Kriza politike, PE shtyn rezolutën për Shqipërinë

Eurodeputeti Jelko Kacin paralajmëroi se me situatën politike heqja e vizave bëhet e pamundur për këtë vit
Kalon provën Bosnje-Hercegovina, mbet në "klasë" Shqipëria. Eurodeputetët nuk pranuan të miratojnë rezolutën
E ardhmja europiane e vendit tonë dhe lëvizja e lirë e shqiptarëve në vendet e shengenit bëhet edhe më e paqartë. Ajo që ishte paralajmëruar u zyrtarizua dje nga Brukseli zyrtar, i cili i ka dhënë një mesazh të fortë politikës shqiptare për të zgjidhur sa më parë krizën politike, pasi në të kundërt heqja e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë dhe ecuria e procesit integrues do të bëhet e pamundur edhe për disa kohë.
Bëhet fjalë për vendimin e Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili nuk ka pranuar të votojë rezolutën mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europianë, ku natyrisht bëhej fjalë edhe për heqjen e vizave për qytetarët shqiptar.
Komiteti i Jashtëm Europarlamentar, ndërsa votoi raportin mbi Bosnje-Hercegovinën, shtyu për në datën 25-26 qershor miratimin e rezolutës mbi integrimin europian të Shqipërisë. Sipas faqes zyrtare të Parlamentit Europian, shkak për këtë vendim është bërë pikërisht kriza politike që po vuan Shqipëria.
"Votimi pritet më 22 Qershor në mbledhjen e Kolegjit të Komisionerëve të KE, pasi, tashmë, bisedimet midis shumicës dhe opozitës në parlamentin shqiptar janë në vazhdim e sipër", - citohet në faqen zyrtare të Parlamentit Europian.
Kjo shtyrje u propozua nga eurodeputeti liberal, Jelko Kacin, i cili i bëri apel partive politike në vend që të lënë mënjanë dallimet e të vijojnë dialogun për t'i treguar popullit dhe partnerëve europianë se demokracia e re shqiptare është e aftë t'i zgjidhë vet krizat.
Por, ajo që vihet re në deklarimin e tij është fakti se për shkak të kësaj situate politike, ai shprehet skeptik se procesi i heqjes së vizave për shqiptarë do mund të ndodh brenda këtij viti. "Shoqëria shqiptare meriton një përshtypje, imazh dhe raportim më të mirë, për këtë arsye në shpresojmë se në pak javë do të jemi në gjendje që të propozojmë një rezolutë me pozitive e premtuese.
Së pari, dua të përmend liberalizimin e vizave. Siç duket deri tani, çfarëdolloj gjëje që të thotë Komisioni, ky vit ka humbur. Por, nëse duam të krijojmë kushte më të mira, duhen mesazhe më pozitive nga Shqipëria, për t'iu dhënë shansin qytetarëve shqiptare për të lëvizur lirshëm nga fundi i këtij viti. Por, kjo gjë është jashtë këtij realiteti siç duket deri tani", - tha eurodeputeti, Jelko Kacin.
Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nicholaos Chountis, i cili është edhe hartuesi i këtij raporti deklaroi se një vendim i tillë u morë për t'i dhënë mundësinë forcave politike shqiptare që të tregojnë pjekuri dhe të zgjidhin krizën.
"Për t'i dhënë shansin forcave politike shqiptare që përmes dialogut, diskutimit të arrijnë një marrëveshje për të kapërcyer krizën në vend, kjo ishte arsyeja pse të gjithë ne ramë dakord që ta shtynim këtë votim", - deklaroi Nicholaos Chountis - Raportues për Shqipërinë në PE.
Ndërkohë, Komiteti i Politikës së Jashtme në PE ka miratuar rezolutën për integrimin e Bosnje-Hercegovinës pavarësisht se edhe për këtë vend europarlamentarët kanë parë shumë mangësi në plotësimin e kritereve.
Kjo tregon se kriza politike që ekziston në vendin tonë përbënë për parlamentin Europian një shqetësim më të madh edhe se fenomenet negative të korrupsionit, kriminalitetit etj. Para se të paraqesë sërish për votim rezolutën për Shqipërinë, tashmë komiteti i politikës së jashtme pret edhe vlerësimet më të fundit nga të dërguarit e vet në vendin tonë lidhur me situatën politike.
Ndërkohë, raporteri për Shqipërinë Chountis u shpreh se shqetësimet e evidentuara në draftin e diskutuar një muaj më parë, për ekonominë, korrupsionin, gjyqësorin e median përsëriten edhe tek raporti i fundit që tashmë do të votohet në 22 qershor.