Kuvend, Berisha, Ruçit: Pse nuk shkon më në selinë e PS-së? Keni futur anëtarët e partisë në bunker – bllokuat valët e celularëve në Asamble
-- Arben Ahmetaj, “Mister Hermesi” që përvetësoi 15 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë
-- Debate për autostradën Levan - Vlorë
-- Patozi: Në axhendën e politikës, miratimi i ligjeve me 3/5
Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë u përfshi sot nga debatet mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Shefi i ekzekutivit ironizoi punimet e asamblesë kombëtare të PS, ku theksoi se Edi Rama futi deputetët në bunker, duket u bllokuar valët e celularëve. “Ja ku doli përgjimi juaj, në shurdhi të plotë informative. Do i bëni mocion Ramës? Jo. Vazhdoni me Imamin. Kjo është kupola që them unë. Lidhur me aktin normativ të qeverisë, ai nuk ka asnjë qëllim tjetër veçse të vendosë disiplinën. Jeni ju kundër. Ne kemi bërë një decentralizim madhor dhe kemi besim tek qeveritë vendore. E kemi transferuar ujësjellësin për interesa të qytetarëve të Tiranës. Në çdo gjë që bëhet për të zbutur tarifat për qytetarët, automatikisht e konvertoni në vota dhe e kundërshtoni. Opozita përshëndet qeverinë për të gjitha masat e drejta dhe e kritikon apo sugjeron masat e saj. Ju duhet të jeni të parët që duhet ta përshëndesni këtë akt, që është në interesin më mirë të qytetarëve të Tiranës”- deklaroi Berisha. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit të PS-së Gramoz Ruçi i cili theksoi se kryeministri Berisha është i turbulluar pasi nuk përgjonte dot platformën e kundërshtarit të tij politik. “Vajti dy vjet e gjysmë që ke bërë kongresin dhe nuk shohim që të jetë mbledhur forumi i PD-së. Kemi parë vetëm njëherë kryesinë e PD-së të mbledhur pas dy vjetësh dhe kjo vetëm për zgjedhjen e presidentit. Meraku qe të paska zënë të paska trullosur aq shumë sa erdhe i çoroditur sa nuk dije se çfarë kishte në axhendë. Të hutoi aq shumë sa i drejtohesh se deputetëve që ishin në Asamble dhe nuk i funksiononin celularët. Ata vijnë në Asamble për mbledhje dhe jo për të folur me celular. Aty diskutohej strategjia e forcës tënde kundërshtare dhe pikërisht këtu nuk e ndiqje dot me valët e tua strategjinë e kundërshtarit tuaj politik”- tha Ruçi.
Ndërkaq, kreu i qeverisë vijoi duke theksuar se Gramoz Ruçi ka dy vjet që nuk shkel në selinë e Partisë Socialiste, pasi është nën akuzë dhe i dyshuar si shkaktari i humbjes së Edi Ramës në bashkinë e Tiranës.
Arben Ahmetaj, “Mister Hermesi” që përvetësoi 15 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë
Gjithashtu, seanca plenare është përfshirë nga debati mes kryeministrit Berisha dhe deputetit socialist Arben Ahmetaj. Kryeministri, e ka etiketuar Ahmetajn si “Mister Hermesi” duke e akuzuar atë për përvetësim të 15 milionë euro në dëm të taksapaguesve shqiptarë. “Mister Hermes, me të cilin të lidh përvetësimi i 15 milionë euro me kompaninë tënde mbi telekomin shqiptar. E shikoni si u sfazua, merr një gotë ujë mos të bie të fikët. Sytë janë pasqyrë e shpirtit”- tha Berisha. Në replikë me kryeministrin Berisha, deputeti Ahmetaj theksoi se nuk i trembet as atij e as drejtësisë, e cila ka folur për të, por ende jo për Berishën. “Ti ke frikë nga unë dhe shqiptarët se ti ke vrarë para selisë tënde 4 njerëz të pafajshëm dhe ka tre njerëz në botë që e kanë bërë këtë në kohën e sotme, ti, Lukashenko dhe Çaves, ti ke vjedhur Shqipërinë, mbi mua foli drejtësia, për ty s’ka folur akoma”- tha deputeti Ahmetaj.
Debate për autostradën Levan - Vlorë
Kuvendi diskutoi sot mbi fondin shtesë të aksit Levan-Vlorë, e cila kap vlerën e 1.7 milion eurove. Në fjalën e tij, ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi ka argumentuar në zëra shpërndarjen e këtij fondi. Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të socialistëve, sipas të cilëve, kostoja e lartë e rrugës rëndon në kurriz të shqiptarëve, ministri Olldashi vlerësoi se autostrada Levan-Vlorë është një rrugë me standardet më të mira dhe me koston me të ulët në rajon. Sipas tij, marrëveshja që shqyrtohet sot në Kuvend është njoftuar më parë, pasi siç tha ai është bërë e ditur se marrëveshja me BERZH nuk është e vetmja, por do të ketë edhe një marrëveshje me Bankën Evropiane të Investimeve. Pavarësisht kundërshtive opozita parlamentare dha votën “pro”, duke e miratuar projektin për aksin Levan-Vlorë, me 116 vota. Njëkohësisht, Kuvendi miratoi ligjin për komunikimet elektronike, i cili mori 105 vota “pro”.
Opozita kundër interesit të qytetarëve
Ndërkohë që ligjvënësit socialistë kundërshtua jo vetëm me debate por dhe me votë privatizimin e HEC-it të Lana-Bregasit. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i qeverisë akuzoi socialistët se kundërshtojnë çdo gjë që shkon në interes të qytetarëve. “Çdo gjë që rrënon karrigen e kryetarit tuaj, ju lëndon 1 mijë herë më shumë se interesat e qytetarëve. Keni votuar kundër rritjes së rrogave dhe kundër rritjes së ndihmës ekonomike. Politika nuk është hipokrizi, sot flisni për pensione, nesër e kundërshtoni rritjen e pensioneve”, theksoi Berisha.
Patozi: Në axhendën e politikës, miratimi i ligjeve me 3/5
Në përfundim të seancës plenare të ditës së sotme, Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, vendosi edhe njëherë në qendër të debatit kuvendor miratimin me 3/5 të ligjeve, të mbetura ende si detyrime në plotësimin e rekomandimeve të BE-së për marrjen përfundimtare prej Brukselit të statusit të vendit Kandidat. Patozi argumentoi kërkesën e tij edhe me faktin se festa më e mirë për 100 vjetorin do të ishte pikërisht miratimi i statusit dhe jo debati i pakuptimtë se ku do të ngrihet flamuri apo sa flamurë do mbushin qytetet.
...