Kuvend, Topalli: Opozita, në krizë të rëndë morale

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës sot në parlament, duke i cilësuar ato si fabrikime që vijnë nga kriza e rëndë morale e selisë rozë dhe lidershipit të saj
Pronat, debate në Kuvend: Opozita akuza qeverisë për tokat në bregdet
Seanca e sotme në kuvend është zhvilluar me debate të ashpra përsa i takon projektligjit që lidhen me çështjen e pronësisë së tokave bujqësore. Opozita akuzon qeverinë se po synon të përvetësojë tokat e 8 mijë familjeve në bregdet, nëpërmjet nismës për titujt e pronësisë. Sipas deputetit Erjon Braçe abuzimi shtrihet në 110 milion metra katrorë tokë, për t’ia kaluar ato një grupi njerëzish. Por ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili ishte iniciatori i nismës ligjore tha se drafti as nuk krijon ndarje të re të tokës dhe as prodhon tituj të rinj pronësie. Kreu i republikanëve Mediu kishte ende disa vërejtje mbi projektligjin, i cili, siç tha ai nuk jep ende drejtësi për çështjen e pronës. “Do na duhen 3500 vjet për të kompensuar pronarët, fatura për pronaret është 30 miliardë dollarë”- tha Mediu. Në këtë moment Eduard Shalsi i bëri thirrje Mediut të kërkonte falje shqiptarëve që nuk ka bërë asgjë për çështjen e pronave. “Ministri Mediu nuk di ça bën 20 vjet me Berishën, ndërkohë që parimi themelor i partisë së tij janë pronarët. Sot minimumi që duhet të bënte ishte t’i kërkonte ndjesë shqiptarëve se është në aleancë pa kurrfarë parimi dhe sapo e pohoi”- tha Shalsi. Më pas, debatet diskutimet dolën jashtë rendit të ditës, kur socialistët akuzuan ministrin Mediu për shpërthimin e Gërdecit. Në rolin e zhurmuesit, Eduard Shalësi tha: “Unë kam dy vjet në politikë, kurse t’i ishe ministër në kohën që u vranë 26 shqiptarë në Gërdec dhe duhet të ishe kokulur”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Mediut, i cili ka sqaruar se ka pasur dhe do të ketë gjithnjë kurajën për t’u përballur me drejtësinë. “Ty dhe gjithë të tjerëve po ju them, të kishe pasur minimumin e kurajës për t’u përballur me drejtësinë. Kam kërkuar të zbardhej ajo që ka ndodhur. Mos bë kukuvajkën kot për këtë çështje, unë s`e kam fshehur veten, por ju jeni kthyer në aktor absurd në Kuvend. Kam një dhimbje dhe ajo është morale se kam qenë në atë pozicion, në kohën e ngjarjes. Jam përballur për vite me atë çështje dhe me turpin tuaj për atë që nuk është e vërtetë”- u shpreh Fatmir Mediu. Në këtë moment ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit, e cila iu drejtua përfaqësuesve të opozitës në Kuvend, se duhet të kërkojnë falje për akuzat, pasi përkundër gjithçkaje propozuan për anëtar të KLD-së, avokatin e Fatmir Mediut në çështjen “Gërdeci”. “Kërkoni falje se keni akuzuar qeverinë, mua, kryeministrin se kanë vrarë njerëzit në Gërdec, ndërkohë që gjykata e faktoi se ishte aksident. Jeni në krizë të rëndë morale. Ju avokatin e “Gërdecit” e emëruat për nënkryetar të KLD-së. Më e madhja që ka pas politika në 20 vjet dhe pastaj ikni se nuk jeni burra”- u shpreh Topalli.
...