E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët hyjnë me forcë në stadium, Kamza-Ada luhet me polici private

TIRANË- Çështja e stadiumit të Kamzës jo vetëm që është kthyer në një mollë sherri mes Bashkisë së këtij qyteti dhe drejtuesve të ekipit me të njëjtin emër, por ka shënuar edhe incidentin e radhës. Tifozët e irrituar kanë sulmuar policinë bashkiake të Kamzës që ndodhej përpara stadiumit, kanë spostuar furgonin e tyre dhe për pak minuta janë sistemuar në stadium. Më pas kanë ardhur forcat e rendit, të cilët nuk kanë ndërhyrë te tifozët, por vetëm kanë qenë të pranishëm që situata të mos precipitonte më tej. Kur pritej që ndeshja të fillonte në orën 16:00, orë e përcaktuar nga sektori i garave në FSHF, policia e shtetit nuk ka marrë përsipër mbarëvajtjen e këtij takimi. Në kohë rekord, drejtuesit e klubit të futbollit të Kamzës kanë kontaktuar me një nga policitë private, e cila ka marrë përsipër zhvillimin normal të takimit. Ndeshja Kamza-Ada ka filluar me 45 minuta vonesë, duke marrë miratimin edhe të drejtuesve të klubit të Adës së Velipojës, të cilët kanë qenë dakord që ndeshja të zhvillohet. Edhe delegati me vëzhguesin e Federatës shqiptare të futbollit kanë qenë dakord dhe ndeshja është zhvilluar normalisht, jo si dy javë më parë, kur ndeshja Kamza-Luftëtari nuk u lejua nga policia e bashkiake e Kamzës dhe forcat e rendit. Punonjësit e stadiumit kishin hapur një kanal mes përmes stadiumit, me idenë që stadiumi është në rikonstruksion, por kanali është mbuluar menjëherë nga tifozët, duke mos ndikuar në mbarëvajtjen e ndeshjes, madje vetë tifozët kanë ndihmuar edhe në vijëzimin e fushës. Tifozët në stadium kanë qenë korrektë, duke përshëndetur edhe qëndrimin e klubit të Adës, që pranoi që ndeshja të zhvillohej. Gjithsesi, problemi mbetet ende i pazgjidhur, pasi ekipi i Kamzës ende nuk e ka të sigurt nëse ndeshjet në vijim do t’i luajë në stadiumin e Kamzës. 

Materiale elektorale në depon e stadiumit
Çudirat shqiptare nuk kanë të sosur. Çudia e radhës vjen nga stadiumi i Kamzës. Në depon që duhej të ishte baza materiale e ekipit të Kamzës apo materiale të stadiumit, ajo sihte shëndërruar në një magazinë e materialeve zgjedhore. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, pas përfundimit të fushatës zgjedhore të 23 qershorit, e ka parë të udhës që flamujt, sloganet, portretet dhe të gjitha simbolet e Partisë Demokratike t’i depozitonte pikërisht në një nga ambientet e stadiumit. Kjo është zbuluar kur drejtuesit e klubit të Kamzës kanë shpërthyer derën e depos për të marrë disa pajisje për vijëzimin e fushës, apo mjete të tjera të nevojshme për t’u zhvilluar ndeshja. Nuk dihet se si kanë përfunduar gjithë ajo bazë e fushatës elektorale në ambientin e stadiumit, por prania e tyre ka krijuar edhe ilaritet te punonjësit, sportistët dhe tifozët e pranishëm. Megjithatë, baza materiale elektorale nuk është dëmtuar, pasi dera është mbuluar sërish.
(Eduard.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›