E Diel, 1 Nëntor 2026

Synim i Ramës është një president “garant i kushtetutës”, një president “i të gjithëve” apo zgjedhjet e parakohshme?

17-05-2012 / Nga Eden Babani

Sot për sot, tema politike më pikante e mediave tona të shkruara dhe elektronike sillet rreth formulës për zgjedhjen e presidentit. Një hap me të, nisma e Edi Ramës për t’u takuar me Ilir Metën dhe me krerë të tjerë të partive parlamentare. Të dyja temat ndjekin njëra-tjetrën, kryqëzohen, alternohen a shtjellohen paralelisht, duke ia bërë me sy shoqja-shoqes: “Ta lashë...”
Ndërkohë, siç mund të vërehet lehtësisht, procesi i zgjedhjes së kreut të ardhshëm të shtetit është vënë nën një mbikëqyrje të rreptë nga ana e partnerëve ndërkombëtarë. Mirëpo, sa i takon vëzhgimit të mbikëqyrësve të huaj, duket se problemi i tyre nuk është formula. Ata e dinë mirëfilli se, në nenet e saj, Kushtetuta jonë e ka të shprehur fare qartë formulën. Sipas meje, ata u druhen abuzimeve të mundshme politike të palëve që janë përfshirë në garën presidenciale, çka mund të rrezikonte ecurinë e reformave të kërkuara me ngut nga BE-ja, si kusht për marrjen e statusit të kandidatit. Ndaj edhe deklaratat e tyre i drejtohen më së shumti Kushtetutës. Kam mendimin se drojën për abuzime të mundshme, të huajt e fshehin pas nocionit “garant i kushtetutës”. Nëse Garanti ynë i Kushtetutës do të zgjidhet me marrëveshje, pra do të jetë edhe “konsensual”, aq më mirë për ta. Kjo do të thotë më pak telashe, më tepër mirëkuptim, qoftë edhe në dukje, qoftë edhe hë për hë. Vjeshta do të tokasë shpejt në derë, fill pas zhegut të verës, kur Garanti i Kushtetutës të jetë ulur në fronin presidencial dhe Shqipëria të ketë marrë statusin e dëshiruar. Atëherë, edhe punët do të rrjedhin në hullinë e duhur, edhe detyrimet do të na i kenë futur këmbët në një këpucë.
Ndërkohë, duke luajtur me kinse-nocione dhe me atribute të paqena për një presidenti republike, opozita synon që, një rrugë e dy a tri punë, të bëjë zhurmë, të shtihet se jep konses, por të minojë shumicën qeverisëse, duke krijuar të çara, për të arritur në zgjedhje të parakohshme. Është e vetmja rrugë mbijetese e lidershipit të saj, zhytur në krizë identiteti politik. Kinse-nocionin “president i të gjithëve”, që nxjerr krye herë pas here dhe që po e dëgjojmë të përsëritet gjithnjë e më shpesh në gojën e lidershipit opozitar, unë e gjykoj të pakuptimtë. Një president i tillë as ka ekzistuar, as do të ekzistojë ndonjëherë. S’është as ëndërr, as zhgjëndërr, por shashkë demagogjike për të çorientuar opinionin. Presidenti s’mund të jetë kurrë i të gjithëve, edhe nëse del nga vota e popullit, si përfaqësues i një force të caktuar politike. Si shembull, po sjell Presidentin Holande, sapo të zgjedhur në Francë, si kandidat i së majtës, përballë Sarkozisë, kandidat i së djathtës. Elektorati u nda 50 e ca përqind pro të parit, me 50 pa ca përqind pro të dytit, çka do të thotë se Holande nuk mund të jetë president i të gjithëve, ndonëse në rolin e garantit të kushtetutës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe nëse presidenti del nga votimi në Parlament, me një numër të caktuar votash, sipas kushtetutave përkatëse, qoftë edhe me konsensus të gjerë të palëve, të cilat, gjithsesi votat i kanë marrë nga elektorati i djathtë ose i majtë. Si rast tipik, le të kujtojmë Presidentin e sotëm të Italisë, Napolitano.
Pa iu referuar emrave të veçantë që, qesh e ngjesh ose me të vërtetë, janë lakuar e do të lakohen poshtë e lart si kandidatë të mundshëm për institucionin e presidentit, asnjëri syresh nuk mund të jetë njëherësh edhe president i Gramoz Ruçit, edhe imi, fjala vjen. Ku Lezha, ku Zharri! Zoti Ruçi, ish-i përkëdhelur i regjimit, madje Sekretar i Parë ose Ministër i Brendshëm i diktaturës komuniste. Unë me gjysh të pushkatuar politikisht dhe i degdisur mësues deri në Dhëmblan të Teplenës, shkollën e të cilit ma merr mendja ta ketë shkelur edhe Gramozi-nxënës, pasi fshati i tij, Salaria, nuk di të ketë pasur shkollë shtatëvjeçare, të paktën deri përpara 40 - 45 vjetësh.
Ruçi e gjykon të pranueshme kandidaturën e zotit Nano sepse e respekton atë dhe sepse “nga të gjithë politikanët ai (Nano) është më i provuari dhe ka staturën si shtetar”. Përkundrazi, unë, ndonëse e respektoj kryetarin e dikurshëm të PS-së, siç respektoj këdo me të cilin s’ më lidh gjë prej gjëje përveç ndjenjës së trashëguar të njerëzisë, nuk mund ta pranoj si presidentin tim. Kemi qenë dhe mbetemi në dy anë të kundërta të ndarjes së imponuar politike. Në të kundërtën, një politikan i sprovuar demokrat, me të njëjtën staturë të Nanos, në mos më të  spikatur, nuk besoj se zoti Ruçi do ta pranonte si presidentin e tij, me gjithë respektin që nuk dyshoj se do të kishte për të dhe me gjithë replikat e ashpra që, kushedi, mund të kishin shkëmbyer njëri me tjetrin përballë, në foltoren e Parlamentit, ose tërthorazi, në shtyp, si politikanë kundërshtarë.
Sa për një president që të mishëronte unitetin kombëtar, mendoj se është tepër herët ta kërkojmë ne, shqiptarët. Ku ta gjejmë: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni apo në Mal të Zi? Janë kushtet historike që s’na e lejojnë, me gjithë dëshirën e madhe që kemi. Një referendum për formën e regjimit, mbase mund të na çelte një shteg të ngushtë për një figurë jashtë institucionit të presidentit, por për këtë  as që mund të bëhet fjalë sot për sot.
Me sebepin e gjetjes së një formule të përshtatshme për të zgjedhur presidentin, kryesocialisti Rama ka ndërmarrë nismën për një sërë takimesh. Nisma e Ramës, e kam thënë dhe dëshiroj ta përsëris, s’ka të bëjë fare me presidentin e ardhshëm. Ai e di mirë sa i ha shkopi dhe deri ku i arrin hapi në këtë garë. Por lepuri fle gjetiu. Para dy a tri ditësh, si për të pohuar këtë, Gramoz Ruçi na e tha troç qëllimin e takimeve (lexo: takimin me Metën, se të tjerat janë sa për të hedhur pak mjegull mbi të vërtetën). Një e përditshme e Kryeqytetit, ia zbuloi petët lakrorit pa pritur e pa kujtuar, përmes një interviste të tij. Do të shmang ca thënie të të intervistuarit që, gjithsesi, meritojnë vëmendje dhe replikë, si: “takim informal” dhe “takim formal”, me të cilën Ruçi synon të fshehë atë çak përvidhet natën, tinëzisht, përballë asaj çka kryhet ditën, në dritë të diellit, zyrtarisht dhe në prani të mediave. Ose: “vërejtja kryesore për Shqipërinë është funksionimi i Parlamentit (!)”, thënie që të bën të shkulesh së qeshuri kur del nga goja e një bojkotuesi parlamentar profesionist. Ose, më tej: “kur vjen puna për koalicione parazgjedhore dhe paszgjedhore, unë asnjëherë nuk kam thënë jo, për askënd”. Dhe kush, pa!... Ka edhe plot të tjera kumbulla si këto, me të cilat nuk ia vlen ta lodh lexuesin, pasi janë ca të thëna që nuk e fshehin dot të vërtetën, sikurse nuk mund të zihet dielli me shoshë, por që lëshohen badihava: ç’të mbetet, le të mbetet.
Gjithsesi, ia vlen të ndaloj në atë moment të intervistës që gazetari intervistues e ka zgjedhur për titull: “Ruçi: Gati për koalicion parazgjedhor, nëse LSI ikën nga Berisha”. Më shumë se një thirrje publike për Ilir Metën dhe partinë që ai drejton, ky absurditet politik, jashtë çdo realiteti, mua më ngjan si thirrje e dëshpëruar për elektoratin e majtë: ecni me ne, mos jepni vota andej, se ato shkojnë për tjetërkënd, kurse ne na morët mëqafë.
Ruçi harron shkaqet që e shkëputën atë copë të së majtës nga PS-ja. Ai harron edhe emrin e partisë së Metës, ku spikat synimi për integrim euro-perëndimor. Harron se shterpësia e bojkoteve të Ramës, grevat e urisë përpara institucioneve shtetërore ose revoltat me viktima të pafajshme në bulevard s’kanë të bëjnë me integrimin, por me rikthimin në vitet e diktaturës komuniste. Ruçi harron se nuk ishte Berisha që i fryu në vesh Metës të ndahej me Nanon dhe, pastaj, me të gjithë konservatorët e PS, por ishte frymëzimi euro-perëndimor i atij vetë dhe i të gjithë atyre që e ndoqën e do ta ndjekin pas në të ardhmen. Por, siç duket, disa liderë socialistë shpresojnë ende në atë thënien e qëmoçme se “politika është kurvë (e përdalë)”, ndaj mund të pritet gjithçka prej politikanëve pa taban. Pyetja që lind në këtë rast, do të ishte e pashmangshme: A mund të maten të gjithë politikanët me të njëjtin kut, aq më tepër me kutin tënd?  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›