Artikulli NYT, Berisha takohet me Withers
TIRANË- Menjëherë pas mbylljes së seancës plenare, ku për më shumë se dy orë ka debatuar me deputetët e opozitës për shkrimin e botuar në gazetën "Nju Jork Times", Kryeministri Berisha është takuar dje me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Withers. Shkak për këtë takim mes kryeministrit dhe ambasadorit të SHBA-së është bërë një drekë e zhvilluar në vilën qeveritare 30, përballë kryesisë së Kuvendit, me rastin e largimit të një ambasadori për shkak të mbarimit të mandatit. Në këtë drekë, përveç Berishës dhe Withers kanë qenë të pranishëm edhe diplomatë të tjerë, përveç diplomatit për të cilin ishin mbledhur së bashku në vilën qeveritare. Pas drekës, e cila është zhvilluar pas orës 13:30, Kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori amerikan Withers janë shkëputur nga diplomatët e tjerë, duke zhvilluar një takim veças mes tyre. Ndonëse për këtë nuk ka një njoftim zyrtar dhe nuk bëhen të ditura detaje rreth takimit, ngjarjet e zhvilluara së fundmi në vendin tonë, shpërthimi në Gërdec dhe shkrimi i botuar dje në gazetën "Nju Jork Times", mendohet të jenë disa nga temat e diskutuara mes Kryeministrit Berisha dhe ambasadorit Withers.