Kuvend, Oketa nga dje ministër i Mbrojtjes
Gazmend Oketa miratohet ministër i Mbrojtjes me 73 vota
TIRANË- Kuvendi ka miratuar dje dekretin e presidentit të Republikës për emërimin e Gazmend Oketës në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë shprehur dje mbështetjen e tyre që Oketa, deputet i PD-së dhe ish zv/kryeministër të zëvendësojë Fatmir Mediun si ministër të Mbrojtjes. Krahas votimit të dekretit përemërimin e tij si ministër, deputetët kanë votuar edhe për shkarkimin e Gazmend Oketës si zëvendëskryeministër. Ky dekret është votuar me 71 vota pro. Ndërkohë, para se të futeshin në dy votimet e mësipërme, fillimisht deputetët kanë votuar për shkarkimin e Fatmir Mediut si ministër i Mbrojtjes. Për shkarkimin e tij kanë votuar pro 71 deputetë dhe ka pasur vetëm një votë kundër, ajo e kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Pashk Ujka. Menjëherë pasi dekretet e Presidentit kanë marrë miratimin e Kuvendit është bërë e ditur nga zyra e shtypit të Presidentit se, sot në orën 9:00 të mëngjesit do të zhvillohet ceremonia e betimit të Gazmend Oketës si ministri i ri i Mbrojtjes së Shqipërisë. Pas kryerjes së betimit, Gazmend Oketa do të jetë zyrtarisht ministër i Mbrojtjes dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Samitin e NATO-s në Bukuresht, ku pritet që vendi ynë do të marrë ftesën për t'u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut. Oketa është deputet i Kuvendit të Shqipërisë që prej korrikut të vitit 2005 dhe prej mëse një viti ushtronte detyrën e zv/kryeministrit. Emërimi i tij si ministër i Mbrojtjes erdhi pas dorëheqjes nga ky post i kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, për shkak të ngjarjes së ndodhur në fshatin Gërdec në afërsi të Vorës.