E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kuvend/ Rithemelimi s’lejon zhvillimin normal të seancës, Rama mbërrin në parlament! Më 2 mars mocioni për “McGonigal”

Njësoj si edhe në seancat e fundit në Kuvend, as kjo e kësaj të enjte nuk është zhvilluar normalisht. Edhe pse me 12 deputetë më pak, PD e Rithemelimit krijoi jo pak tensione në seancë, duke bllokuar foltoren dhe duke i rënë bilbilave. Ata akuzuan maxhorancën se po i pret fjalën e lirë, pasi nuk u arrit të gjendej dakordësia për kohën e zhvillimit të mocionit me debat.

Opozita kërkon që debati të zhvillohet me kohë të pakufizuar, teksa kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se propozimi i tyre është për 12 orë. Si pasojë e debateve, drejtuesja e kësaj seance, Ermonela Felaj, e ndërpreu për 10 minuta, megjithatë as ky pushim nuk e qetësoi situatën. Pas 5 orësh kaos në seancë, kryeministri ka mbërritur në Kuvend.

12 deputetët të opozitës, Sali Berisha, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Edi Paloka, Tritan Shehu, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Luan Baçi, Ervin Salianji, dhe Bledion Nallbati janë përjashtuar me vendim të Komisionit të Etikës, për shkak të bllokimit të seancave plenare.

PD bëri një ankimim në Kuvend për vendimin e Komisionit të Etikës, duke pretenduar se atyre i janë shkelur të drejtat “në mënyrë të përsëritur”, teksa shtuan se ata duhet të lejohen të marrin pjesë në seancë, deri në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit.

Byroja e Kuvendit u mblodh menjëëherë, duke lënë në fuqi vendimin e përjashtimit të marrë ditën e djeshme nga Komisioni i Etikës për përjashtimin e Berishës, Nokës, Këlliçit dhe Palokës nga seancat plenare. 

Ndërkohë, vetëm votat e maxhorancës, Kuvendi ka miratuar zhvillimin më 2 mars  të mocionit me debat, interpelancës urgjente dhe përgjigjja e pyetjeve me kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga opozita, për çështjen McGonigal. Mocioni me debat do të zhvillohet me kohë pa limit.

Zhvillimet minutë pas minute:

Ora 15:30/ Opozita shkakton tensione në Kuvend, Rama mbërrin në seancë

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në seancën plenare pas 5 orë kaos në Kuvend, ku deputetë të opozitës nuk lejojnë zhvillimin normal të seancës. Deputetë të opozitës prej kohësh kërkojnë prezencën e kryeministrit Rama në seancë.

Ora 14:55/ Huaja për furnizimi me ujë të pijshëm të Durrësit, Balluku: Do përmirësojë cilësinë dhe sigurojë furnizimin me 24 orë

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka prezantuar projektligjin për marrjen e huas nga Agjencia Franceze për Zhvillim lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Durrësit.

Balluku tha se ndërhyrjet në infrastrukturë do të bëhen jo vetëm për sigurimin e ujit të pijshëm 24 orë, por edhe për cilësinë e saj duke arritur standardet e BE.

“Prej kohësh është investuar në sektorin e ujit të pijshëm për furnizimin e vendit gjatë 24 orëve. Ky shërbim të arrijë të gjithë parametrat e BE për të ofruar ujë të pijshëm qytetarëve. Ndërhyrjet në infrastrukturë të këtij procesi janë jo vetëm për sigurimin por dhe përmirësimin e cilësisë së ujit.  Durrësi është zgjedhur që të ketë investime në ujin e pijshëm si një zonë që ka numër të madh gjatë sezonit turistik por edhe për shkak të dy projekteve të mëdha që do ndërtohen aty si Porti turistik i Durrësit dhe Porti në Porto në Romano. Nuk ka asnjë bilbil që arrin të mbulojë punët e kësaj qeverie, as balta që hidhni ju me gojë. As nuk na pengon as nuk na tremb, Mondi qetësohu tani merr frymë”, tha Balluku.

Ndërkohë që në seancë deputetët e opozitës vijojnë të shkaktojnë zhurmë dhe t’i fryjnë bilbilave duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës.

Ora 12:04/ I ra bilbilit dhe bllokoi foltoren, përjashtohet Edmond Spaho

Deputeti demokrat, Edmod Spaho është përjashtuar nga seanca plenare në Kuvend. Atij iu dha masë vrejtje nga drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj, megjithatë Spaho vijoi me pengimin e zhvillimit normal të seancës plenare, duke i rënë bilbilit dhe duke shkaktuar zhurmë. Për pasojë, Felaj mori vendimin për përjashtimin e tij nga seanca.

Ora 13:30/ Përplasje në Kuvend për përjashtimin e deputetëve të PD, Bylykbashi: Byroja s’kishte kuorum! Felaj: E pavërtetë

Përjashtimi i 12 deputetëve të PD dhe vendimi i Byrosë për të mbajtur në fuqi masën ka nxitur debate të forta në Kuvend mes deputetit Oerd Bylykbashi dhe Ermonela Felajt.

Bylykbashi akuzoi se Byroja e Kuvendit dot nuk ka pasur kuorum për të mbajtur në fuqi masën e përjashtimit, por kjo është hedhur poshtë nga drejtuesja e seancës së Felaj, e cila lexoi emrat e deputetëve të pranishëm.

Bylykbashi: Keni shkelur brutalisht procedurën. Mziu tha këtu se nuk ka pasur kuorum byroja. Pra, mbledhja ka qenë nul. Deputetët e përjashtuar pra duhet të ishin sallë. Kolegët e mi duhet të ishin në sallë. Edi Rama ju ka dhënë urdhër të zvogëloni numrin e deputetëve. Por kjo nuk ka për të ndodhur, nuk ka për të pasur seancë

Felaj: Kuorumi ka qenë, anëtarë të Byrosë që janë Gjekmarkaj, Denaj, Blendi Klosi, Dashnor Sula, Ermonela Felaj, Etilda Gjonaj, Bushka, Nikolla, Balla dhe Xhelal Mziu. Kuorumi ka qenë i plotë.  Mziu ka qenë në mbledhje dhe ka folur për të mbajtur qëndrimin e tij.

Ora 12:26/ Çështja McGonigal, më 2 mars mocioni me debat dhe interpelanca urgjente me Ramën

Me vetëm votat e maxhorancës, Kuvendi ka miratuar në seancëne kësaj të enjte zhvillimin më 2 mars  të mocionit me debat dhe interpelancës urgjente me kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga opozita, për çështjen McGonigal. Mocioni me debat do të zhvillohet me kohë pa limit.

“Mocioni me debat, interpelanca urgjente dhe pyetjet do zhvillohen më 2 mars. Do keni të drejtë të gjithë të flisni sipas kohës maksimlae që lejon rregulloja e Kuvendit. Do zhvillohet mocioni më 2 mars me kohën pa limit”, tha drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj.

Ora 12.00/ Kryemadhi akuza Felajt: Po shkel procedurat, na ka mbetur vetëm t’i thyejmë karriget kokës njëri-tjetrit

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka akuzuar drejtuesen e seancës parlamentare Ermonela Felaj se po shkel procedurat dhe po numëron minutat e opozitës.

 “Na ka mbetur vetëm t’i thyejmë karriget kokës njëri-tjetrit. Këtu po na detyroni të shkojmë. Funksionimi i Kuvendit është gjëja më e rëndësishme që mund të ruajë edhe imazhin tuaj. Po shkel procedurat. Çështja e Komisionit Hetimor për Edi Ramën mund të ndalohet vetëm në një vend absurd që drejtohet nga një njeri pa shkollë. Mos u bëj kalkuluese minutave të opozitës, maj vendin tënd dhe respektoi rregulloren, në fund të fundit kjo është “në ato maja rripa rripa, një herë më hipe njëherë ta hipa”, tha Kryemadhi.

Ora 11:59/ Spiropali: S’ka revolucion me bilbila, Rama do ketë një mocion me debat për çështjen McGonigal për qytetarët, jo për ju

Ministrja Elisa Spiropali tha se akuzat e opozitës për çështjen McGonigal janë fantazi dhe trillime në mendjen e saj. Ajo tha se Rama do të ketë një mocion me debat për të këtë çështje, jo për revolucionin e bilbilave, por për qytetarët.

“Jeni të lirë të trilloni dhe fantazoni siç keni bërë gjithmonë. Kjo histori që nuk ka asnjë lidhje me ne por me situatën e tuaj të brendshme. Jeni kthyer në ndihmësa të non gradës dhe sa të jetë jeta nuk do të ketë më kthim për të. Ju po mbroni SHBA nga një njëri që ata e kanë shpallur non garat, ky është kulmi i diskutimit. Nuk është rastisë që sot familjaret e Gërdecit dhe 21 janarit kanë depozituar në SPAK një provë të re që ka dalë për këtë njeri. Pavarësisht procedurës dhe logjikës, kryeministri do të jetë këtu për mocion me debat jo për ju me rezolucionin e bilbilave, por për qytetarët ë këtij vendi që meritojnë të kenë përgjigje”, tha Spiropali.

Ora 11:30/ Tensione në Kuvend/ Opozita i fryn bilbilave duke mos lejuar fjalën e deputetëve, Felaj pezullon seancë për 10 minuta

Deputetët e opozitës kanë vijuar t’i fryjnë bilbilave dhe të krijojnë zhurmë duke mos lejuar fjalën e asnjë prej deputetëve.

Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të drejtueses së seancës, Ermonela Felaj, opozita nuk ka ndalur nga veprimet e saj, në këto kushte ajo ka pezulluar seancën për 10 minuta deri në qetësimin e situatës.

Ora 11:10/ Balla i përgjigjet opozitës: Bëjnë skena pas kallëzimit të ri në SPAK për “21 Janarin”

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka akuzuar PD-në e Rithemelimit për “skena” për të tërhequr vëmendjennga depozitimi i padisë së re në SPAK nga familjarët e viktimave të “21 janarit” për Sali berishën. Nga Kuvendi, Blla u shpreh se ata nuk do të lejojnë pengimin e zhvillimit të një seance normale plenare.  

“Propozimi ynë është 12 orë dhe besoj se 12 orë, apo 5 minuta për çdo deputetë janë të mjaftueshme për zhvillimin e mocionit me debat. Skenari është një sekanrë që ndodh në çdo senacë, ndërkohë që sot familjarët e personave të vrarë më 21 janarë janë në SPAK duke depozituar një padi të re për Berishën ku e akuzojnë për vrasje në bashkëpunim. Është e papranueshme që ju të çoheni aty dhe të mbroni një deputet që vinte në seancë vërdallë i pijshëm me një bilbil në gojë. Përpjekjet për të penguar zhvillimin normal të seancës nuk mund të lejohen”, tha Balla.

Ora 10.30/ Tensione në Kuvend, deputetët e Rithemelimit bllokojnë Foltoren, Felaj: Po ju jepet fjala të gjithëve, uluni

Seancë e Kuvendit ka nisur me tensione, ku pas fjalës së mbajtur nga deputeti Oerd Bylykbashi deputetë e Rithemelimit kanë bllokuar Foltoren.

Kjo ka bërë që Garda të ndërhyjë, ndërsa drejtuesja e seancës Ermonela Felaj të kërkojnë uljen e deputetëve pasi sipas saj të gjithëve po ju jepet fjala. Gjithashtu gjatë tensioneve nga ana e deputetëve të opozitës ka pasur edhe fryrje të bilbilave

Bylykbashi:  Ky parlament është kthyer në varrimsin e pluralizmit parlamentar, ku grupi i shumicës po abuzon me rregullore dhe të drejtat e deputetëve për të përfaqësuar qytetarët. Kemi kërkuar fjalën dhe të ngremë çështje për kontrollin e qeverisë, nuk pres që kjo qeveri që të respektojë të drejtën  qytetarëve, por ku parlament  e ka këtë detyrë. Ky kryeministër ka tentuar të korruptojë një zyrtarë të lartë të SHBA. Kërkojmë që komisioni hetimor për skandalin McGonigal duhet të grihet për të hetuar jo vetëm korrupsionin e Ramës proi dhe qëllimin e tij për të dëmtuar opozitën. Sot Rama u ka ulur ko0knë qeverisë së tij, ky parlament ka të drejtën e vetë për të hetuar. Kemi kërkuar mocion me debat për këtë çështje por shtyhet, kryeministri nuk vjen këtu se ka hall. Janë përjashtuar në grup për të zbrazur pjesën e opozitës nga aftësia e saj vendimmarrëse. Kemi bërë një kërkesë që pezullonte automatikisht pezullimin e deputetëve dhe duhet të ishin këtu në sallë, por ju shkelët ligjin.

Felaj: Kolegët të ulen, më lejoni të zhvilloj seancën. Ju lutem uluni. Po ju jepet fjala të gjithëve. Kjo që po bëni ju prodhon të kundërtën. Nuk lejohet të pushtosh foltoren.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›