E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, debate PD-PS për privatizimin e Albpetrol

TIRANË- Kuvendi ka nisur sot punimet e seancës plenare me shqyrtimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin "Për hidrokarburet", për të cilën opozita është deklaruar se do të votojë kundër.

Në nisje të seancës, deputeti i PS-së Erion Brace ka shtruar disa pyetje në lidhje me prvatizimin e Albpetrol. Brace ka kërkuar që në Kuvend të sqarohen se sa janë përfitimet e kësaj kompanie në 3 vitet e fundit dhe të bëhet transparencë e plotë e procesit të privatizimit.

Shpjegime për privatizimin e Albpetrol kanë kërkuar edhe deputetët Pandeli Majko e Eduard Shalsi. Ministri i Ekonomisë Nasip Naco iu përgjigj deputetëve të majtë se privatizimi është një proces transparent, ndërsa tha se “Nëse disa të dhëna nuk janë të deklaruara është për të ruajtur konfidencialitetin, nuk iu kemi fshehur gjë juve apo shqiptarëve”, shtoi ai.

BINO: PROCESI I PRIVATIZIMIT TRANSPARENT
Ora 11:40- Deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Bano theksoi këto ndryshime erdhën në kuadër të procesit të privatizimit të kompanisë Albpetrol, miratuar para 3 muajsh në Kuvend.

Ai shpjegoi se për të ndikuar në suksesin e privatizimit, por edhe në një mirëmenaxhim pa ndërprerje në ecurinë e zonave të përcaktuara në marrëveshjen Albeptrol, është e nevojshme që kësaj shoqërie edhe pas privatizimit ti njihen disa të drejta të veçanta.

Këto ndryshime, theksoi Bano, “synojnë jo vetëm t'i hapin rrugë procesit të privatizimit, por edhe t'a vendosin Albpetrolin në një pozitë konkuruese, të drejtë e të ndershme, kundrejt kompanive të tjera, të cilat kryejnë operacione kërkimi, zhvillimi dhe mbi të gjitha e bëjnë transparent procesin duke sanksionuar faktin se Albpetrol do të ruajë të njëjtat të drejta kontraktuale me shoqërinë e tretë”, shtoi ai.

NIS SEANCA E KUVENDIT
Ora 11:00- Seanca e sotme plenare filloi me shqyrtimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin "Për hidrokarburet". Në rendin e ditës së seancës së sotme pritet të shqyrtohet dhe pr/ligji "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", si dhe ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Kosovës në fushën e përfaqësimit konsullor, si dhe ratifikimi i marrëveshjes dypalëshe me Malin e Zi, për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Malit të Zi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›