E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, akuza të ndërsjella qeveri-opozitë

PRISHTINË- Kuvendi i Kosovës po diskuton në një seancë të jashtëzakonshme për situatën në pjesën veriore të vendit. Seanca ishte thirrur për të diskutuar për hapat e mëtejshëm të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në atë pjesë të Kosovës, ku si pasojë e një sulmi me mjet shpërthyes, më 8 prill, u vra në banesën e tij në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, Selver Haradinaj, ndërsa u plagosën disa të tjerë.

Akuza të ndërsjella qeveri-opozitë
Seanca parlamentare e jashtëzakonshme e zhvilluar sot në Kosovë, për situatën në veri është shoqëruar me akuza të ndërsjella mes opozitës dhe qeverisë. Kreu i Vetevendosje-s ka akuzuar Thaçin se ka tradhëtuar Kosovën, duke i bërë favore Serbisë, ndersa kryeministri kosovar akuzon nënkryetarin e Vetëvendosje-s se ka zhvilluar bisedime të fshehta me Beogradin.

“Këtu më tepër nga opozita u përdor për të akuzuar qeverinë, jo për të folur për tejkalimin e gjendjes në veri, për të gjetur një zgjidhje integruese, por u drejtuan vetëm akuza në drejtim të qeverisë. Unë ju them se ballafaqimin qeveria dhe koalicioni qeverisës do ta kenë me këta opozitarë në vitin 2014. Kështu që herët e ka filluar fushatën. Për Vetëvendosjen, le të tregojë për takimet që ka zhvilluar zv/kryetari i Albin Kurtit me ministrat e Boris Tadic.”- u shpreh kryeministri Thaçi.
“Qeveria e Kosovës dëshiron unitet të spektrit politik në këtë Kuvend për dy arsye. Së pari unitet pas mosveprimit qeveritar për Mitrovicën dhe së dyti unitet para ndonjë gjesti të ardhshëm qeveritar në veri, të ngjashëm me atë të 25 korrikut, në mënyrë që t’i hapet rruga bisedimeve me Serbinë për veriun e Kosovës. Ne nuk mund t’i besojmë premtimeve më të reja të kësaj qeverie përballë përvojës së gjatë dhe thellësisht të hidhur që kemi. ”- u shpreh nga foltorja e Kuvendit lideri Vetëvendosje-s Albin Kurti.

Rexhepi: Përgjegjës për situatën, Serbia
Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që po mbahet për gjendjen në veri të vendit, deklaroi se situata e sigurisë në veri është e tensionuar si pasojë e veprimeve të organizatave kriminale serbe, me mbështetjet e strukturave ilegale, mirëpo po mbahet në kontroll.
Rexhepi duke raportuar për gjendjen në Mitrovicë theksoi se përgjegjës për gjenden atje janë institucionet e Serbisë, të cilat janë kapluar nga ethet zgjedhore.

Ai deklaroi se me arrestimet e qytetarëve të Kosovës në Serbi, me moszbatimin e marrëveshjeve, po dëshmohet se ministri i rendit i Serbisë, Ivica Dacic me plot fanatizëm po dëshmon se është trashëgimtar i Milosevicit.
Rexhepi duke folur rreth vrasjes së Selver Haradinaj tha se rasti është cilësuar si akt terrorist, dhe i i tillë është duke u hetuar nga Njësiti anti-terrorist i Policisë së Kosovës, mbështetur nga Task-Forca e EULEX-it.

Ministri i rendit, ndër të tjera u shpreh se pas gjendjes së krijuar kanë shtuar prezencën e policisë në lagjet e banuar me popullatë të përzier.
Opozita, ndërkaq, akuzoi ekzekutivin e Kosovës për mungesë rezultatesh në integrimin e veriut dhe në sigurimin e një ambienti, në të cilin siç thuhet, qytetarëve do t’u mundësohej zhvillimi i një jetë të sigurt.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›