E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Ruçi: Përdhosët KQZ. Patozi: Zgjedhjet i fiton PD. Topalli replika me PS

TIRANË - Kuvendi nisi me debate punimet e seancës plenare të radhës, ku në fillim të rendit të ditës ishte diskutimi i marrëveshjes për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Londrës, për patentat europiane. Replika mes Topallit dhe deputeteve te PS kane ndezur seancen e sotme te parlamentit.

Deputetët e opozitës, duke marrë shkas nga marrëveshja e patentave, deklaruan se "patenta" më e rëndësishme europiane, është ajo e shtetit ligjor, që nuk ekziston në këtë vend. 

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, akuzoi maxhorancën për politizim të institucionit të administrimit të zgjedhjeve dhe për shkatërrim të standarteve demokratike. Ndërkohë, kolegu i tij demokrat, Astrit Patozi siguroi se zgjedhjet e 23 qershorit do të zhvillohet pavarësisht përpjekjeve të opozitës për ti bllokuar. 

Situata në KQZ, pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të dy anëtarëve të propozuar nga opozita, dhe lirimit nga detyra të ish-anëtarit Ilirian Muho, ishte në qendër të debatit të sotëm në parlament. Palet te nxehura' pas ceshtjes se anetarit te KQZ dhe koalicionit te LSI kane debatuar ashper mes tyre. Ndiqni zhvillimet sot ne Kuvend:

BODE-OPOZITËS: PO JU DEL VERA QË PITË ME NGJALËN DHE PO KUPTONI SE JENI SHUMË LARG FITORES
Ora 15:20-Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë se ishte pikërisht politika shumë efikase e ndjekur nga qeveria, që e la vendin jo vetëm jashtë krizës, por rriti ekonominë dhe eksportet falë politikës së taksave të ulëta.

Ai ka akuzuar kreun e PS-së, Rama për politikë të falimentit të biznesit dhe të kundërshtarëve përmes politikës së taksave të larta.

“Si ka mundësi që në kohën tuaj nuk shënuan rritje eksportet. Si ka mundësi që në kohën tonë eksportet shënuan rritje shumë të ndjeshme. Sepse nuk ka ministra që janë tregtarë të prodhimeve bujqësore, që kanë pulari e merren me tregtinë e fruta perimeve. Politika e taksave të ulëta bëri rritjen e ekonomisë dhe eksporteve, që e mbajti vendin jashtë krizës. Pse bërtisni ju tani, e hëngrët ngjalën e pitë dhe verën dhe tani që po u del vera e kuptoni se nuk jeni aq të fortë, keni filluar o lele vota, komisioni, numëruesit”- tha Bode.

Ai e ka quajtur krejt absurde pretendimin e opozitës për të pasur shumicën në KQZ dhe në komisionet e numërimit.

“Si ka mundësi që i thoni mazhorancës që në numërim ne të kemi tre vetë, ti një vetë, që në KQZ të jeni 5 me 2, e kuptoni ku ndodheni? Po ju del vera e pirë me ngjalën dhe e kuptoni se jeni shumë larg fitores”- tha Bode. 

KUVEND, REPLIKAT TOPALLI-BALLA; TOPALLI-KLOSI
Ora 15:45-Seance e tensionuar ne Kuvend, sikunde edhe pritej. Replika dhe akuza ka pasur mes kryeparlamentares Topalli dhe deputeteve socialist socialist, Taulant Balla. Ndersa Balla fliste nga foltorja e Kuvendit, Topalli e ironizoi duke i thene se po qajne zgjedhjet. Nderkohe qe pas Balles foli deputeti i PS-se, Blendi Klosi, duke numeruar me dite, ore, minuta e sekonda qe i kane mbetur maxhorances dhe Sali Berishes ne pushtet, Topalli ka thene “edhe shkoni per lesh edhe ju”.

Klosi: Edhe 65 dite, 21 ore, 43 minuta, kane ngelur qe qytetaret shqiptare te vuajne nga i njejti stres”

Topalli: Prandaj kjajne keta

Klosi: Edhe 65 dite, 21 minuta, 5 sekonda kane ikur qe qytetaret shqiptare te shpetojne nga hilet e Sali Berishes

Topalli: Edhe shkoni per lesh edhe ju...

Klosi: Cfare tha mo?

Topalli-Balla

Balla: Ju personalisht jeni njeriu që mbani patentën me negative për mënyrën sesi drejtohet parlamenti, në Europë. Ju së bashku me kryeministrin tuaj mbani patentën më negative të sjelljes së një mazhorance përkundrejt institucioneve të pavarura.

Topalli: E kanë filluar para këta për të reklamuar humbjen e zgjedhjeve. Leri të tjerat...

Balla: Harroje se mund të më presësh fjalën mua.

Topalli: Ju jeni tu kjajt humbjen e zgjedhjeve more zotëri...

Balla: Ne do ti fitojmë zgjedhjet sepse shqiptarët janë lodhur nga kjo mazhorancë që e ka ndërtuar rrugën e vet me 4 patenta që nuk kanë të bëjnë me Europën. Me patentën e korrupsionit, të vjedhjeve, të vrasjeve...

Topalli: Ore ti ke thënë që jep dorëheqjen se nuk ke tokë, na shpjego tani se pse s'jep dorëheqjen se doli toka, tani...

Balla: Ti moj zonjë, nënkryetarja e një partie të një kryeministri që ka vrarë...

Topalli: Ore LSI e keni ju apo kush e ka? Bllokun e keni ju apo kush e ka..

Balla: Ti moj zonjë, ke ngrënë dhe ti moj zonjë nga ai bllok, se ke marrë dhe ti nja 2 koncensione bashke me kompaninë Curri...

Topalli: Hajt na i kallo, hajt ta marrsha na i kallo se po më pëlqeka shumë kjo histori...

Balla: I ke marrë nja dy hidrocentrale

Topalli: Vetëm dy?? (Qesh)

Balla: A ke marrë më shumë?

Topalli: Pa mi numëro një cikë more djalë....

Balla: I ke marrë shpirtin dhe Radio Shkodrës me atë pallatin që ke bërë aty përballë

Topalli: Pa ma kallxo pallatin, yyyyyyyyyyyyyy qenka interesant shumë. Po mor Taulant tani më kallxo për patentën

Balla: Ti zonjë ke dhe një patentë tjetër europiane që nuk e ka asnjë kryetar parlamenti në Europë, që të ketë shpenzuar për fluturime jashtë shtetit 735 mijë euro

Topalli: Tani Taulant me të than të drejtën nuk të kam marr me vete kurrkund ku kam shkue dhe më je lut, me ke cuar mesazhe, aman moj më merr me vete, në vizitat që ti ban duke takuar kryetarët e parlamenteve, kryeministra. Vecse më je lut duke kja, pas dere më rri, nuk të marr me vete as mandatin e ardhshëm, nuk të marr kerrkund me vete. 

RUÇI: GJENI MATURINE, ZHBËNI ATO QE KENI BËRE
Ora 12:15  Si replikë ndaj zoti Patozi, Ruci i parashtroi një pyetje : ‘ Pyetja që shtrohet është me vendimin që morët ,e forcuat apo e shkatërruat KQZ’. Ruci tha se me vendimin e marrë mazhoranca vrau besimin e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira teksa shtoi se është kompromentuar dhe e ardhmja evropiane e vendit. Ruci i bëri thirrje mazhorancës që të korrigjojë gabimet dhe të “gjejë maturinë për të zhbëni ato që bëtë pak ditë më parë”. 

PATOZI: ZGJEDHJET DO TË BËHEN, PS VUAN PASOJAT E 1 PRILLIT
Ora 12:00 Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike , Astrit Patozi, akuzoi të enjten në Kuvend kryetarin e PS-së, Edi Rama, se po tenton të bllokojë funksionimin e KQZ-së, pas dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga opozita dhe refuzimit të saj për zëvendësimin e tyre. Patozi akuzoi Ramën se me këto qëndrime po tenton të prishë zgjedhjet e 23 qershorit. 

"Tani nuk ka më asnjë dyshim se Edi Rama po tenton të prishë zgjedhjet, por çfarëdo vendimi që të marrë ai zgjedhjet do të mbahen, sepse ato janë e drejtë kushtetuese e shqiptarëve, të cilët nje herë në katër vjet dhe në datën e caktuar ftohen të votojnë qeverinë e re", tha ai. 

Kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi siguroi se zgjedhjet e 23 qershorit do të zhvillohet pavarësisht përpjekjeve të opozitës për ti bllokuar. 

"Kuvendi nuk ka mbajtur kurrë zi për shkarkimin e një funksionari dhe anëtari të KQZ, janë liruar dhe shkarkuar shumë më të rëndësishëm se Ilirjan Muho dhe Kuvendi s'e ka kthyer kokën pas. Politikanët nuk merren me të shkuarën, por shohin nga e ardhmja. Por kjo është pasoja e re e krushqisë së 1 prillit. Dje i dhatë çdo shqiptari arsyet pse Ilirjan Muho nuk mund të qëndronte asnjë dite në KQZ, sepse anëtarë e KQZ, u sollën si militantë të thekur partie, se kur Rama jep komandën "bajonete shpo", ato nisen. Rama trimi që deklaronte se edhe në shtëpinë e vet po t'i numëronte votat Saliu nuk do e shmangte fitoren, i bie se fitoren e përcaktoka vetëm një anëtar i KQZ. Çfarëdo vendimi të marrë Edi Rama zgjedhjet do mbahen se janë e drejta kushtetuese e shqiptarëve. Ajo që për shqiptarët është një e drejtë, për Ramën dhe PS është detyrim kushtetues, të cilit po i shmanget. Ligjet e vendit garantojnë mbajtjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet do mbahen dhe do i fitojë PD, zëvendësim i një anëtari të KQZ nuk është një çështje mes PS dhe LSI. Ne jemi të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, e kemi detyrim ligjor dhe moral të mbrojmë institucionin përballë çdo kërcënimi.", tha Patozi

RUÇI: PS SOT DO FLASË VETËM PËR KQZ
Ora 11: 50 Partia Socialiste justifikoi mosçuarjen e emrave në Parlament për plotësimin e dy vendeve vakante në KQZ, me pretendimin se ky institucion është marrë peng dhe politizuar nga maxhoranca. 

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, akuzoi maxhorancën për politizim të institucionit të administrimit të zgjedhjeve dhe për shkatërrim të standarteve demokratike. Ai bëri të ditur se nuk kishte marrë aspak në konsideratë kërkesën zyrtare të Kuvendit, referuar Kodit Zgjedhor për paraqitjen në seancën e sotme të emrave që do të plotësonin vakancën në KQZ. 

Duke dënuar shkarkimin e Ilirian Muhos, i propozuari i LSI-së në KQZ, Ruci tha se "në Shqipëri nuk ka pavarësi kushtetuese, nuk ka votë të lirë, nuk ka institucione të lira”.

"Zonjë e nderuar, morrën fjalën 6- 5 kolegë dhe zonjës Dade i preve fjalën. Se çfarë flet dhe si flet deputeti është në të drejtën e tij Kushtetuese. Por deputetët socialistë ishin brenda. Flasim për patentën evropiane. A ka patentë më të mirë evropiane që pushteti në Shqipëri nuk merret me votë të lirë dhe të ndershme, kur pushteti në Shqipëri nuk mbahet me votë? A ka diskutim më të mirë për të trajtuar problemin në këtë seancë pas një seance, kur është vrarë besimi i shqiptarëve tek vota e lire që është patenta kryesore evropiane? A ka diskutim më të mirë kur 3 ditë më parë u vra pavarësia e institucionit të zgjedhje? Në vendin tonë shkelet kushtetuta dhe ligji. A ka patentë evropiane më të mirë se këtij vendi i mungojnë gjithçka por më shumë i mungon parlamentarizmi me gjithë këto shantazhe që bëni ju? A ka patentë më të mirë se ky vend nuk vuan nga mungesa e ligjit por nga moszbatimi i ligjit? E pra a ka më keq në cilin parlament të Evropes një kryetar i kuvendit i thotë deputetëve "do ikni për lesh"? Po ju do ikni për lesh, se ne këtë vend drejtësia, shëndetësia, shërbimi arsimor blihet... Do ikni se nuk ka pavarësi të institucioneve kushtetuese dhe pavarësi të votës së lirë, se e keni lënë Shqipërinë në vendin e parë në Evropë për korrupsion dhe se kriminaliteti është dyfishuar. Sot e kësaj dite me vjedhjen e votave në 2009, ju nuk jeni mazhorancë se keni ardhur me vota të vjedhura. Po na turpëroni para Evropës, po na diskretitoni dhe po na prishni me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë dhe ju thoni "po ikni për lesh".  Jemi fiks dy muaj para zgjedhjeve institucioni i kryesor i zgjedhje është inekzistent, ka vdekur Parlamentarizmi dhe besimi i shqiptarëve tek vota e lirë. Si nuk ju vjen marre para vendit dhe me dergoni ftesen mua "zoti Ruci plotëso vendet". Cilat vende? Te atij institucioni që përdhoset dhe e morët peng dhe e bëtë të politizuar? I keni mbledhur shifrat e popullit, jeni opozitë me shifrat e popullit. Nuk behet fjalë as ne as ju të keni opozitën por të kemi institucione garante të votës së lirë të shqiptarëve. Kryefjala jonë sot do jen problemet që parashtrova”, tha Ruçi. 

TOPALLI-OPOZITËS: SILLNI EMRAT PËR KQZ-në 
Ora 11:45 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë seancës plenare të së enjtes, përsëriti kërkesën që opozita të sjellë propozimet për plotësimin e vendeve vakante në KQZ, të krijuara pas tërheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste. 

"Respektoni rendin e ditës së parlamentit, që është miratuar me konsensus. Respektoni rregulloren dhe ligjin dhe sillni emrat për KQZ-në. Ndërsa për çështjet që i keni prioritare, merreni fjalën siç e keni marrë, në diskutimet jashtë rendit të ditës", u shpreh Topalli. 

BRAÇE: KUVENDIT T'I KTHEHET LEGJITIMITETI
Ora 11:35  Në të njëjtën linjë ishin dhe deputetët e tjerë të PS-së, Mimi Kodheli dhe Erion Braçe. Ky i fundit kërkoi që t'i kthehej legjitimiteti Kuvendit dhe KQZ-së, që është cënuar, sipas tij, pas zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI.

“Parlamenti nuk mund të funksionojë në mënyrë të tillë. Të papërgjegjshmit që firmosin që janë ministrat nuk vijnë në Kuvend. Në rast se kjo quhet axhendë, po zonjë, është axhendë personale e mazhorancës suaj dhe ka të bëjë me qëllimet elektorale të partisë suaj. Ky ligj shoqërohet me një relacion. Nëse ka patentë të dytë evropiane dedikuar Shqipërisë, janë zgjedhjet e lira dhe të drejta dhe ju i hodhën në erë seancën që shkoi. Cënuat KQZ, i keni hequr legjitimitetin Kuvendit” akuzoi Braçe.

KODHELI: PATENTONI ZGJEDHJET
Ora 11:22- Ndërsa deputetja e PS-së Mimi Kodheli tha se është me rëndësi që Shqipëria të aderojë në marrëveshjen e Londrës, por sipas saj, duhet që vendi të marrë patentimin e zgjedhjeve demokratike në radhë të parë.

“Ne nuk mund të flasim për nenin 65 të marrëveshjes së Londrës, pa folur për patentimin e zgjedhjeve, pasi PS do që KQZ të funksionojë si një institucion i pavarur. Shqipëria duhet të jetë pjesë e asaj familje evropiane, por të të respektojë ligjet dhe zgjedhjet të realizojë një seancë të legjitimuar, vetëm kështu do bëjmë të mundur të jemi pjesë e patentave evropiane, të jemi pjesë e vendeve që marrin patentën e zgjedhjeve demokratike në radhë të parë”.

DADE: PARLAMENTI SHKELJE FLAGRANTE, TOPALLI I PRET FJALEN
Ora 11:10- Teksa diskutohej për aderimin e Shqipërisë në Marrëveshjen e Londrës për patentat, deputetja e PS-së Arta Dade, tha gjatë fjalës së saj se sot ka rëndësi më shumë se kjo marrëveshje, funksionimi i këtij parlamenti.

‘Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk bën zgjedhje të lira. Ky parlament ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës”, tha ajo duke iu referuar shkarkimit të anëtarit të KQZ-së Ilirian Muho.

Pas fjalës së saj kryeparlamentarja Topalli i ndërpreu fjalën, duke i kujtuar se është jashtë rendit të ditës. “Nëse keni ardhur me axhendë tjetër këtu është e përcaktuar, mund ta bëni kudo tjetër por jo këtu”, është shprehur Topalli. 

KUVENDI DISKUTON SOT PER VENDET BOSH NE KQZ
Situata e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të dy anëtarëve të propozuar nga opozita Denar Bibës dhe Albana Shtyllës, pritet të jetë sot në qendër të debatit të seancës plenare të Kuvendit. 

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe anëtarja Albana Shtylla u tërhoqën nga detyra pas miratimit të hënën nga maxhoranca të kërkesës së saj për zëvendësimin e anëtarit të propozuar nga LSI, Ilirian Muho. 

Në zbatim të kodit zgjedhor dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i kërkoi kryetarit të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, paraqitjen e propozimeve për plotësimin e dy vendeve të mbetura bosh. 

Por, kryetari i PS, Edi Rama, la të kuptohet se ato mund të mos plotësohen aq shpejt, kur u shpreh se "këtu nuk flasim për zëvendësim personash, por për rikthimin në ligjshmëri të KQZ-së".

(d.b/m.a/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Bode, opozitës: Po ju del vera që pitë me ngjalën Bejtaj poezi, Topalli: Meriton patentë budallallëku. I pafejum ke me mbet VIDEO: Kuvend, debati Ruçi - Patozi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›