Në mënyrë që t'i përkushtohet totalisht drejtimit të opozitës, jo punëve të qytetit?


PS-ja është një parti e madhe që kërkon qeverisjen e vendit. Kuptohet kërkon shumë punë, në fakt Edi Rama është një njeri që punon shumë, sakrifikon shumë nga qetësia dhe pushimi i tij, është një njeri që gjendet gjithnjë në punë, në këtë aspekt është për t'u admiruar.


Në këtë aspekt edhe Berisha njihet për punë. Të dy nga kjo anë ngjasojnë, sikur kjo punë të ishte e tëra në funksion të qeverisjes, do të kishte rezultate të mira. Por, harxhohet kohë nga përplasja e forcave.


Pra, ju po thoni se zoti Rama të mos kandidojë që t'i përkushtohet opozitës?


Në mënyrë paraprake, kjo është një çështje që i takon drejtuesve të partisë, me logjikën time, duke pasur parasysh që drejtimi i partisë ka një angazhim shumë të madh dhe që duhet të zbres shumë më tepër në bazë, tek anëtarët e partisë, strukturat e partisë, vetvetiu do të dalë që duhet ta lërë drejtimin e Bashkisë, duhet të lërë mangët diçka këtu. Në këtë aspekt, përderisa PS njerëz ka, mund të kandidojë edhe një tjetër.
Marrë më shkurtime nga "Ora e Intervistës"


Për LMN-në

As mendim dhe as lëvizje nuk ishte. Lëvizja nuk mund të bëhet me pesë veta. Lëvizja kërkon të ketë një piramidë, një mbështetje në bazë, të ketë kërkesë nga baza. Ndërsa në të vërtetë ajo ishte një orvatje e tyre për të bërë një ndryshim në kupolën e PS-së, të ikte Rama për të ardhur Blushi apo ndonjë nga këta të tjerët.


Gjatë fushatës këta persona thoshin se "ne do të fitojmë se kemi Edi Ramën", një ditë të bukur ata dolën pa dalë akoma rezultati i zgjedhjeve, shtruan çështjen që të ikë Rama, sepse ai është përgjegjës për humbjen e PS-së.


Për ish-kryetarin e PS-së


Ai bashkëpunoi me Ilir Metën, të cilin ai dikur e quante përgjegjës për humbjen e PS në 2005. U përpoq të bashkëpunonte me Metën e Berishën edhe 5 ditë para zgjedhjeve, gjoja për të bashkuar të majtën, ndërsa realisht në horizont u përgatit ajo që ndodhi pas 28 qershorit. Përgjegjësia e Nanos është e madhe në këtë çështje sepse në momente kyçe, kur i është dashur Berishës, ai ka dalë në interes dhe favor të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›