Topalli ndryshon pagën e deputetëve

Kryetarja e Kuvendit kushtëzon pagesën e çdo deputeti më pjesëmarrjen e tij në seancë plenare
TIRANË - Secili nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të llogarisë me laps në dorë pagën e tij në fund të çdo muaji, pas një ndryshimi të fundit që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka bërë vendimit "Për mënyrën e trajtimit të deputetëve".
Ndryshe nga vendimi i mëparshëm ku deputetit, për çdo mungesë pa arsye në seancat plenare i ndalohet nga paga 4.000 lekë, kryetarja e Kuvendit, duke marrë shkas edhe nga mungesa e deputetëve të opozitës në Kuvend, e ka kthyer pagën e deputetit në një përllogaritje matematikore, edhe pse sërish e lë të paqartë se deri në sa mungesa do të zbatohet formula e re.
Sipas vendimit më të fundit të Kuvendit, raportet e pagës mujore të deputetit janë: a) 40 % të pagës për pjesëmarrjen në seancë plenare; b) 50 % të pagës për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit, c) 10 % të pagës për pjesëmarrje në veprimtari të tjera parlamentare.
Sipas vendimit, mospjesëmarrja e deputetit në mbledhjet e komisioneve të përhershme të Kuvendit apo seancë plenare sjell ndalesën e pjesshme të pagës, sipas rasteve të mësipërme, në përputhje me frekuentimin e tij në to për një muaj. Në rastet e moszhvillimit të mbledhjes së komisionit, për shkak të mungesës së kuorumit, deputetët e pranishëm përjashtohen nga ndalesa e pagës për këtë mbledhje.
Të njëjtat raporte të pagës, të parashikuara sa më sipër do të zbatohen edhe për përfitimet e tjera që ka deputeti, si: dieta, shpenzime transporti, shërbime telefonike apo shpenzime për strehimin, të cilat i paguhen deputetit përpjesëtimisht me pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e komisioneve të përhershme apo seancë plenare.