Kuvend, Berisha: Gati për betejë. Rama: Bëj pyetje mbi programin, larg o Zot t’u ngjajmë juve

TIRANË- Programi i mazhorancës së re qeverisëse, 2013-2017, po diskutohet sot në një seance maratonë të Kuvendit të Shqipërisë. Seanca nisi punimet rreth orës 10.30 ndërsa në përputhje me rregulloren e Kuvendit secili prej diskutantëve nga lista e depozituar nga grupet parlamentare ka në dispozicion 20 minuta për të diskutuar rreth programit.
Pasi ministrat iu përgjigjën 26 pyetjeve të depozituara nga deputetët, u votua edhe për zgjedhjen e Edmond Spahos si zv/kryetar i Kuvendit. Spaho u propozua nga PD. Më pasi nisi debati i deputetëve, ku ministrat e kabinetit 'Rama', kishin të drejtë të mbronin programin qeverisës për fushat përkatëse. Ligjvënësit e djathtë refuzuan të bënin pyetje për programin qeverisës, pasi ato e cilësuar 'plagjiaturë' dhe 'bosh'.
Pak para se të nisë kjo seancë, kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se të djathtët do jenë në Kuvend për të bërë ‘oponencën e fuqishme politike dhe profesionale ndaj broshurës së ricikluar para dy ditësh në Kuvendin e Shqipërisë, një manifesti turli i eksperimenteve të vjetra”, sic tha ai.
Ndërsa Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një takim me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi premtoi se do nxisë brenda sallës së Kuvendit një frymë konstruktive dhe bashkëpunuese.
Dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, konfirmoi se në seancën e sotme do të flasin të gjithë deputetët. Ndërkohë që edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, konfirmoi se seanca do të bazohet në rregulloren që ka të përcaktuar Parlamenti, ku secili ministër do të referojë programin në bazë të debateve të opozitës. Njëherësh do të jenë edhe një grup deputetësh të majtë që do të mbrojnë programin, të cilët kanë asistuar në hartimin e tij.
BERISHA-RAMES: NËSE KE MASHTRUAR QYTETARËT, BËHU GATI PËR BETEJË
Ora: 20:20 - Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi qeverinë e re se në rast të mospërmbushjes së premtimeve e që u ka bërë qytetarëve “do të përballet me betejën e opozitës për të ngritur në piedestal dinjitetin e shqiptarëve”.
“Sali Berisha do të votojë çdo premtim të tij në parlament, ndonëse nuk i bëja kurrë sepse ato janë rrënim i gjithëanshëm. Nëse u ke marrë votën duke i mashtruar, nuk do njohim kufij, nuk do lemë betejë pa zhvilluar për të çuar në piedestal dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve shqiptarë. Përgatitu beteja është e fortë, ke premtuar 300 mijë vende pune, asnjë vend pune nuk justifikon sot, ke premtuar ulje çmimesh, asnjë çmim nuk mund të ulësh ti”- deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri Berisha hodhi akuza të forta ndaj kabinetit të ri qeveritar, duke sulmuar kryesisht ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Në kabinetin e ri janë 3 ministra nga e njëjta familje. Unë e kuptoj u përjashtuan nanoistët, absolutisht kryeministri ka të drejtë të zgjedhë këdo. Financat i jepen njeriut të patateve të Ramiz Alisë, vetëm se i tha shoku Ramiz do ta zgjidhim me pataten problemin. Tahiri do luftojë për rendin, ai është skllav i krimit.”- deklaroi Berisha.
Më tej Berisha tha se mazhoranca aktuale i shpalli luftë opozitës, por sipas tij, demokratët nuk mposhten e nuk dërrmohen as kur humbin.
“Opozitës ju shpall luftë, atyre të cilëve u duket ky term i ashpër u them se ne këtu në parlament kaq hapësirë kemi. Kreu i mazhorancës donte me cdo kush të tejkalonte dhe etërit e tij, të na impononte diskutimin e një dokumenti që se kishim parë kurrë me sy, që se kishim lexuar kurrë. Kreu i mazhorancës i cili është unik në Shqipëri, Ballkan dhe Europë lexoi këtu pamfletin e urrejtjes ndaj opozitës. Ai shpalli këtu epokën e rrënimit epokën e Shqipërisë demokratike. Edhe humbjen e festojmë edhe vdekjen e festojmë, sepse kemi bërë një jetë me nder, kemi punuar, për ne flasin veprat, flet Shqipëria që ai ai urren, që e shpalli të rrenuar. Askush mos mendoje se ndjehemi të dërrmuar. Ne celebrojmë atë që ai e konsideron Shqipëri të rrënuar, është Shqipëria demokratike e cila bëri gjithë këto hapa të sigurta në rrugën e integrimit.”- deklaroi Berisha.
TOPALLI-RAMES: PER TE MARRE KARRIGEN PREMTOVE DIELLIN, QIELLIN, HENEN
Ora: 20:00 - Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i cilësoi të parealizueshme e mashtrime premtimet e “qeverisë Rama”.
“Për të marrë atë karrige premtove oqeanin, diellin, hënën. Premtimet ishin fallco dhe pse të bukura shumë të bukura. Të marrësh detyrën pasi vendi ka bërë rrugën më të gjatë në një kohë të shkurtër, duhet të matesh me arritjet dhe ato janë të mëdha”- tha Topalli, duke numëruar sukseset e qeverisë së demokratëve.
“Eshtë e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhe halle e probleme, por ti e ke gati Shqipërinë, me rrugë standarde të mira, por ti nuk e pranon, ky është nihilizëm. Është e vërtetë që ka të papunë, por është e vërtetë që ti Shqipërinë e kë gati me rritje rrogash e pensionesh. Rama këto i quan rrënim. Shqipërinë e ke gati, rrugët i ke gati, TAP-in e ke gati, Devollin e ke gati, por ti këto i mohon dhe prandaj thërret e bërtet rrënim”- vijoi më tej Topalli.
Sipas Topallit, “Rama nuk ka program, ka hartime. Ne prisnim të hartonte një program, ai programoi një hartim.”
NASIP NACO: DREJTESI TRNASPARENTE, EFIKASE E TE PAVARUR
Ora 19:49- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço tha sot në Kuvend se përmes programit qeverisës 2013-2017 synohet “instalimi i shtetit të së drejtës dhe sundimi i ligjit, duke ndërmarrë reformat në sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe në sistemin gjyqësor në veçanti, me qëllim rivendosjen e integritetit të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve në sistemin e drejtësisë”.
Për të arritur këto qëllime, sipas tij, Ministria e Drejtësisë do të propozojmë dhe bëjmë shumë shpejt ndryshime në Kodin e procedurës Penale dhe Kodin penal. “Do të synojmë plotësimin e mangësive, por në të njëjtën kohë do të plotësojmë dhe përafrojmë Kodin aktual me standardet evropiane”.
“Me qëllim hartimin e një projekti sa më cilësor, procesi për hartimin e projektligjit do të jetë një proces tërësisht transparent. Do të tërheqim opinionin e ekpertëve vendas në fushën penale, do të synojmë një bashkëpunim të ngushtë me misionin dhe strukturat ndërkombëtare që asistojnë në vend në procesin e përafrimit të legjislacionit vendas me atë të BE”, tha Naço.
Duke vijuar më tej me prezantimin e programit qeverisës në fushën e drejtësisë, Naço tha se do të ndërmarren reforma rrënjësore afatgjata dhe gjithëpërfshirëse për të rivendosur integritetin e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve në sistemin e drejtësisë.
Referuar reformës në raport me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Naço tha se do të rishikohet kryesisht, por jo vetëm, përbërja dhe statusi i anëtarëve, organizimi dhe funksionimi i KLD, si dhe emërimi dhe transferimi i gjyqtarëve dhe masat disiplinore. “Në këtë proces, qëllimi kryesor do të jetë synimi për të përforcuar pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizimin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor”, tha Naço.
Sipas tij, në fokus të Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, do të jetë forcimi i statusit të gjyqtarëit dhe prokurorit, si dhe garantimi i funksionimit efektiv të sistemit të vlerësimit për ta.
BODE: MODELI I RI EKONOMIK I MAZHORANCES, FANTAZME
Ora: 19:15- Ish-ministri i Financave Ridvan Bode akuzoi mazhorancën aktuale se ka lënë në harresë premtimet e fushatës dhe po paraqet një program që nuk shpjegon se si do të vijë rritja ekonomike apo hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës. Sipas Bodes, mazhoranca pretendon se do të rimodelojë ekonominë shqiptare, por modeli i ri mbetet një fantazmë.
“Çfarë është ky modeli i ri ekonomik në programin tuaj, një fantazmë. Rritja ekonomike do të jetë në qendër të tij thotë manifesti i programit, por si dhe nga do të vijë rritja ekonomike. Taksa do të jetë progresive për të gjithë, nuk thuhet asnjë fjalë për sektorët.”- deklaroi Bode.
"Programi i maxhorancës së re i shpall luftë modelit ekonomik të taksës së sheshtë",- tha Bode, duke theksuar se ishte pikërisht aplikimi i kësaj takse që e mbajti ekonominë shqiptare jashtë krizës. "Edhe pse në nivele modeste ekonomia jonë njohu rritje të qëndrueshme. Po ju a do e ruani dot dinamikën e rritjes me taksën progresive"? -pyet ish-ministri i Financave.
Duke përmendur arritjet e qeverisë demokrate, Bode deklaroi se opozita do të jetë përballë mazhorancës së re me ato që mundësoi në 8 vjet qeverisje për të gjithë shqiptarët. “Ne jemi dhe do të mbetemi përballë jush një sfidë e pakapërcyeshme lehtë.”- deklaroi Bode.
KOKA: PROGRAMI, FILLIM I MIRE I RRUGES DREJT EUROPES
Ora 18:53 - Ministri i Mjedisit, Lefter Koka renditi në Kuvend prioritetet që përmban programi qeverisës për mbrojtjen e mjedisit. Sipas ministrit Koka, ky program do të përmirësojë dukshëm jetën e shqiptarëve dhe është një fillim i mirë i rrugës drejt Europës.
“Kjo mazhorancë ka hartuar një program që do përmirësojë dukshëm jetën e shqiptarëve. Ky program është bazuar në nevojat që ka vendi. Shumë nga pikat e këtij programi janë mëse të realizueshme, disa përbëjnë një risi dhe sfida shumë të guximshme. Ky program sjell një perspektivë të re në çdo aspekt të administrimit të vendit. Ky program përmban një seri prioritetesh për mjedisin. Puna në këtë sektor do përqëndrohet në arritjen e reformave, përforcimin e legjislacionit, përmirësimin e mjedisit. Ne e konsiderojmë mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të përbashkët për të gjithë”- deklaroi Koka.
TABAKU: PROGRAMI KA MOSPERPUTHJE DHE MUNGESE VIZIONI
Ora 18:30- Deputetja që ngjitet për herë të parë në Kuvend, Jorida Tabaku ka rreshtuar një sërë pyetjesh për programin e qeverisë Rama. Sipas Tabakut, "fjalimi i Ramës në parlament ishte një shikim shumë i keq i situatës ku ndodhet Shqipëria, fjalimi kishte shumë fjalë dhe aspak vizion, kjo është mangësia e parë e programit. E vetmja gjë e mirë është përbaltja që po i bën punëve të mirë që ka bërë qeveria”.
Deputetja Tabaku kërkoi përgjigje nga qeveria Rama për mënyrën se si do të krijohen 300 mijë vendet e punës, apo cilat janë faktorët që do sigurojnë rritjen ekonomike. Tabaku u shpreh se "këtyre pyetjeve nuk u përgjigjet dot as vetë hartuesi i programit, disa nuk e njohin fare shtetin prandaj dhe programi është plot mangësi”.
BARE: NESE ZBATOHEN 400 LICENSAT PER HIDROCENTRALET DO KEMI KATASTROFE EKOLOGJIKE
Ora 18:20-Deputeti socialist Besnik Bare nga foltorja e Kuvendit, ka ngritur alarmin se nëse zbatohen 400 licencat për hidrocentrale, që ka firmosur qeveria e mëparshme , atëherë vendi do përballet me një katasrofë ekologjike. Sipas deputetit Bare, "Shqipëria sot është më rëndë seç ka qenë në vitin ’97, kjo për shkak të klientëve të qeverisë së djeshme.
"Të gjithë e kanë programin përpara por thonë se nuk ka detaje, por ekzistojnë disa premisa për suksesin e programit, sepse kemi punuar me ekspertët më të mirë, por edhe sepse në krye të programit ndodhet një njeri që ka treguar se di të punojë më tepër se paraardhësi i tij, një njeri me një vizion bashkëkohor për zhvillimin e vendit"– përfundoi fjalën e tij deputeti Bare.
GJOSHA: PROGRAMI I INTEGRIMIT DO TE KETE SI KRYEFJALE BASHKEPUNIMIN
Ora: 18:00 - Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha theksoi në Kuvend se programi i integrimit evropian do të ketë si kryefjalë bashkëpunimin dhe komunikimin.
“Programi i integrimit evropian, i imi dhe i kësaj qeverie, do të ketë si kryefjalë bashkëpunimin, koordinimin dhe komunikimin, jo vetëm mes institucioneve përgjegjëse por mbi të gjitha një bashkëpunim dhe komunikim të veçantë edhe me opozitën, duke e parë atë si pjesë të rëndësishme dhe të pandarë të këtij procesi, për të përmbushur me korrektesë të gjitha prioritetet që vijnë nga marrëveshja e Stabilizim – Asocimit, dhe kryesisht në ngritjen e kapaciteteve, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këtë do të ngrihet një Komitet Kombëtar i Integrimit, me pjesëmarrjen e një sërë aktorëve dhe ekspertëve në fushën e integrimit evropian, si dhe do të ngrihet një mekanizëm koordinues dhe kontrollues për afatet e reformave dhe ndjekjen me rigorozitet të detyrave të lëna nga BE. I gjithë procesi, në fund të fundit, do t’i shërbejë përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe përshpejtimit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.”- deklaroi ministrja Gjosha.
Ministrja Gjosha theksoi më tej se, “Ministria e Integrimit do të luajë një rol kyç koordinues në qeveri, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarëve shqiptarë dhe më tej do të jetë zëri i tyre në Bashkimin Evropian. Ne do të punojmë shumë që marrëdhëniet e ngritura deri tani me vendet anëtare jo vetëm që do të ruhen por do të forcohen edhe më tej duke u treguar të gjithëve punën tonë konkrete, dëshirën dhe vullnetin e mirë për një zhvillim të mëtejshëm dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe duke pranuar me modestinë më të madhe se ne jemi një vend i vogël dhe kemi shumë punë për të bërë. Por, që nuk do të ndalet asnjë sekondë për të arritur standardet e Bashkimit Evropian.”
“Dua të ftoj të gjithë komponentët e procesit të integrimit, qeverinë, opozitën, kolegët deputetë dhe gjithë qytetarët shqiptarë, jo vetëm të bëhen pjesë e programit të integrimit por të kontribuojnë për ta pasuruar, plotësuar dhe përmbushur atë, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndjehemi krenar për Shqipërinë evropiane, për Shqipërinë me standarde të larta ashtu siç e kemi ëndërruar të gjithë ne. “- përfundoi ministrja e integrimit.
HYSI: SHQIPTARET MERITOJNE TE JETOJNE NE NJE SHTET SOCIAL
Ora 17:50 - Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi deklaroi në Kuvend: “Një urim të veçantë e kam për gratë deputete të këtij parlamenti. Programi i mazhorancës në një demokraci parlamentare mund të kritikohet dhe është normale që të kritikohet dhe të mos votohet nga opozita, por ne të gjithë biem dakord se shqiptarët e meritojnë të jetojnë në një shtet social. Ju kolegë të opozitës keni të drejtë të shprehni mendimet tuaja, mund ta kritikoni, të bëni sugjerime, por të gjithë jemi në një mendje se sot vendi ka nevojë për një model të ri qeverisjeje.”
PALOKA: NUK DUAM FJALEN KUR S'KA DËGJUESHMËRI, META: JU ANKOHENI, SE KENI PRIORITET!
Ora 17:25 Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka i ka kërkuar kreut të Kuvendit Ilir Meta që të zbatojë rendin e diskutantëve, një demokrat, një socialist.
“Nuk po ndiqni rendin e diskutantëve kanë folur 3 nga opozita dhe asnjë nga mazhoranca”, tha Paloka.
“Hera e parë që një deputet ankohet pse i jep prioritet opozitës”, tha Meta.
“Ju nuk e bëni për këtë gjë por e bënë për tjetër gjë. Kërkoni që në orarin ku nuk ka dëgjueshmëri të kaloni të gjithë deputetet tanë”, shtoi Paloka.
“Unë nuk e dija cështjen e orarit se jam i ri në detyrë, pata vërejte që ti jepja prioritet grupit të PS-së, por do e balancojmë . Jemi marrë vesh shume mire bashkë unë ti dhe Ruci” , u përgjigj Meta.
ANGJELI: PROGRAMI OFRON ORIENTIMIN DREJT NJE MODELI TE RI EKONOMIK
Ora 16:53 - Fjala e deputetit të PS-së, Anastas Angjeli u përqëndrua në shpjegimin e shtyllave kryesore të programit qeverisës, që lidhen me orjentimin drejt një modeli të ri ekonomik në vend.
“Ekonomia shqiptare është në përfundim të periudhës së gjatë të evshtire te mundimshme te tranzicionit. Niveli i zhvillimit të kësaj ekonomie, stadi i arritur deri tani në integrimin e ekonomisë europiane lënë për të dëshiruar. Ky program ofron orientimin drejt një modeli të ri ekonomik. Ne duhet të ndajmë mendjen, të përcaktohemi nëse do të jemi thjesht një ekonomi shtojcë e ekonomive të tjera, do të jemi një ekonomi e papionit, apo do të jemi pjesë e ekonomisë globale. Zgjedhja për një model të ri ekonomik të vendit është opsioni i vetëm që do të garantojë parametrat që të gjithë i kërkojmë por nuk i kemi arritur.”- deklaroi Angjeli.
DADE: SFIDAT PER MAZHORANCEN, TE VESHTIRA JO TE PAKAPERCYESHME
Ora 16:30 - Deputetja socialiste, Arta Dade deklaroi gjatë fjalës së saj në Kuvend se mazhoranca e re do t’i rikthejë dinjitetin Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Dades, sfidat për qeverinë dhe maxhorancën e re janë të vështira, por jo të pakapërcyeshme.
“Ky parlament ka standard tjetër me përgjegjësinë e madhe që na vunë mbi supe ata që na vendosën në secilën anë respektive të kësaj salle. Mazhoranca e re ka të tjera standarde, respekti për Kushtetutën, ligji dhe ndarja e pushteteve janë themelet mbi të cilat ngrihet e gjithë veprimtaria jonë. Jemi këtu për të përmbushur premtimet. Sfidat për qeverinë dhe në kuvend janë të vështira por jo të pakapërcyeshme.”- deklaroi Dade.
AMBASADORI ARVIZU MBËRRIN NË PARLAMENT
Ora 16:20 Ambasadori në ikje i SHBA-së Aleksandër Arvizu mbërriti mesditën e sotme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë për të ndjekur diskutimet e ligjvënësve për programin qeverisës.
TAHIRI: LUFTËN KUNDËR KRIMIT DHE MAFIAS, EMERGJENCË KOMBËTARE
Ora 15:45- Qeveria e re e cilëson “Emergjencë Kombëtare” luftën kundër krimit dhe mafias në vend.
Në një kohë që paralelisht me Kuvendin e Shqipëri një grua u vra nga bashkëshorti për shkak të xhelozisë, dhe një 60-vjeçare u gjet e vdekur në garazhdin e pallatit në Durrës, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shpaloi platformën e tij për kthimin në vend të rendit dhe sigurisë teksa paralajmëroi krimin e ‘Byrosë Kombëtare të Kundër Krimit”.
“Cështja më me interes është cështja e krimit. Shifrat e kriminaliteti janë shumëfishuar disa herë. Është një hap para dhe më i mbrojtur nga pandëshkueshmëria. Qytetarët kanë frikë për të jetuar i lirë nga kërcënimi që të vjen pas cepit. Krimi është i lirë nga frika e shtetit. Sot është e domosdoshme të bëjmë të pamundurën të jetojnë të lirë. Ja pse jemi të angazhuar të kthejmë policinë në shet. Ndaj për këtë arsye do të krijojmë “Byronë Kombëtare Kundër Krimit”. Lufta më e vështirë krimi ekonomik, pasi bëhet fjalë për një sistem të organizuar që rrezikojnë vendimmarrjen e institucioneve më të larta. Luftën kundër krimit dhe mafias do e cilësojmë si emergjencë kombëtare. Jemi vendosu të rikthejmë besimin tek policia e shtetit. Ne do marrim masa radikale ndaj armëmbajtjes duke e cilësuar armikun numër një. Do vendosim barazinë para ligjit dhe të shembim murin e të paprekshmëve dhe të ‘fortëve’. Ne duhet të arrijmë në një objektiv të mos ketë më të paprekshëm. Do bëjmë çmos të kthejmë sigurinë në rrugë”, theksoi Tahiri.
TAHIRI-NOKËS: JAM MIRË ME SHËNDET, FALEMINDERIT!
Ora 15:37- Menjëherë pas akuzave të Nokës, e mori fjalën ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, duke ironizuar parafolësin.
“Kur deputeti mbante ligjeratë, një grua u vra në Durrës, një i plagosur në mes të Tiranës tre të vdekur në rrugën e Kombit dhe një i plagosur në Kamzë. Kjo është kronika e pak orëve, megjithatë përpiqet ta kuptoj shqetësimin e parafolësit për familjen time dhe shëndetin tim. Përsa i përket shëndetit këtë gjë e di më mirë se të gjithë ne këtu brenda dikush, që studioi për mjekësi, ai filloi studimet në diktaturë dhe i mbaroi kur hymë në NATO. Dua të besoj se parafolësi donte te shprehte shqetësimin e tij në kuadrin e shqetësimeve që mendja e tij ka në tërësi. Unë jam shumë mirë me shëndet faleminderit”, ironizoi Tahiri.
META TËRHEQ VËMENDJEN E DEPUTETËVE
“Iu bëj thirrje shfrytëzoni kohën në mënyrë racionale dhe ti lini fëmijët dhe prindërit e njëri -tjetrit në shtëpi dhe të merreni me kritika konkrete ndaj qeverisë”, bëri thirrje Meta, pas akuzave që Noka i bëri ministrit të Brendshëm Tahiri.
NOKA: TAHIRI MINISTËR GJYSMAK, HAJDUT KASATOFONASH
15:15 -Ish- ministri i Brendshëm Flamur Noka ka sulmuar ashpër përbërjen e kabinetit të ri qeveritar duke akuzuar pasardhësin tij Sajmir Tahiri si hajdut dhe ‘mik’ i bandave, teksa i ka kujtuar atij arrestimin e të atit për kontrabandë ilaçesh.
“Zoti Rama i shndërrove nga ministra në drejtorë Bashkie, pasi je i bindur se do ju shërbejnë ju dhe klientelës tënde. Qytetarët kanë nevojë për projekte konkrete zhvillimi dhe integrimi. Ju i servirni shqiptarëve një ministër të Brendshëm një njeri të sëmurë, dhe që ka qenë kontigjent për hajdut kasetofonash dhe i cili shëtiste ne fushatë me banda si mundet të jetë ministër, kur babai i tij u kap për kontrabandë ilaçesh dhe evazion fiskal. Ky është një poshtërim që i bëhet policisë së shtetit dhe shqiptarëve”, akuzoi Noka.
Noka sulmoi edhe prezantimin e programit qeverisës së kryeministrit Rama në Kuvend duke e cilësuar atë ‘hartim dhe përralla të mazhorancës së re’ për t’iu shmangur premtimeve të bëra në 23 qershor.
“Shqiptarët prisnin të dëgjonin një program qeverie, por atë panë vetëm përralla dhe dë3shra. Fjalë dhe vetëm fjalë një hartim që zoti Rama dhe shpura e tij do bëjmë histori. Një fjalim fund e krye nihilist që nuk tregon si u bënë çfarë u bënë dhe si do realizohen premtimet që u thanë në fushatë. Në nuk lexojmë as një objektiv dhe formën se si do realizohen. Gjithçka na u lexua si hartim. Të gjithë donin të dëgjoheshin si do ecte para ekonomia e vendit, si do behej i mundur shërbimi shëndetësor falas, si do legalizoheshin banesat falash etj etj... premtime fushate që janë hedhur në fushatë. Në fushatë ju i premtuar shqiptarëve se do hanin me lugë floriri si eterit tuaj, por tani nuk e keni atë hartim por keni kruajua një tjetër”, tha Noka.
PEZA THIRRJE OPOZITËS: VOTONI PROGRAMIN
Ora 15:00 -Deputeti i Peqinit, Alfred Peza i ka bërë thirrje opozitës që të lërë mënjanë emocionet e çastit dhe të japë votën për programit qeverisës. Duke u ndalur tek integrimi, Peza tha se ai është një proces që kërkon bashkëpunimin e të gjithëve.
“Integrimi europian, është edhe një proces i reformave të thella dhe i ndërtimit të një sistemi të tërë vlerash. Treni i integrimit, ecën jo mbi një, por mbi dy shina. Mbi shinën e përafrimit nëpërmjet një procesi negocimi me Brukselin dhe mbi shinën e proceseve të brendshme integruese. Ky është një proces standardesh, harmonizimi dhe lartësimi të Shqipërisë dhe shqiptarëve në çdo aspekt. Për të qenë pjesë “natyrale” e unionit europian, deri në kufijtë e ruajtjes së veçorive të identitetit tonë kombëtar. Integrimi i Shqipërisë në Europë, do të ndodhe vetëm atëherë, kur të gjithë sëbashku, mazhorancë e opozitë, qeveri e Parlament, pushtet qendror e lokal, çdo i ri dhe e re, çdo burrë e grua në këtë vend, do punojmë me të vetmin qëllim. - Vetëm atëherë kur shenjtëria e lirisë, e pronës dhe e së drejtës, do të ngadhënjejnë në këto anë. - Vetëm arëherë kur sistemi i meritokracisë, i vlerave dhe i tolerancës, do të jenë rregullatori i jetëve tona. - Vetëm kur të integrohen më parë të gjithë shqiptarët në Shqipëri, do të vijë edhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Peza.
“Duhet të jetojmë me armiqtë tanë pasi një ditë do bëhen miqtë tanë”, shtoi Peza.
TAVO: PROGRAMI, KORRIGJON GABIMET E ‘BERISHËS’
Ora 14:46 -Deputeti Vangjel Tavo deklaroi se shqiptarët me 23 qershor votuan bindshëm për mazhorancën e re e cila do i kthejë besimin tek institucionet. Tavo tha se programi qeveris i socialistëve është kontratë sociale dhe politike që për me tepër korrigjon gabimet e qeverisjes së PD-së.
“Ky program qeverisës është program i guximshëm dhe inovativ. Është i guximshëm pasi ka votat e shqiptarëve, është inovativ në shumë drejtime dhe ka synim integrimin në familjen evropiane. Mban filozofi evropiane, ndërkohë hartimi i tij ka pasur korrigjimin e gabimeve të qeverisë së shkuar. Shqiptarët votuan bindshëm, në këtë program shpaloset një model i ri ekonomik. Krijimi i një shteti dhe rend që garanton sigurinë e çdo qytetari. Ka në thelb integrimin e vendit duke synuar ti japë fund tranzicionit të stërzgjatur. Më 23 qershor shqiptarët çuan në ngritjen e besimit për ngritjen e në mazhorance të re, ndaj duhet të kthejmë besimin tek institucionet dhe qeveria. Programi është kontratë sociale dhe politike”, tha Tavo.
LESKAJ: PARLAMENTIT DO I KTHEHET TRANSPARENCA
Ora 14:20- Deputetja Valentina Leskaj, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, theksoi se qeveria e shkuar i ka lënë mazhorancës së re vetëm një tufë me letra, ndërkohë që sot kërkohet me emergjencë rikthimi i besimi tek institucionet .
“E kanë votuar PS në një momenti kritik sa i takon zhvillimit ekonomik- social dhe integrimit. E votuan si një mundësi për demokraci sociale dhe shtet ligjor. Sjellja dy muajt e fundit me pasuritë e vendit, janë prova e PD pse e deshën pushtetin dhe pse ikën. Ish-ministrat përmendën një listë emrash dhe ligjesh dërguar Brukselit, por Shqipëria nuk ka nevojë për letra por për zgjidhje. Këtë i keni lënë qeverisë së re, një tufë me letra. Kthimi i besimit tek institucionet e shtetit është angazhim serioz. Parlamenti të mos drejtohet me telefon nga zyrat e qeverisë dhe të mos përdoret për nevojat e ditës së politikës”, tha Leskaj.
Leskaj e cilësoi bojkotin e opozitës ndaj fjalës së kryeministrit Ramasi ‘frikë’ nga Berisha, duke shtuar se do ishte serioze që opozita të votojë programin dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes’.
“Sjellja e opozitës, kur gjatë fjalës së Kryeministrit Rama, ndoqi jo arsyen po frikën, që ka lënë ende pas hija e një lideri autoritarist, të jep pak shpresë. Gjithsesi, unë besoj se sjellja e mazhorancës së re i jep opozitës, të gjitha hapësirat për të luajtur rolin e saj e daljen nga kultura e konfliktit. Ajo që mund të them se fundmi është se me votën tonë pro, ne nuk votojmë thjesht ndërrimin e qeverisë, po i japim udhë projektit të Shqipërisë Europiane, të cilin e kanë besuar e votuar në masë shqiptarët.”- përfundoi Leskaj.
MEDIU-RAMËS: MERRU ME PUNËT E SHTËPISË, SHBA SKA NEVOJË PËR MBESHTETJEN TONË
Ora 14:00 – Ish-Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu e nisi fjalën e tij në Kuvend, me një shprehje të John Kenedit, kur u bë president i SHBA-së, “kur hyra në Shtëpinë e Bardhë, pashë shumë punë të pambaruara, por nuk pata kohë të ankohesha për pasardhësin tim, sepse nuk e di se sa punë do lija edhe unë”.
Deputeti Mediu iu drejtua Ramës duke i thënë se “qeveria e tij nuk fillon nga zeroja, sepse arritjet e qeverisë së mëparshme nuk mund t’i mohosh, si anëtarësimi në NATO, ku ju të parët ishit skeptikë dhe kundër anëtarësimit, ne liberalizuam vizat ku bashkuam të gjithë shqiptarët me familjet e tyre të shpërndara nëpër botë , kjo sigurisht me punën dhe këmbënguljen e çdo shqiptari. Mbështetëm me aq mundësi sa kishim pavarësinë e Kosovës, dhe nuk vepruam si ju që i fyet dhe i përçatë që në vizitën e parë", tha Mediu.
Më tej Mediu akuzoi Kryeministrin Rama se ishte ai shkaktari i shkatërrimit të ëndrrës evropiane për gjithë shqiptarët, prandaj 'populli nuk do të dëgjojë fjalë dhe fyerje për opozitën, por do punë dhe pret realizimin e premtimeve të fushatës'. Fatmir Mediu ka ironizuar mbështetjen e deklaruar nga Rama ndaj luftës në Siri.
Sipas Mediut, "deri më sot nuk na ka pyetur dhe nuk ka kërkuar asnjë mbështetjen tonë ndaj Sirisë, por unë po të pyes se me çfarë do e ndihmosh SHBA-në, kur thua se qeveria e mëparshme nuk ka lënë katastrofë, prandaj le të merremi me punët tona të shtëpisë”.
Ish-ministri Mediu, garantoi se opozita nuk do hezitoje të bashkëpunoj me qeverinë për projektet e mëdha.
HALIMI: NUK KEMI PYETJE PËR NJË PROGRAM BOSH
Ora 13:40 - "Ne nuk bëmë asnjë pyetje se aty ishte bosh. Nuk kishte asgjë”, theksoi Halimi për procedurë pas Xhafaj.
XHAFAJ: RAMA KA NJOHUR MERITAT E BERISHËS, STANDARD
Ora 13:26- Deputeti Fatmir Xhafaj vuri në pah faktin se kryeministri Rama në të kundërt të paraardhësit të tij i ka njohur meritat duke vendosur standard. Xhafaj akuzoi demokratët se po përhapin lajme të pavërteta sa i takon programit qeverisës, teksa theksoi se problemi qëndron tek të pavërtetat e mëdha në shifrat e qeverisë së shkuar për varfërinë.
“Kryeministri Rama në disa deklarime publike njohu disa arritje dhe punë të dobishme e të qeverisjes së mëparshme dhe i shtrimë dorën opozitës së sotme duke ndërtuar një qasje ndryshe dhe jo sjellje denigruese si ajo e mëparshme. Ju krijuat një pseudo lajm për programin dhe shmangët një të vërtetë. Që shqiptarët sipas INSTAT tuaj janë më pak të varfër. Sot shqiptarët jetojmë me më pak se 1/ 40 e pagës sonë. Ky është lajmi i vërtetë dhe duhet të punojmë me më përgjegjësi. Duhet të kuptojmë se jemi vendi më i varfër i Evropës. Ne jemi këtu për t’iu dhënë njerëzve drejtësinë e mohuar”, theksoi Xhafaj.
“Disa nga ju shohin si fajtorë ambasadorin amerikan dhe ndërkombëtarët se na dhanë disa këshilla. Por, ju duhet të kërkoni gjetkë përgjegjësinë e humbjes. Ju keni frikë për ndëshkimin e nesërm. Kush ka shkelur ligjin do të dënohet. Vota e 23 qershori ishte votë ndëshkuese”, shtoi Xhafaj.
HALIMI: I SHKRETI RAMA, KA MLEFF. PROGRAMI I TIJ, COPY PASTE
Ora 13:00- Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka mllef hakmarrës ndaj opozitës së re, teksa sulmoi programin qeverisës për plagjiaturë, pasi sipas tij një pjesë e reformave të bëra aty janë kryer tashmë nga qeveria “Berisha’.
“Kurrë nuk e kishte dëgjuar bota se një kryeministër i ri në paraqitjen e programit të tij politik të kishte mllef dhe vrer për hakmarrje. I shkreti ai për vrerin e hakmarrjes. Ai u përpoq të nxijë gjithçka ishte arritur si alibi për ti iku premtime. 8 vjet më parë latë një Shqipëri me trafikantë dhe banda. Na latë Shqipërinë e gomoneve, krimit të organizuar të korrupsionit, ku bandat ishin në simbiozë me politikanët. Na e latë vendin ku marrja e statusit duket diçka e largët. Ne hoqëm vizat dhe kryem reforma. Reformuam sistemin e drejtësisë. Lexova programin dhe ky program nuk ka model qeverisje, por bën plagjiaturë dhe nuk njeh realitetin. Pasi një jesh e atyre që thuhet aty janë përfunduar, si përshembull dixhitalizimi i gjykatave” tha Halimi.
Halimi shprehu mungesë besimi edhe në premtimin e Kryeministrit për luftë kundër korrupsionit, pasi, sipas tij, "Bashkia e Tiranës, në kohën kur drejtohej nga Edi Rama, ishte institucioni më i korruptuar". Në fjalën e tij, referuar programit qeverisës, gjithashtu shtroi pyetjen se “kur do të fillojë dhënia e tapive siç u premtua, dëmshpërblimi i të përndjekurve, etj”. Ndërsa përpjekjet e Ramës për të nxirë, siç u shpreh ai, çdo arritje të qeverisjes së djathtë, nuk janë gjë tjetër veçse alibi për t’ju shmangur premtimeve të bëra prej tij”.
“Rama ka qëllim të mbrapshtë për të centralizuar pushtetin”, tha Halimi, por nuk do e lejojmë”- shtoi ai.
MAJKO: QEVERIA “RAMA” NUK KRAHASOHET ME “PAPANDREUN”
Ora1 2:57- Deputeti i PS, Pandeli Majko gjatë fjalës së tij në Kuvend, i “dha” përgjigje opozitës se krahasimi që kjo e fundit i bën programit të qeverisë “Rama”me atë të Papandreut është i pavend, sepse situata që ka lënë qeveria e mëparshme nuk krahasohet me Greqinë, madje qeveria “Berisha” e ka lënë me keq, në kushte ekstreme.
Pandeli Majko deklaroi se: " Qeveria e re me programin e saj 4-vjeçar është zotuar për zgjidhjen e problemeve, por sigurisht vështirësitë janë të mëdha sepse ndodhemi përpara një “tufe borxhesh”. Të gjitha projektet e mëdha që qeverisja e djathtë nuk i ka përfunduar për mungesë fondesh, si rruga “Durrës-Kukës”, apo “Rruga e Arbërit” që është në një gjendje akoma më të keqe, apo dështimi me privatizimin e “Alpetrolit”, vlen shprehja “nuk dihet ku është dera e ku është dritarja”. Sipas Majkos, pronarët e vjetër dhe ish-të përndjekurit do kenë një plan të përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje në kohë këtij problemi. Deputeti Majko, foli edhe për situatën në të cilën është administrata shtetërore.
Sipas Majkos, në administratën shtetërore gjen individë që rëndom e kanë kthyer atë një biznes të rëndomtë, në një gjendje “turpi”. Lëvizjet në administratë mund të kenë tendenca politike, por kjo vjen si pasojë e qeverisë së mëparshme. Ky ristrukturim administrativ do të vijë si pasojë e reformës financiare në vend, prandaj kërkoj që Ministrit të financave Shkëlqim Cani t’i jepet përkrahja e nevojshme dhe më e madhja. Financat e vendit qeveria na i ka lënë, ku mungon vetëm shprehja “të rroni vetë”. Prandaj qeveria e re është një emergjencë për vendin tonë – përfundoi fjalën deputeti Majko.
PATOZI: BASHKËKRYEMINISTËR META-RAMA, PD JU LA ÇELËSAT E SHQIPËRISË ‘NORMALE’
Ora 12:39 - Ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, ju drejtua me titullin ‘bashkëkryeministër’, aleatëve Ilir Meta dhe Edi Rama, teksa theksoi se ato trashëgojnë nga demokratët një Shqipëri normale dhe të shëndoshë ekonomikisht në letra si dhe çelësat e atdheut për të cilën shqiptarët.
“Të nderuar kolegë. Zoti bashkëkryeministër, tashmë i zgjedhur, Ilir Meta. Zoti bashkëkryeministër, që pret të votohesh, Edi Rama. Po ju drejtohem juve, në radhë të parë, meqë sot është dita e votëbesimit të qeverisë me dy koka, dhe kjo nuk është inerci e festimeve të 100- vjetorit të Pavarësisë. Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale. Ne fakt, ky përcaktim vlen më shumë për bashkëkryeministrin e dytë, se i pari e ka më të qartë çështjen, sidomos për katër vitet e fundit. Nuk është një Shqipëri perfekte, sepse nuk kemi pretenduar asnjëherë që kemi qenë të pagabueshëm në qeverisje, por një vend dinjitoz, anëtar i NATO-s, me shumë probleme ende të pazgjidhura, por me një varg të gjatë arritjesh të jashtëzakonshme. Por sot ndoshta nuk është dita për të bërë një bilanc të plotë tetëvjëcar dhe për të shprehur krenarinë tonë për gjithçka ndërtuam dhe bëmë në këtë vend gjatë këtyre viteve. Sot po merrni në dorëzim çelësat e një atdheu, ku, jo vetëm thjesht për shkak të heqjes së vizave, shqiptarët janë shumë herë më kryelartë se 8 vite të shkuara. Po dorëzohet me inventar një Shqipëri e gatshme për të rritur shpejtësinë e integrimit në Bashkimin Europian, dhe kjo aspak për meritë të dy palëve. Unë nuk pres prej jush që keni të njëjtin pasion si ne për ëndrrën europiane, por të paktën mos u bëni ferrë nëpër këmbë e udhëtimit tonë drejt Brukselit. Keni përballë një opozitë, që nuk do të bllokojë asnjë ditë të vetme procesin, siç e bëtë ju paturpësisht për vite me radhë”, deklaroi Patozi.
"Por edhe katër vjet më parë, Shqipëria ishte gjithashtu një vend normal, kryesisht falë arritjeve tona në mandatin e parë. E megjithatë, në shtator të 2009-ës, pothuajse gjysma e kësaj salle ishte bosh. Sepse Shqipëria ishte vend normal, por kishte opozitë një anormale. Dhe për këtë asokohe ishte dakord me ne edhe bashkëkryeminisri tashmë i zgjedhur i kësaj qeverie, zoti Meta. Opozita e Edi Ramës bojkotoi parlamentin për gjashtë muaj, ndonëse nuk kishte asnjë provë për pretendimet e saj se ishin manipuluar zgjedhjet. Opozita e sotme qëndron në këtë sallë në respekt të plotë të zgjedhësve të vet dhe të misionit të saj, ndonëse ka qindra prova për deformim të fortë të rezultatit, në të paktën dy qarqe të vendit, ku u faktua plotësisht se mazhoranca e sotme përdori falangat dhe paratë e krimit për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve", shtoi Patozi.
Patozi sulmoi dhe përbërjen e kabinetit qeveritar. Duke risjellë në vëmendje e grevën e socialistëve të para 4 viteve në shesh, Patozi tha se asnjë grevist nuk është ministër. Ish-numri dy i PD-së u ndal dhe tek fjala që sipas tij kryeministri ende i pa votëbesuar mbajti në Kuvend duke e akuzuar se nuk kërkoi ndjesë çfarë i bëri vendit me bojkotin e tij.
“Katër vjet më parë, shumë prej kolegëve tanë ishin futur në çadrat e turpit para kryeministrisë në atë ashtuquajturën grevë urie, më e shëmtuara dhe më e palavdishmja që është zhvilluar ndonjëherë në këtë botë. Dhe si për ironi të fatit, asnjëri prej Vrana Kontëve, që u ngujuan në ato çadra, nuk është sot i propozuar për kabinetin e ri të Edi Ramës. Ministra janë vetëm ata, që u çonin ushqime dhe u bënin roje natën me fener tek koka, se mos i hante Sali Berisha, teksa flinin. Tani Berisha nuk është më kryeministër, por disa prej tyre janë, në rastin më të mirë, njësoj deputetë si atëherë, disa të tjerë nuk janë më fare në këtë sallë, por ju edhe për këtë mund të thoni se fajin e ka prapë Saliu. Edi Rama nuk denjoi as formalisht të sillte në parlament një program serioz. Jo se nuk kishte njerëz, madje edhe vetëm po t’i futej, mund ta bënte një projekt të mirë, sepse nuk mund t’i mohohet që e përdor mirë fjalën, sidomos atë të shkruarën. Edi Rama nuk e mori mundimin, jo thjesht për të injoruar parlamentin, por më shumë se nuk ka ndërmend të bëjë asgjë serioze për shtetin dhe për vendin, sa të jetë në krye të kësaj qeverie. Dhe solli atë sallatë dëshirash, fotografish, përshkrimesh dhe CV-sh, ku mungonin afatet, faturat, mjetet dhe çdo shpjegim tjetër se si do të mbahen disa prej premtimeve elektorale, ndërkohë që shumë prej këtyre të fundit kanë avulluar dhe nuk përmenden më fare. Për sa më sipër dhe për të tjera që nuk mund të thuhen të gjitha në një fjalim: Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe opozitën e saj! Për sa më sipër dhe për të tjera që nuk mund të thuhen të gjitha në një fjalim: Zoti e faltë këtë qeveri, sepse as ai vetë e nuk e shpëton dot nga dështimi!", tha Patozi.
HAXHINASTO: PROGRAMI, VIZION MODERN
Ora 12:50- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se ky është një program që ka si qëllim zhvillimin dhe që mori siç tha ai, mbështetjen e mbi 1 milion shqiptarëve.
“Ky është program i bazuar në parime themelore të mirëqeverisjes dhe zhvillimit. E mbështetën mbi 1 milion shqiptarë. Shqiptarët kanë pasur vizionin, urtësinë dhe zgjuarsinë për të bërë zgjedhjen e duhur. Programi trajton dhe zgjidh probleme, sjell një besim të ri tek qytetari, konsumatori por edhe tek komuniteti i biznesit, ka një vizion modern se ku duhet të investojë qeveria”, tha ai.
Haxhinasto shtoi më tej se, “Programi ynë ka në qendër Europën, për tu bashkuar me të”.
Punësimi, sipas tij është një tjetër objekti madhor. “Ne garantojmë se do mbajmë premtimet. Ne duam të ofrojmë shërbime më të mira cilësi më të madhe jetese, kjo realizohet duke realizuar atë që ka në program”, shtoi ai.
HALIMI REPLIKË ME METËN
Ora 12:26 -Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi i kërkoi kryetarit të Kuvendit Ilir Meta që të respektojë rregulloren dhe të harmonizojë fjalën mes grupeve.
“Do i rrimë rregullores 1 më 1. Nuk i jepet fjala zotit Bushati, por atij që kërkon fjalë. Atij që e kërkon për procedure dhe jo zotit Bushati. Zoti Bushati nuk ka të drejtë të marrë fjalën. Duhet të shihte folur Bushati, t’ia kishte shtrembëruar fjalën zonja Bregu dhe më pas ai të kishte kërkuar replikë. E treta lidhur me të drejtën e fjalës, duhet që fjala ti jepet të gjithëve, por duke harmonizuar grupet parlamentare”, tha Halimi.
Kryeparlamentari Meta, ftoi deputetët të mos përmendin shumë emra por ti përmbahen rendit dhe procedurës së seancës. Teksa ka paralajmëruar një takim me krerët e grupeve parlamentare Paloka dhe Ruci për rregulloren e Kuvendit.
“Ju falënderoj për ndërhyrjen. deri tan jemi dy me dy. Së dyti fjalën e parë e mori grupi i PD-së, së treti zoti Bushati e kërkoi para jush. Unë do ju ftoja të mos e përmendim shumë njëri-tjetrin me emra. Sa i takon çështjes së shtrembërimit ajo kërkon interpretim. Unë do takohem me kryetar e grupeve për rregulloren. Ju kërkoj të jemi konstruktiv, ti përmbahemi rendit dhe të përmendim sa më pak emra”, tha Meta.
BUSHATI: BREGU, HERA E PARË PAS KAQ VITESH QË FLET PËR INTEGRIMIN
Ora 12:22- “Integrimi” ka ngjallur debatin mes deputetëve të mazhorancës dhe pozitës në sallën e Kuvendit. Deklaratat e ish-ministres Bregu kanë ngjallur replika mes saj dhe Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
“Së pari doja ta siguroja parafolësen se pjesa e programit tonë është program i qeverisë dhe nuk është bërë vetëm nga njëra palë. Ju falënderoj, por do ketë bashkëpunim të ngushtë dhe kushdo që do zgjidhet kryetar i komisionit tuaj të bëjë diçka më të mirë. Më vjen mirë që për herë të parë pas kaq vitesh të dëgjoj që flet për çështjet e integrimit. Të falënderoj që u rreshtove kundër krimit të organizuar dhe së dyti duhet të jeni më modest. Mos e ndani këtë sallë dhe shqiptarët me ne dhe ju. Atë që keni bërë ju në këtë proces, u shpreh Bushati, është një gjë që ne do të vazhdojmë ta vijojmë. Atë qe se keni bërë ju, vijoi ai, ne do ta bëjmë shumë mirë në mënyrë që të jetësojmë ëndrrën evropiane. Kemi kopjuar të gjitha kërkesat dhe listën e detyrave që ju nuk bëtë në qeveri gjatë këtyre viteve”, replikoi Bushati.
BREGU: ASNJË DATË PËR INTEGRIMIN, VETËM FJALË
Ora 12:17- Deputetja e PD-së Majlinda Bregu, duke u ndalur tek kapitulli për integrimin, akuzoi qeverinë Rama se në programin e saj nuk ka asnjë datë për projektet e integrimit, por vetëm fjalë. “Nuk ka asnjë datë për integrimin, përveç fjalëve, asnjë shifër, asnjë të dhënë. Nuk janë afatet kohore për kapjen e trenit të Europës”, tha ajo.
Sipas Bregut, “ Rama e ndali këtë tren për 3 vjet. Mbi ty zoti kryeministër do rëndojë bllokimi i Shqipërisë në rrugën drejt BE”.
Bregu shtoi më tej se, “Marrja e statusit dhe fillimi i bisedimeve, këtë e kuptova që prisni të ngrini gota shampanje që do ta keni dhuratë, sepse detyrimet janë plotësuar për marrjen e statusit. Nuk e thoni kur do arrihet kjo? Keni frikë mos del ndonjë problematikë në lidhje me korrupsionin dhe grupin e organizuar kriminal në grupin tuaj?”, shprehet ministrja më tej.
"Integrimi i Shqipërisë në BE për PS nuk është thjesht një slogan, por një program politik, ka thënë në fushatë ish- kryetari i komisionit të Integrimit, z.Bushati, sot ministër i Jashtëm", tha ndër të tjera, ish-ministrja e Integrimit, Bregu.
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Bregu tha se, “Rrugën për ta kapur trenin e BE do ta gjesh të shtruar si rrugët që gjeje kudo shkojë nëpër Shqipëri. Falëndero qeverinë pasardhëse për kontributet”.
BASHKIM FINO: DO I JAPIM PUSHTET QYTETARIT
Ora 11:48 - Deputeti socialist, Bashkim Fino theksoi se mazhoranca e re ka arsye të fortë për të plotësuar programin qeverisës me qëllim kthimin e pushtetit qytetarit.
“Qeveria socialiste do të bazohet në një model të ri ekonomik i cili do të synojë rritjen ekonomike. Qeverisja jonë synon të mbyllë epokën e informalitetit. I ka ikur koha bllokimeve të fondeve për arsye politike. Mazhoranca jonë i ka arsyet për të plotësuar këtë program. Cilat janë arsye të votosh këtë program, është kryerja e reformës administrative, rritja e transparencës dhe llogaridhënies dhe më shumë pushtet për qytetarët”,
BRACE: BERISHA NGRITI REPUBLIKËN E KORRUPSIONIT, RAMA DO KETË KUNDËRSHTAR MAFIAN
Ora 11:30- Deputeti Erjon Brace akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ministrat e tij së ngritën shtetin privat, futën korrupsionin në institucione, ngritën monopolet e në pasuritë kombëtare të vendit, ndërtuan ekonominë në të zezë dhe futën krimin e organizuar në kontratat qeveritare. Brace premtoi se qeveria “Rama” do të zhbëjë shtetin e korrupsionit që Berisha i la vendit, ndërkohë që kundërshtari më i madh do jetë mafia.
"Shtetin privat”, “Ekonominë për vete”, “Shërbimet e monopolizuara”, “Ekonominë e Zezë”, “Krimin e organizuar”. Pushteti real në këtë vend është i gjithi këtu. Po i marr me radhë: Së pari, “Shtetin privat” që këta ndërtuan!! Shtetin ku: Polici bën privatin ndaj çdo shqiptari që gjobit, por dhe keqbërësi që favorizon e nga merr dyfishin e rrogës; Taksidari bën privatin ndaj çdo sipërmarrësi që gjobit, por dhe evazori që favorizon e nga merr katër fishin e rrogës; Komisioneri bën privatin ndaj çdo biznesi qe skualifikon në tender, por dhe klienti që favorizon e nga merr tetë fishin e rrogës etj,…Së dyti, “Ekonominë për vete” që u vendos!! Ekonominë ku përdorën por denatyruan totalisht natyrën e privatizimit, si një nga elementët e ristrukturimit të ekonomisë, përshtatjes së saj me lirinë e tregut dhe konkurrencën, në: - Transferim të monopoleve natyrore-shtetërore, (CEZ, ARMO, Albpetrol, Albtelecom, Porti i Durrësit, miniera e kromit e bakrit etj) - Transferim i të drejtave ekskluzive/sovrane të shtetit e më pas, të të drejtave mbi “zhvillimin” (në fakt ishte shfrytëzimin) e burimeve të pasurisë natyrore kombëtare, pa shpërblim (6 marrëveshje për naftë e gaz, 190 leje minerare në krom, bakër, ar, argjend, zink, 100 kontrata për shfrytëzimin e burimeve ujore për energji, dhjetëra kontrata për shfrytëzim pyjesh e kullotash-këtu edhe me qëllimin ekskluziv të përdorimit për fabrika çimentoje, shërbimet e detyruara me ligj për qytetaret e bizneset, Lotaria Kombëtare). Së treti, “Shërbimet e monopolizuara” që u ligjëruan!! Shërbimet ku: - Çmimi i kontrollit teknik të automjetit;- Pajisja me pasaportë e dokument identiteti nga 1 janari i 2015; - Ngjyrosja e gjurmimi i karburanteve për efekt administrimi, si monopol privat, do t’i bëjë shqiptarët të paguajnë 20-30 milion euro çdo vit/200-300 milion euro në total etj. Së katërti, “Ekonominë e zezë” që zgjeruan!! Në fakt është ekonomia në të zezë, ajo që punon pa fatura ose me dy palë fatura, me dy palë regjistra vlerash e sasish, çmimesh, me dy bordero, në fund- me dy bilance, e stimuluar dhe mbrojtur fort nga marrëdhënia klienteliste dhe e korruptuar Qeveri-familjare-miq, e që u rrit duke marrë shumë nga njerëzit, paguar asfare deri pak për shtetin, përfituar në maksimum për vete. 100 kompani të mëdha funksionojnë kështu dhe bilancet e tyre kishin garancinë e një firme, firmës së “ekspertes kontabile” të Familjes. Ka një nevojë kombëtare për ligjshmëri në ekonomi, mundësi të barabarta që rrjedhin nga ligji, as nga kryeministri, ministri, zëvendësministri, drejtori, të qenit klient tek ta, dhe ne do t’i përgjigjemi. Së pesti, “Krimin e organizuar” që këta e rriten brenda ekonomisë!! Krimin që: - Ka hyrë në ekonomi, në një marrëdhënie të fortë të pastrimit të parave të pista (ardhur nga aktivitete kriminale jashtë apo brenda vendit) në sektorë kyç të saj dhe përfitimit të më shumë se kaq, disa herë më shumë se paratë e pastruara, prej ekonomisë”, deklaroi deputeti Erjon Brace.
SPAHO: RAMA NA SFIDOI, NISI DIKTATURËN E RILINDJES
Ora 11:34- I pari që mori fjalën në debat, ishte deputeti i PD-së Edmon Spaho njëherësh zv.kryetari i Kuvendit. Ai e quajti fjalën e kryeministrit Rama në seancën e parë të Kuvendit, si mënyrë për të sfiduar opozitën. Spaho tha se Rama nisi kështu diktaturën e Rilindjes.
“Qëllimi i tij ishte të sfidonte opozitën, t’i ulte asaj kokën, me retorikë të harruar u përpoq t’i thotë opozitës se ligji jam unë, prokurori dhe gjykatësi jam unë, sepse nga sot po fillon diktatura e Rilindjes dhe ngritja e bijve që mezi presin të marrin hak për rënien e etërve 20 vite më parë”, tha Spaho.
Sipas tij, “Ne nuk jemi këtu për tu nëpërkëmbur, por për të mbrojtur kontributet që i kemi dhënë këtij vendi në 22 vite. nëse dikush mendon se na poshtëron i ka bërë llogaritë gabim”, u shpreh deputeti.
Spaho renditi më tej një sërë pikash të programit të qeverisë, të cilat siç tha ai nuk përputhen me premtimet që ka bërë Rama gjatë fushatës. "Qeveria e re e Edi Ramës na ka premtuar një model të ri ekonomik, i cili do të na bëjë të hamë me lugë flori, por është e vështirë të dallosh se si do të funksionojë modeli i tij ekonomik. Veç premtimeve se do të mbushin gropën financiare, dhe se do të ngushtojë defiçitin tregtar dhe të bilancit të pagesave, strukturimit të biznesit dhe përmirësimin e dialogut me ta, nuk gjen asnjë karakteristikë të ashtuquajtur modeli i ri ekonomik", tha Spaho.
Sipas tij, ekonomia e vendit është zhvilluar dhe do vazhdojë të zhvillohet me burimet e saj të brendshme, të cilat mund të shtohen ose pakësohen në varësi me reformat që do të ndërmerren.
"Ne presim nga modeli ekonomik i Ramës që së paku t'i japë vendit 10 mijë km rrugë në çdo cep të vendit, të ndërtojë dhe rikonstruktojë 1300 shkolla dhe qindra kopshte e çerdhe anë e mbanë vendit, mbi 70 ujësjellësa në qytete e fshatra, dhe mbi 16 impiante përpunimit të ujërave. Ky model duhet të trefishojë eksportet, të rrisë prodhimin bujqësor më së paku 30 % dhe të trefishojë eksportet e kësaj dege si dhe të hapë realisht qindra e mijëra vende pune dhe qindra e mijëra biznese private në Shqipëri", tha ndër të tjera Spaho.
EDMOND SPAHO ZV. KRYETAR I KUVENDIT
Ora 11:11- Kuvendi ka zgjedhur sot nënkryetarin e propozuar nga Partia Demokratike, Edmond Spaho. Kandidati i PD-së, mori 99 vota pro, asnjë kundër dhe vetëm një votë abstenim.
GJERMENI: MORATORIUM PËR NDËRTIMET PA LEJE AFËR KALAVE
Ora 11:00- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni teksa iu përgjigj një pyetje të deputetit të Beratit, se çfarë do bëhet për rritjen e numrit të turistëve në Berat, tha: “Kjo pyetje e ka përgjigjen në të gjithë strategjinë e programit të qeverisë. Synojmë të rritet jo vetëm numri i turistëve por edhe koha e qëndrimit të tyre. Premtojmë vendosje moratoriumi për frenimin e ndërtimeve pa leje në kalatë e Gjirokastrës, Beratit etj, që të ruhen vlerat që mbrohen edhe nga UNESKO. Berati do jetë pjesë e fushatave promovuese”, tha ajo.
GJIKNURI: TRANSPARENCË PROCESEVE TË PRIVATIZIMEVE
Ora 10:55- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri iu përgjigj shqetësimit të deputetit të Vlorës në lidhje me defektet në sistemin e shpërndarjes së energjisë. Gjiknuri tha se, “ Ky është një shqetësim që ka dalë edhe nga zona të tjera, OSSH është i privatizuar dhe i dështuar, kjo si pasojë e privatizimit. Kjo është ndërmarrje e pavarur, por ne do ushtrojmë trysni pozitive tek ERE që të marrë masa të përmirësojë shërbimet”, tha ai.
Në lidhje me shkurtimet në Albpetrol, pyetje kjo e depozituar nga një deputet i Beratit, Gjiknuri u përgjigj se, “Ato kanë ardhur si rezultat i privatizimit që e dimë që dështoi, ne do i kushtojmë vëmendje të bëjmë transparente sa punonjës janë të nevojshëm. Do bej c’mos që të ndërtohet një raport i drejtë”, shtoi ai. Gjiknuri tha më tej se, do të bëhet transparencë mbi proceset e privatizimeve, që siç tha ai, “pasuria kombëtare të mos ikë në mënyra jo transparente”.
CANI: DËMASHPËRBLIMET E PËRMBYTJEVE NË SHKODËR, SIPAS RADHËS
Ora 10:50- Ministri i Financave Shkëlqim Cani iu përgjigj një pyetje drejtuar nga deputeti i Lushnjes, për sa i përket një drejtorie bujqësore, që ky qytet nuk e ka. Sipas Canit, “Do gjejmë zgjidhjen që qytetarët të mos sorollaten”, tha ai.
Ndërsa pyetja tjetër ndaj tij u drejtua nga një deputet i Shkodrës, në lidhje me dëmshpërblimet e përmbytjeve. Cani tha se, “Jemi të gjithë në dijeni që janë me dhjetëra miliardë lekë detyrimesh që ka lënë qeveria e ikur, dimë që gjendja e bilancit dhe e buxhetit është e rëndë por jo pashprese. Do bëjmë me ekspertë të FMN dhe vendas një skanim të borxheve të paregjistruar, përfshirë edhe këtë, brenda mundësive të buxhetit do vendoset radhë”, tha ai.
PANARITI: NDËRHYRJE EMERGJENTE PËR PËRMBYTJET NË SHKODËR
Ora 10:45 - Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, gjatë seancës së sotme plenare, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës, bëri të ditur se qeveria ku ai bënë pjesë dhe ministria që ai drejton ka hartuar një strategji për dëmshpërblimin e fermerëve të cilët dëmtohen nga katastrofat natyrore si përmbytjet, etj.
"Katastrofat natyrore janë të pashmangshme, për këtë arsye Ministria e Bujqësisë dhe Qeveria në tërësi ka hartuar një strategji për dëmshpërblimin e fermerëve. Kjo strategji fillimisht, theksoi Panariti, do të aplikohet si projekt pilot në zonat më vulnerabël e më tej do të implementohet në të gjithë territorin dhe do të jetësohet me anë të fondit të emergjencave”, nënvizoi ai.
Sa i takon përmbytjeve në qarkun e Shkodrës apo fushën e Maliqit në Korçë, Ministri Panariti bëri të ditur se për këtë duhet një ndërhyrje emergjente që duhet bërë menjëherë.
“Ministria e Bujqësisë është një nga aktorët kryesorë sa i takon disiplinimit të ujërave në këto zona. Prandaj Ministria e Bujqësisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme për riparimin e hidrovoreve, kanaleve të kullimit në pikat kritike, si Hidrovorin e Lezhës, në Tale, i cili ka nevoje për ndërhyrje emergjente dhe stabilizimin e tij", theksoi Ministri i ri i Bujqësisë, ndërsa sa i takon fushës së Maliqit, ai bëri të ditur se Ministria ka gati një projekt plan gati për t’u implementuar, ku në qendër janë jo vetëm kanalet e kullimit, por dhe një strategji për prodhimin dhe daljen në treg të tij.
Një tjetër pikë e qasur nga Ministri Panariti është orientimi i fermerëve në prodhim dhe nxjerrjen e produktit në treg.
Kështu, Panariti bëri të ditur se, Qarku i Korçës, një nga rajonet më tradicionale në prodhimin dhe kultivimin e produkteve bujqësore edhe kjo në sajë të traditës së mirë instaluar në këtë qark do të ketë pjesë parësore në politikat e qeverisë.
Po ashtu, tha Ministri i ri i Bujqësisë, tha se “zona e Myzeqesë, hambari i Shqipërisë në prodhimin bujqësor, do të ketë një vëmendje të veçantë. Natyrisht ne nuk do subvencionojmë vetëm përpjekjen, por do të implementojmë program të qartë mbi mënyrën se si do të prodhohet, grumbullohet dhe për daljen në treg të produktit, duke e çuar atë për përpunim apo tregtimin e tij si produkt të thjeshtë”, përfundoi Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
HAXHINASTO: DO PËRFUNDOJMË VEPRAT E MËDHA TË LËNA PËRGJYSMË
10:41 - "Përfundimi i projekteve që janë në proces do të jenë prioritet për qeverinë e re", tha ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto. Haxhinasto iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për programin e qeverisë për transportin dhe infrastrukturën në seancën plenare që po zhvillohet të shtunën. Pyetjet e deputetëve ishin të fokusuara në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës rrugore, konkretisht Levan-Tepelenë dhe Rruga e Arbrit, Lushnjë-Berat dhe Fier-Berat, por edhe zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe aeroportuale në funksion të zhvillimit të turizmit në bregdetin jugor.
"Vangjel Tavo i qarkut të Gjirokastrës, ka pyetur për parashikimin e përfundimit të aksit rrugor, Leva-Tepelenë. I filluar brenda 9 vjetësh dhe i pa përfunduar dhe thotë se vlera ka kaluar 50 % të saj. Unë e siguroj se çështje prioritare do jetë përfundimi i të gjithë veprave që nuk janë përfunduar. Pyetje nga Shkëlqim Selami, nëse është parashikuar ngritja e një pisti për tragete dhe kryera. Ne kemi parashikuar ridimensionimin e porteve dhe ndarjen e punës. Pyetja e dytë e tij a është parashikuar ngritja e portit në Vlorë, po është parashikuar. Pyetje tjetër Selamit, është parashikuar që drejtoria rajonale në Gjirokastër të rikthehet në Vlorë, kjo është çështje menaxhimi dhe përfitoj ti përgjigjem njëkohësisht deputeti të Fierit Petrit Vasili, që shpreh vështirësitë e qytetarëve të Fierit për patentat, dhe atë e siguroj për shërbim të mirë për qytetin. Pyetje tjetër është nga deputeti i qarkut Shkodër, Agron Çela, që pyetet për ndërtimi ne dy unazave jetike për qytetin. Unë i them se është një nga parimet tona që rrugët kryesore të mos kalojnë përmes qyteteve, por në anë të tyre që të ketë më rrjedhje. Pyetja e fundit nga deputeti i Dibrës, Spahiu, që pyet për ndërtimi ne rrugës së Arbrit. Është prioriteti ynë absolut që akset në proces të përfundojnë në mënyrë prioritare”, u shpreh ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto.
BEQJA: DO CLIROJMË TERRITORET E SPITALEVE NË 100 DITËT E PARA
Ora 10:39- Në seancën e Kuvendit për programin e Qeverisë për vitin 2013-2017, Ministri i ri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, tha se do të çlirojë territoret e spitaleve brenda 100 ditëve të para. Ai ju përgjigj dy pyetjeve të bëra nga deputeti Eduart Bejko.
“Dy pyetje nga deputeti Eduart Bejko. E para kush është plani juaj konkret për çlirimin e institucionit spitalor? Është shqetësim në rritje i bluzave të bardha për vështirësitë që ndjejnë në punën e tyre. Jemi të angazhuar që brenda 100 ditëve territoret spitalore ti çlirojmë nga bizneset private. Pyetje tjetër ka të bëjë me nxitjen e punës në sektorin publik se pacientet shkojnë tek privati? Sot ofrohen dy shërbimet. Ne synojmë që shërbimi kombëtar shëndetësor të jenë kryesor. Sistemit jo publik e shohim si plotësues në përmbushjen e sistemit tonë”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.
META: JANË REGJISTRUAR 26 PYETJE
Ora 10:30 - "Vijojmë me përgjigjet e pyetjeve nga ministrat. Janë regjistruar 26 pyetje, ftoj Ilir Beqen, Ministër i Shëndetësisë për të filluar serinë e përgjigjeve” u shpreh Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
META: NDERIM STUDENTËVE TË DHJETORIT, TË PUNOJMË PËR BE-në
Ora 10:15- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, çeli seancën e sotme plenare me një fjalim në nderim të Heroit të Demokracisë , Azem Hajdari. Meta falenderoi qytetarët dhe personalitetet që morën pjesë në homazhet për Heroin e Demokracisë, Azem Hajdari si dhe deklaratën e kongresmenit Eliot. Kryeparlamentari shprehu bindjen se "duke punuar të gjithë së bashku, për të përmbushur ëndrrën e tij dhe të gjeneratës që përfaqësoi për ta bërë Shqipërinë sa më parë anëtare të denjë të BE-së, do t'i bënim nderimin më të merituar emrit të Azem Hajdarit dhe idealeve të lëvizjes historike të dhjetorit ‘90 që ai udhëhoqi", deklaroi Meta. Seanca vijoi me punimet me diskutimet rreth programit qeverisës, 2013-2017, mes ministrave dhe deputetëve.
(ma.ar/e.m/m.s/er.nu/d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Programi i qeverisë, Basha: Përballja me gënjeshtrat nis sot Kuvend, Noka: Ministri i Brendshëm gjysmak. Tahiri: Jam mirë me shëndet, faleminderit! Statusi, Meta: Në Kuvend frymë konstruktive për objektivin madhor, Sequi: Besojmë tek ju VIDEO: Kuvend, debate mbi programin e qeverisjes VIDEO: Kuvend, Noka: Ministri i Brendshëm gjysmak. Tahiri: Jam mirë me shëndet, faleminderit!