PS-Berishës: Duam raport serioz për Gërdecin
Pandeli Majko i ka kërkuar Kryeministrit të largohet nga posti dhe t'i hapë rrugë drejtësisë.
TIRANË- Opozita ka kundërshtuar ashpër dje në Kuvend qëndrimin e qeverise, e veçanërisht të kryeministrit Sali Berisha, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, gjatë debatit të zhvilluar dje në Kuvend, ka sjellë si shembull pikërisht ligjin e miratuar në vitin 2007-të për armët, i cili ka ngarkuar Këshillin e Ministrave për të nxjerrë akte nënligjore, gjë që nuk është bërë nga qeveria, siç është nxjerrja e akteve nënligjore për ngritjen e Agjencisë së Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të Eksporteve. Sipas Braçes, mosnxjerrja e këtij akti është përgjegjësi direkt e Kryeministrit Berisha dhe ka të bëjë me një autoritet shtetëror, i cili do të vinte nën kontroll gjithë veprimtarinë e shitjes së armëve, sipas vendimit që ka nxjerrë qeveria. "Pse se ke bërë këtë zoti Kryeministër, kjo është përgjegjësia jote personale. Këtë duhet ta dinë të gjithë banorët e Gërdecit, që t'i duke mohuar zbatimin e ligjit, ke mohuar ngritjen e autoritetit shtetëror që do t'i shërbente procesit të kontrollit dhe që do të parandalonte ngjarjen atje, do të parandalonte 24 të vdekur, 300 të plagosur, miliona euro dëm. Ky është krim shtetëror, ky është shpërdorim detyre që është vepër penale, dhe që ju ngarkon me përgjegjësi direkt ju personalisht. Për këtë ju akuzojnë ne dhe për këtë kërkojmë raport me shkrim", është shprehur Braçe. Ndërkohë po dje, gazeta prestigjioze "New York Times" kishte botuar në faqe të parë një investigim të gjatë mbi kompaninë amerikane AEY, të presidentit Efraim Deviroli, duke zbardhur në të njëjtën kohë trafikun e paligjshëm të armëve të kësaj kompanie me Shqipërinë. Pikërisht mbi artikullin në fjalë, deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i ka kërkuar Kryeministrit të largohet nga posti dhe t'i hapë rrugë drejtësisë, pasi në shkrimin e botuar në gazetën ndërkombëtare NYT flitet për mafie. Sipas Majkos, në çdo vend të botës, nëse do të ndodhte një gjë e tillë, minimalisht kryeministri i çdo vendi duhet të jepte dorëheqjen. "Këtu flitet për mafie dhe kur flitet për mafie zotëri, ka vetëm një detyrim para Kushtetutës dhe përpara Presidentit, të largohesh dhe t'i hapësh rrugë drejtësisë, sepse zoti Berisha je duke u kthyer si ato predhat e mëdha. Më mirë çmontim, sesa shpërthim. Sinjalin e parë ta dha "Nju Jork Times". S'mund të hetohesh duke qenë kryeministër, as ti , as yt bir, as kurrkush. Gazeta është duke u lexuar në Shtëpinë e Bardhë në këtë orë", tha Majko. Deklarata e deputetit të PS-së nuk është lënë pa komentuar nga kryeministri, sipas të cilit, Shtëpia e Bardhë nuk merret me trillimet e përditshme të shtypit. "Ambasada e SHBA-së ka dhënë një përgjigje zyrtare për problemin dhe përsëri do të ketë një qëndrim zyrtar. Përsa i përket Shtëpisë së Bardhë, ti gabon rëndë. Në qoftë se Shtëpia e Bardhë merret me shpifjet dhe trillimet e përditshme të shtypit, është jashtë çdo lloj çështje. Megjithatë, ajo ka axhendën e saj që unë s'ia di. Ca gjëra nuk mbulohen as me letra të hapura, as me letra të mbyllura. Ti e di mirë që s'mbulohen dot", i ka thënë Berisha, Majkos. Pavarësisht deklaratave të Kryeministrit, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, tha se Berisha kishte ardhur i papërgatitur në seancë dhe kërkoi nga ai një raport serioz me shkrim për ngjarjen e Gërdecit, duke qenë se deklarimet e tij në debatin e parë që është zhvilluar për këtë çështje janë rrëzuar, madje nga vetë Berisha. Në përgjigje të kësaj kërkese, Kryeministri tha se ai është i gatshëm të përgjigjet edhe 24 orë të tëra, por kjo duhet të bëhet sipas rregullave të parlamentarizmit. "S'mund të bëhet një rregullore e re pa u ndryshuar kjo që kemi. Doni mocion, bëni mocion, ju respektoj në të gjitha variantet. Referojuni rregullores. Opozita s'mund të jetë kaq e ngushtë, s'mund të ndërtojë karrigen mbi fatkeqësinë", tha Berisha.
Pandeli Majko
Sot, gazeta më e lexuar ndërkombëtare citon emrin e një biznesmeni, i cili thotë se "biznesi në Shqipëri, po të shkosh më sipër, shkon te kryeministri dhe i biri i tij. Unë nuk mund të luftoj me këtë mafie, citon biznesmeni, ajo është shumë e fortë". Gazeta më e madhe ndërkombëtare mendohet gjatë për të cituar në emrin e dikujt për një kryeministër të një vendi që aspiron të jetë anëtar i NATO. Këtu në parlament ke thënë se ke pasur letërkëmbim për këtë çështje me gazetën në fjalë. Na the se është manipulim i mafies së vogël shqiptare. I bie që NYT paska besuar mafien dhe s'të ka besuar ty. Më duket se "Nju Jork Times" ka kuptuar se kush është mafia. Ky shkrim po lexohet nga Shtëpia e Bardhë tani.
Sali Berisha
Ambasada e SHBA-së ka dhënë një përgjigje zyrtare për problemin dhe përsëri do të ketë një qëndrim zyrtar. Përsa i përket Shtëpisë së Bardhë, ti gabon rëndë. Në qoftë se Shtëpia e Bardhë merret me shpifjet dhe trillimet e përditshme të shtypit, është jashtë çdo lloj çështje. Megjithatë, ajo ka axhendën e saj që unë s'ia di. Ca gjëra nuk mbulon as me letra të hapura, as me letra të mbyllura. Ti e di mirë që s'mbulohen dot.
Erion Braçe
Ne kemi shumë prova që ju keni miratuar ligje këtu, bashkë me ne, keni miratuar ligje dhe pa ne, dhe nuk i keni zbatuar duke shkaktuar kosto të madhe njerëzore, në radhë të parë, pastaj dëme të mëdha materiale. Një nga provat që nuk zbatoni ligjet, s'keni dëshirë, i dhunoni qëllimisht ligjet për t'i shërbyer mafies, për t'i shërbyer krimit, dhe pasojat janë atje në Gërdec. Keni miratuar më datë 5.4.2007 ligjin, ku neni 39 thotë, "ngarkohet KM që brenda 6 muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit të nxjerrë aktet nënligjore për krijimin e autoritetit shtetëror të eksporteve, kontrollit të eksporteve, si dhe të përgatisë dhe miratojë aktet e tjera nënligjore në zbatim të mjaft neneve, 11 akte nënligjore që kanë qenë detyrë themelore e kryeministrit të vendit.
Valentina Leskaj
Kemi nevojë për një raport serioz me shkrim. Duam të zbardhet e vërteta dhe të dalin përgjegjësitë. Nuk mund të futet parlamenti në rrugë normale. Nuk mund të kalohet kjo me një spekulim që po bëhet këtu nga kryeministri Berisha, pasi ai vërtet foli 7 orë, po ato që tha, u rrëzuan. Ai tha se dinte për lidhjet dhe kërkesat ndaj djalit tim, kur në fillim të seancës e mohoi këtë. Kërkojmë një seancë të të vërtetave, kush qëndron pas këtij krimi, kush i vrau ata njerëz.