Malaj: Skandali i privatizimeve, qeveria fsheh fondet
“Qeveria nuk mund të përdorë asnjë qindarkë të papërfshirë dhe pasqyruar në buxhet”
Qeveria ka shkelur ligjin, duke mos përfshirë në buxhet fondet e privatizimeve. Aktualisht janë 125 milionë euro që priten të arkëtohen nga shitja e kompanisë “ARMO”, si dhe fondet që të grumbullohen nga privatizimi i KESH dhe INSIG. Deklarata ka ardhur gjatë ditës së djeshme nga deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj. “Qeveria po kërkon të përdorë shpenzime nga të ardhurat nga privatizimi, të cilat nuk i ka pasqyruar në buxhet. Në çdo vend, buxheti pasqyron kufirin maksimal të shpenzimeve, qeveria nuk mund të përdorë asnjë qindarkë të papërfshirë dhe pasqyruar në buxhetin e miratuar nga Parlamenti. Kjo është shkelje e rëndë kushtetuese, cenon rëndë transparencën e të ardhurave nga privatizimi, cenon rëndë kontrollin parlamentar mbi buxhetin. Në buxhetin suplementar të qeverisë, veç kritikave për dështimet e qeverisë dhe rritjen e varfërisë së shqiptarëve, kemi denoncuar edhe një shkelje shumë të rëndë të demokracisë parlamentare. Qeveria po kërkon të përdorë shpenzime nga të ardhurat nga privatizimi, të cilat nuk i ka pasqyruar në buxhet. Ne i kërkojmë qeverisë të tërhiqet nga kjo shkelje e rëndë kushtetuese. I kërkojmë Parlamentit, të mos miratojë këtë nen të buxhetit suplementar. I kërkojmë opinion publik, të reagojë ndaj kësaj arrogance të qeverisë dhe Parlamentit. I kërkojmë publikisht Presidentit të Republikës, të mbrojë Kushtetutën e vendit nga ky abuzim i maxhorancës me buxhetin e vendit”,- tha Malaj. Në Ligjin për Administrimin e Sistemit Buxhetor bëhet e ditur se, “Fondet e miratuara për njësitë e qeverisjes qendrore në ligjin e buxhetit vjetor përbëjnë kufirin maksimal të shpenzimeve, brenda të cilit, Këshilli i Ministrave është i autorizuar të marrë përsipër angazhime dhe të kryejë shpenzime. Këshilli i Ministrave e ushtron këtë autoritet i përfaqësuar nga Ministri i Financave. Fondet e miratuara në vendimin për buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore përbëjnë kufirin maksimal të shpenzimeve, brenda të cilit kryetari i njësisë së qeverisjes vendore është i autorizuar të marrë përsipër angazhime dhe të kryejë shpenzime”. Përsa i përket afateve të përdorimit të fondeve në buxhet, deputeti Malaj ka bërë të ditur se, “e drejta për të kryer shpenzime, brenda kufirit të fondeve të miratuara, skadon ditën e fundit të vitit buxhetor, pavarësisht nëse kontrata njëvjeçare ose shumëvjeçare mund të vazhdojë edhe në vitin buxhetor pasardhës. Për kontratat shumëvjeçare, e drejta për të kryer shpenzime mund të zgjatet përtej vitit buxhetor, por jo më shumë se 3 vjet pas përfundimit të vitit buxhetor. Kontratat dhe afatet e zgjatjes së të drejtës për të kryer shpenzime përcaktohen me dispozitë të veçantë në ligjin e buxhetit vjetor për vitin buxhetor pasardhës. Shpenzimet e kryera në vitin buxhetor, për llogari të fondeve të miratuara në vitin buxhetor paraardhës, regjistrohen dhe raportohen të ndara nga ato të kryera për llogari të fondeve të miratuara në vitin buxhetor”.