E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Ruçi: Institucionet në rrezik. Patozi: S’keni këllqe të rrëzoni qeverinë

TIRANE- Nis me debate seanca e sotme parlamentare. Votimi i Cefës, Ruçi: Institucionet në rrezik. Berisha po i bën masakër demokracisë. Patozi: Nuk keni këllqe të rrëzoni qeverinë, kërkoni votëbesim. Topalli- opozitës: Bëhuni burra, mos qani se ju rreh Jozefina.

Topalli: Bëhuni burra, mos qani se ju rreh Jozefina
Ora 11:32- Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli i ka kujtuar socialistëve se votimi i Cefës në Kuvend ishte dështimi i radhës i të majtëve dhe ky proces s’ka fare lidhje me mënyrën e votimit.

“Radhën e kaluar ju firmosët dështimin tuaja të fundit. Humbët në 2009 nga shqiptarët, humbja tjetër e Ramës është ajo e zgjedhjeve në 2011, ndërsa humbja më e rëndë është ajo personalja në zgjedhjet lokale, kjo më e turpshmja, pasi u numërua çdo kuti në mënyrë transparente”, tha Topalli ndërsa iu drejtua deputetëve të opozitës me shprehjen “Mos qani si kryetari juaj se e rreh Jozefina, bëhuni burra bëni mocion votëbesimi për zotin Rama si kryeministër dhe do ta shihni si do e votojnë, mënyrën zgjidheni ju”, shtoi ajo.

Duke folur për zgjedhjen e Presidentit, Topallli i tha Rucit se ai do të zgjidhet me mënyrën e votimit që opozita kërkon, ndërsa shtoi se ka frikë se të majtët edhe në këtë rast do qajnë përsëri, nga frika se mos i rreh Jozefina. 

Patozi: Nuk keni këllqe të rrëzoni qeverinë, kërkoni votëbesim.
Ora: 11: 20 - Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi iu përgjigj akuzave të socialistëve për votimin e anëtarit të ri të KLD-së, duke theksuar se mazhoranca respektoi rregullat dhe traditën e parlamentit shqiptar.

“Ne çaktivizuam përpjekjen tuaj të dhunshme për të bllokuar votimin për anëtarin e KLD-së. Fobia që ju keni ndaj frmave, ndaj votës së fshehtë dhe ndaj komisionerëve tuaj, gjë që e keni dëshmuar në të ashtuquajturën kauzë të kutive, nuk është një gjë që ju nderon.”- u shpreh Patozi.

Ndërkaq kreu i grupit kuvendor demokrat i kujtoi opozitës se “qeveria nuk rrëzohet me shfaqje të shëmtuara dhe përpjekje për bllokim.”
Sipas Patozit, opozita mund të kërkojë rrëzimin e qeverisë vetëm përmes një mocioni mosbesimi, si e vetmja mënyrë e ligjshme dhe demokratike, ose në të kundërt duhet të heshtë.

“Për të rrëzuar një qeveri, nëse ata do të kishin ndërmend seancën e kaluar, duhet të kesh këllqe, të cilat opozita nuk i ka. Mazhorancat kanë vetëm një mënyrë për t’u testuar, mocioni.”- deklaroi Patozi.

Ai ftoi kolegët e opozitës të përpiqen të mësojnë nga pësimet e veta dhe t'i kthehen logjikës në dobinë e tyre. 

Ruci: Institucionet në rrezik. Duham votën e fshehtë në Kuvend
Ora 11:00- Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruci gjatë sencës së sotme parlamentare e ktheu vëmendjen tek votimi i së enjtes së shkuar të kandidatit Elvis Cefa në vend të Kreshnik Spahiut në KLD.

Për Rucin, Kuvendit i ka humbur demokracia, pasi atje u është mohuar e drejta e fshehtësisë së votës të gjithë deputetëve.
"Kuvendi për tre vjet ka marrë vlerësim negative nga raporti i progresit te BE. Në Kuvend të enjten e shkuar u dha prova e rrënimit të parimit demopkratik që është ai i votimit të fshehtë, ia mohuat cdo deputeti të majtë e të djathtë. Rregullorja e Kuvendit ashtu si ajo e Republikës i njeh të dyja vendimet. Ju bëtë edhe më keq se kaq kërkuat të kontrollonit votën e cdo deputeti, turp për Saliun, për Jozefinën, nuk keni besim as tek deputetet tuaj, as tek aleatët tuaj, kjo është liria mes jush”, tha Ruci.

Gjatë fjalës së tij, Ruci u shpreh se institucionet e vendit si Kuvendi e Presidenca janë në rrezik nga sulmi që iu bën kryeministri, sic u shpreh ai.
“Pushteti i Berishës i vdekur demokratikisht e politikisht, ka vdekur edhe numerikisht. Institucionet si Kuvendi e Presidenca sot janë në rrezik, pasi Berisha po i bën masakër demoktraisë”, tha ai.
Sipas Rucit, edhe zgjedhja e Presidentit nuk ka garanci, pasi mohohet vota e fshehtë. 

Nis Kuvendi, rendi i ditës
Ora 10:40- Kuvendi nisi punimet e seancës plenare të së enjtes ku pritet shqyrtimi i disa pr/ligjeve si ratifikimi i marrëveshjesh ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së shtetit të Katarit për shmangien e tatimit të dyfishtë; akti normativ "Për një ndryshim në ligjin "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor" etj. 

Rendi i ditës së Kuvendit do të vijojë me miratimin e kandidaturave për vendet vakante në institucione, si dhe me pr/rezolutën "Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2011".

(vijon)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›