E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Greva u mbështet nga segmente të krimit – gjithçka për llogari të Edi Ramës

24-10-2012 / Gazeta 55

"Viti 2017-ë, afati i fundit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politik. Do përfshihen dhe kategori të tjera ish të dënuar"

Kryeministri, Sali Berisha e ka cilësuar si një akt terrorist grevën e ish-të përndjekurve politikë. Në vlerësimin e kreu të ekzekutivit kjo grevë u mbështet vetëm nga politikanët që ndajnë trafiqet me ta. “Garantoj qytetarët se jam i hapur për dialog konstant për zgjidhjen e problemit. Ajo që u zhvillua në studion e Kristaq Ramës ishte një parodi e shëmtuar që s’kishte të bënte me kërkesat e ish të-përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë. Ajo ishte larg tyre , kishte një distancë me vite e vite, pikërisht në këtë qëndron arsyeja që atë e përkrahën politikanë që ndajnë trafiqet me ta. Zero përkrahje nga shtresa e madhe e të përndjekurve. Ishte një akt i shëmtuar, një grevë e paguar dhe e shoqëruar me akte të mirëfillta terroriste, u përdor benzina”, deklaroi Berisha.
Madje, kjo grevë dhe aktet që shoqëruan atë, sipas Berishë, ndodhën në një moment të rëndësishëm historik për vendin, duke u munduar që të pengojnë progresin e vendit.
“Duhej t’i vinin zjarrin ditën që KE do të rekomandonte statusin. Nuk kishte akt më të shëmtuar. Ora e Bushit u tejkalua me jetë njerëzore që do digjeshin të gjalla vetëm e vetëm për t’u penguar shqiptarëve një akt të merituar nga Brukseli. Organizatorët e grevës përzgjodhën figura të inkriminuara. Trafikanti Bejko që vendosi të bëhej hero ishte ndaluar me 30 kg drogë. Nëntë vjet kishte kërkuar organi i akuzës, e liruan Tabakët e KLD-së me ndërhyrje të fortë. Është në dinjitetin më të madh të mijëra e mijëra të përndjekurve politikë e familjarëve të tyre që qoftë dhe për një minutë të vetme nuk u dezorientuan, por qenë të parët që kuptuan se gjithçka ishte e organizuar për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Dhe vizitat e tij natën dhe furnizimet nga klubi ngjitur, që të gjitha ishin në funksion të asaj karrigeje, ku me “sadukët” nuk do të ulet kurrë”, nënvizoi Berisha.
Sipas shefit të qeverisë, qeveria ndjek me shqetësim problemet e qytetarëve, por ajo nuk mund të pranojë shantazhin e askujt.
“Nuk do të mund të shpërblejë aktet terroriste veçse me ashpërsinë e ligjit. Qeveria do të bëjë gjithçka për të dëgjuar zërin e  të përndjekurve politikë. Amendamente të tjera janë dërguar në parlament dhe janë shumë të drejta dhe përsëri u deklaroj shqiptarëve se qëndrimi ndaj të përndjekurve është madhor e moral, pasi kanë djegë lumenj djerse, kanë ndërtuar lagje të tëra të këtij qyteti ku jetojmë sot dhe në qytete të tjera. Kanë punuar 45 vjet, janë kalbur në punë nga më të rënda. Ne do të bëjmë dëmshpërblimin e tyre sipas ligjit, do të shtojmë dhe kategori të tjera”, tha Kryeministri.
Ndërkohë që kreu i qeverisë u ndal dhe në një tjetër çështje e lidhur me dëmshpërblimin.
“Floririn nuk e kthejmë, por vitet e burgut që të gjitha do t’u njihen të ashtuquajturve kontrabandistë të floririt të cilët ishin tregtarë të ndershëm dhe një ditë ua konfiskuan në mënyrën më të paligjshme. Dënimet brenda burgjeve që të gjitha do të rishqyrtohen. Ato ishin përpjekje kundër regjimit të paligjshëm. Qëndrimi ynë është ndër më seriozët, bazohet në një moral dhe vendosje të të drejtës në këtë vend. Ai ka si synim vendosjen e paqes sociale dhe procesi do të vazhdojë. Jam këtu për të garantuar të përndjekurit se brenda 2017-ës do të ketë ndodhur dhe do të jetë realizuar plotësisht dëmshpërblimi i tyre”, garantoi Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›