Kuvajti shumë shpejt do ta njohë Kosovën
Delegacioni parlamentar i Kosovës, i prirë nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, është pritur nga Princi i Kuvajtit, Shejh Sabah El Ahmed El-Xhabir Es-Sabah, kryeministri, Nasir El- Muhamed El-Ahmed Es-Sabah dhe kryetari i Kuvendit Kombëtar Xhasim Muhamed El-Harrafi.
Krasniqi i njohu ata me çështjen e Kosovës, njohjen e shpejtë ndërkombëtare të pavarësisë, zhvillimet aktuale dhe synimet perspektive të shtetit të ri. Ai tha se Kosova pret qëndrim korrekt të GJND-së, pasi Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Kryeparlamentari i kërkoi Kuvajtit njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, për ta bërë të mundur kështu hyrjen e saj në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ai tha se vendi ynë dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Kuvajtin në të gjitha fushat, si partner strategjik.